Çfarë po i ndodh mendjes së shqiptarëve?!
Entela Resuli
Në zyrën e saj pranë Poliklinikës Qendrore, në katin e parë të këtij institucioni, mjekja psikiatre Arjana Reli pret me dhjetëra pacientë në ditë.
Kohët e fundit situata është bërë shqetësuese. Stresi dhe ankthi është shtuar te njerëzit, por mesa duket bashkë me to, edhe ndërgjegjësimi për t’iu drejtuar mjekut.
Doktoreshë Rreli na thotë se gjatë një dite në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor mund të paraqiten mesatarisht 30 persona për të marr shërbime; që nga përcaktimi i statusit mendor deri tek trajtimet medikamentoze.
Tirana ka tri qendra të tilla, ndaj, logjikisht, numri është edhe më i lartë.
Një nga shkaqet që i mbush njerëzit me stres deri në kufijtë e depresionit është situata ekonomike.
-Çfarë mund t’i thuash një pacienti i cili, për arsye nga më të ndryshmet, nuk ka një punë dhe nuk u siguron dot bukën fëmijëve!? E njerëz me këtë hall trokasin mjaftueshëm në derën e doktoreshës.
Janë të shumta rastet kur mësojmë se dikush që na është dukur normal ka kryer një akt jonormal; një pikë ujë mjafton për të derdhur kupën e mbushur.
Një nga terapitë më të mira në kësi rastesh është edhe familja, ajo luan një rol thelbësor në përballimin e situatave me të sëmurë të tillë.
Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 1 në 4 persona vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Në vendin tonë çdo vit raportohen shifra në rritje të personave të cilët kanë këto probleme.
Duke vënë re këtë shqetësim, Dita ka folur sot me mjeken psikiatre pranë Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor Nr. 3, Arjana Rreli, e cili na ka shpjeguar se çfarë ndodh në Shqipëri, si ka ndryshuar mentaliteti për këtë sëmundje dhe çfarë duhet bërë më tepër për t’u kujdesur për veten dhe të tjerët që na rrethojnë.
-Doktoreshë, sot do të flasim për problemet e shëndetit mendor, por a ka një ngërç në bisedë mes njerëzve sa herë që flitet për këtë temë?
Shëndeti mendor është një koncept që ka evoluar në kohë, bashkë me progresin e shoqërisë, mjekësisë dhe mentalitetit. Fillimisht flitej për të çmendur dhe çmendina, më pas për psikopatë dhe pavijone 17-të dhe aktualisht sëmundje të shekullit dhe shëndet mendor.
-Sëmundjet mendore, a mund të konsiderohen si të gjitha sëmundjet e tjera?
Sëmundja mendore, megjithëse në të gjitha sëmundjet e tjera mund të jenë të gjata dhe tinëzare, që parashikimet jo gjithmonë përputhen me ecurinë; që ecuria mund të jetë me përkeqësime dhe periudha qetësie, bart në vetëvete edhe stigmën (damkën) që e rëndon më shumë. Kjo gjë e bën individin që të mos drejtohet në kohë për ndihmë dhe që gjendja të përsëritet dhe përkeqësohet me kalimin e kohës.
-Nga eksperienca juaj prej vitesh në këtë fushë, a mund të na thoni nëse ka ndryshuar diçka në mentalitetin e pacientit, apo të shqiptarëve që i drejtohen mjekut për këtë problem?
Nga eksperienca ime 20-vjeçare, me bindje e them se vitet e fundit ka më pak paragjykime për problemet e shëndetit mendor. Kjo gjë vihet re jo vetëm nga rritja e numrit të vizitave, por edhe nga mënyrat se si tani njerëzit diskutojnë për shqetësimet e tyre edhe me njëri-tjetrin. Mendoj se ulja e barrierave kompleksive ndaj këtyre sëmundjeve ka ardhur edhe si rezultat i gjithëpërfshirjes. Askush nuk mund të krenohet me të qenit i fortë, indiferent e aq më tepër i imunizuar përballë nivelit të lartë të stresit që ne përballim çdo ditë. Ky është një hap që shoqëria jonë ka bërë drejt pranimit dhe përfshirjes për zgjidhje të problemeve mendore, të cilat më parë ishin tabu.
-Sipas statistikave 1 në 4 persona ka shfaqur një herë çrregullime të shëndetit mendor, është shifër për t’u shqetësuar?
Shifrat që ju përmendi janë të marra nga statistika të shpallura nga OBSH, ndërkohë që në vendin tonë (edhe pse nuk kemi shifra të sakta) ky raport është i justifikuar. Duke parashtruar problemet sociale, ekonomike dhe kulturore që në Shqipëri janë faktorë të rëndësishëm shpërthyes, përqindja e personave të stresuar është më i lartë. Shqetësimi ynë është sinjali që duhet të ngremë për ndërgjegjësimin e vazhdueshëm të popullatës në lidhje me shqetësimet mendore dhe rritjen e nivelit të shërbimeve në këtë fushë.
-Si mund ta thyejmë këtë barrierë? Si mund ta pranojë pacienti që është i sëmurë, pa u ndjerë i paragjykuar… se duhet ta pranojmë që shoqëria dhe paragjykimet e saj të vrasin ndoshta më shumë se sa vetë sëmundja?
Thyerja e pengesës që i pengon pacientët të pranojnë problemin dhe ta kërkojnë ndihmë është promovimi i shëndetit mendor. Mediat e shkruara dhe ato audiovizive janë një nga mënyrat e uljes së barrierave që bart sëmundja mendore. Edhe ofrimi me cilësi dhe përkushtim i ndihmës që ofrojnë shërbimet e shëndetit mendor do të sjellë pranimin më lehtë të problemit dhe kërkimin e ndihmës pa u penguar nga stigma.
-Vit pas viti kemi shifra në rritje të të prekurve nga sëmundjet mendore, nga se vjen kjo situatë?
Rritja e numrit të pacientëve është pasojë jo vetëm e ndërgjegjësimit për sëmundjen, informacionit nëpërmjet teknologjisë dhe uljes së barrierave të shoqërisë për sëmundjet mendore, por edhe si rrjedhojë e rritjes së problematikave që shpërthejnë problemet mendore. Shoqëria shqiptare vazhdon të jetë e ekspozuar ndaj pasojave të tranzicionit të tejzgjatur dhe problemeve politike, ekonomike dhe sociale që ai sjellë. Lëvizjet e lira të popullsisë kanë pasuar edhe me lëvizje të kulturave, përplasje mentalitetesh, vështirësi të përshtatjes dhe të sigurimit të kushteve të jetesës, të cilat janë stresorë të fuqishëm dhe faktorë shpërthyes të problemeve të shëndetit mendor.
-Sa ndikon stresi dhe çfarë shkakton ai?
Stresi është jo vetëm fjala por edhe gjendja më e përfolur edhe gjatë një bashkëbisedimi të rastësishëm midis një grupi personash. Flitet për stres në trafik, stresi është edhe në shumë ambiente pune ( nëse personi e ka një punë), është edhe kur jemi duke dëgjuar lajmet, stres krijohet edhe brenda familjes, edhe në raportet ndërpersonale, ndërfamiljare që ka një nivel përtej të cilit ne nuk mund të kontrollojmë dhe organizmi ynë e tregon me shenjat e tij fizike dhe psikologjike. Është pikërisht ky nivel ku stresi kalon në ankth. Ky lloj rregullimi është më i hasuri gjatë punës tonë të përditshme në ambulator.
Personi me ankth, përveçse përjeton parehatinë që çdo sëmundje shkakton te individi, ndërhyn në cilësinë e jetës dhe çon deri në komplikime me sëmundje më madhore, siç janë çrregullimet e humorit dhe të mendimit. Rëndësia e këtyre çrregullimeve shkon deri në dëmtimin e funksioneve okupacionale dhe invalidizimin e pacientit.
-Sa ndikon mungesa e jetës sociale, e ambienteve çlodhëse? Po kushtet ekonomike?
Në pjesën më të madhe të rasteve me probleme të shëndetit mendor zbulohen personalitete të tërhequr nga shoqëria, që përfshihen pak në aktivitete sociale dhe shumicën e kohës e kalojnë të vetmuar. Kjo gjë i bën ata të devijojnë në mendime dhe gjykime, duke nxjerrë përfundime të gabuara dhe në rastet më të rënda duke i kthyer në këto bindje të gabuara.
Mënyra më e mirë për të shmangur zinxhirin e këtyre problematikave është socializmi, që kërkon stimulimin e këtyre individëve dhe krijimin e ambienteve çlodhëse; e në këtë rast edhe rehabilituese. Mungesa e tyre i shërben edhe një herë rëndimit të shqetësimeve dhe precipitimit në një sëmundje mendore.
-Ka më shumë pacient femra apo meshkuj?
Përqindjen më të madhe të problemeve të shëndetit mendor e zënë femrat; kjo për faktin se gjinia femërore ka disa veçanti fiziologjike që favorizojnë edhe ndryshime emocionale dhe më pas shqetësime mendore. Periudhat e pubertetit, të paslindjes, menopauzës, disa sëmundje të lidhura me hormonet ndeshen vetëm tek femrat dhe këto reflektohen edhe në shëndetin mendor të femrës. Një tjetër arsye e epërsisë në numër të femrave që vuajnë shqetësime mendore, është edhe fakti që femrat i tregojnë më me lehtësi dhe me më pak komplekse problemet e tyre.
-A ka të rinj me probleme?
Edhe numri i të rinjve me probleme të shëndetit mendor ka qenë në rritje; sfidat e kohës që jetojmë pamundësia për të treguar vlerat dhe mundësitë, modelet e gabuara në shoqëri, jeta e pashëndetshme dhe abuzimi me alkool dhe substanca janë disa nga shkaqet që mundësojnë shfaqjen e problemeve mendore.
-Të moshuarit në ç’raporte janë në këto statistika?
Të moshuarit kanë “pjesën e tyre të tortës” në numrin e personave që vuajnë shqetësime mendore. Vetmia dhe rëndesa e sëmundjeve kronike shpesh sjell ndryshime të humorit, ndërkohë që si në të gjithë globin, sëmundja e demencës ose sëmundja e trurit është gjithashtu shkaktare e rritjes në numër edhe të moshuarve për të cilët kërkohet ndihma në shëndetin mendor.
-Shumë njerëz bëjnë një zgjidhje më të lehtë, sipas tyre, shkojnë në farmaci dhe marrin qetësues. A rekomandohet kjo?
“Vetëzgjidhja” e problemeve dhe tendenca për të marrë medikamente pa propozimin e mjekut psikiatër është problem më vete. Të tillë pacientë nuk njihen dhe ndërgjegjësohen në mënyrë shkencore nga mjeku me problemin e tyre, gjë që është hapi i parë i zgjidhjes së shqetësimit. Përveç kësaj, duke marrë ilaçe të parekomanduara nga specialisti, ata mund të krijojnë varësi medikamentoze, e cila tashmë është një problem më tepër për shëndetin mendor. Ajo që rekomandohet është vizita tek mjeku i familjes, i cili sipas rastit e ndihmon vetë ose e rekomandon te mjeku psikiatër.
-Doktoreshë, kemi patur raste ku të sëmurët mendorë kanë kryer edhe krime makabre, cila është përgjegjësia institucioneve këtu?
Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur vitet e fundit, ku “protagonistë” kanë qenë të sëmurë mendorë. Sigurisht që përgjegjësitë janë shumëpalëshe duke filluar nga stigmatizimi, paragjykimi, mostrajtimi e deri tek mungesa e institucioneve sekondare siç janë; qendrat ditore, shtëpitë rehabilituese apo qendrat rezidenciale për të sëmurët mendorë. Këto do të mundësonin shfrytëzimin e kapaciteteve të mbetura të këtyre personave, socializmin e tyre me persona që vuajnë problemin se ata, lehtësimin e familjarëve nga angazhimet që ata marrin për këta të sëmurë dhe reduktimin e impulseve të agresivitetit që çojnë në akte kriminale për shkak të sëmundjes.
-Ndërkohë ju jeni mjeke në Poliklinikën Qendrore në Tiranë. Na tregoni pak për rastet që ju vijnë dhe sa është numri i tyre?
Në Poliklinikën Qendrore ku unë punoj, është e vendosur edhe Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor, Nr.3 në Tiranë. Me këtë rast dua të sqaroj se kjo nuk është e vetmja që ofron shërbime multidisiplinare në kryeqytet. Për çdo rajon të Tiranës ka një qendër komunitare, pra janë tre të tilla që japin ndihmën e tyre për probleme të shëndetit mendor. Problematikat që ne hasim në përditshmërinë tonë, nisin nga reagime të menjëhershme emocionale pas situatave stresante, e deri tek sëmundjet mendore, që kërkojnë ndjekje afatgjatë për shkak të kromicizimit. Sipas rastit ndërhyrja për trajtim mund të bëhet jo vetëm nga mjeku psikiatër, por edhe nga stafi ndihmës siç është psikologu, punonjësi social, terapisti okupacional apo infermieri i shëndetit mendor. Gjatë një dite në QKSHM mund të paraqiten mesatarisht 30 persona për të marr shërbime; që nga përcaktimi i statusit mendor deri tek trajtimet medikamentoze.
-Nga se ankohen më tepër?
Ankesat më të shpeshta që vijnë në stafin e qendrës tonë komunitare janë çrregullimet e ankthit, i cili është shqetësimi më i përhapur në popullatë, sidomos në periudhën e fundit. Kjo situatë është pasojë e faktorëve sociale, ekonomikë e më pak biologjikë gjë që sot (më shumë se asnjëherë) e bën personin të jetë i ekspozuar më tepër ndaj stresorëve dhe të ruaj gjendje ankthi, që është e shumëllojshme dhe tashmë e kudondodhur.
-Kanë një ide se nga i kanë ardhur shqetësime?
Pjesa më e madhe e personave përcaktojnë si shkaktar të problemit, ngjarjen apo gjendjen e momentit, por më shpesh përdor krahasimin: “ashtu si një pikë derdh gotën” edhe momenti shpërthyes tregon ngarkesën që sistemi nervor ka marrë gjatë kohës, e ka “depozituar” dhe kërkon ta “shfryjë” në atë mënyrë që bëhet shqetësuese për personin. Me këtë dua të them që pavarësisht shkaktarëve, e rëndësishme është që të kërkohet sa më parë ndihma për të shmangur pasojat e problemit.
Gazeta DITA