Dhimbjet e veshit, zgjidhja tek qetësuesit natyralë
Dhimbjet e veshit mund të jenë shumë shqetësuese. Një pjesë e tyre ndodh për shkak të depozitimeve të lëngëta në veshin e mesëm që si shkak kanë tingujt e lartë, të ftohtin, infeksionet në vesh, dyllin, bllokimin e kanaleve të hundës, dëmtimet fizike brenda veshit, presioni i lartë, etj. Dhimbjet e veshit hasen më shpesh tek fëmijët e vegjël se sa tek të rriturit. Dhimbjet e veshit mund të kurohen edhe me medikamente natyrale që na gjenden në shtëpi. Po ju tregojmë disa prej tyre:
Vaj ulliri
Vaji i ullirit vepron si një qetësues i shpejtë ndaj dhimbjeve të veshit. Ai shërben si lubrifikant dhe ndihmon për të luftuar infeksionet në vesh. Gjithashtu mund të ndihmojë në ndalimin e zhurmave brenda veshit. Hidhni 3-4 pika vaj ulliri të vakët në kanalin e veshit. Gjithashtu mund të ngjyeni një tampon pambuku me vaj ulliri dhe ta vendosni në vesh. Në vend të vajit të ullirit, mund të përdorni edhe vaj susami.
Hudhra
Vetitë analgjezike dhe antibiotike të hudhrës ndihmojnë në qetësimin e dhimbjeve të veshit të shkaktuara nga infeksionet. Merrni dy lugë gjelle vaj susami. Nxehni 1 lugë çaji hudhër të grirë në të. Lëreni të ftohet dhe kullojeni vajin. Hidhni 2-3 pika prej tij në veshin që ju dhemb. Një tjetër opsion është të shtrydhni lëngun e disa thelpinjve hudhër dhe hidheni në veshin që ju dhemb.
Qepë
Qepa është një prej medikamenteve shtëpiake më të efektshme në dhimbjen e veshëve. Vetitë antiseptike dhe antibakteriale të saj funksionojnë mirë në trajtimin e dhimbjeve të veshëve. Prisni imët një qepë të freskët dhe mbështilleni me një napë të pastër. Mbajeni napën në veshin e infektuar për 5-10 minuta. Përsëriteni këtë proces disa herë në ditë. Gjithashtu mund të merrni një lugë lëng qepe të shtrydhur dhe ta ngrohni pak. Më pas hidhni 2-3 pika në vesh, 2 deri në 3 herë në ditë.
Shishe me ujë të nxehtë
Nxehtësia në zonën e veshit do të funksionojë si një qetësues për dhimbjet. Thjesht merrni një shishe me ujë të nxehtë, mbështilleni me peshqir dhe mbajeni në veshin ku ndjeni dhimbje për disa minuta.
Xhinxher
Xhinxheri ka veti të forta anti-inflamatore të cilat janë shumë të dobishme në trajtimin e disa tipeve të infeksionit të veshëve. Është gjithashtu një qetësues natyral dhimbjesh. Merrni pak lëng xhinxheri të freskët dhe hidheni direkt në kanalin e veshëve për të qetësuar dhimbjet dhe për të reduktuar inflamacionin. Ju gjithashtu mund të miksoni një lugë gjelle xhinxher të freskët me ¼ filxhani vaj susami të nxehtë. Prisni të ftohet pak dhe aplikojeni përbërjen në veshin ku ndjeni dhimbje.
Mente
Si gjethet e mentes, ashtu edhe vaji i saj mund të përdoren për të trajtuar dhimbjet e veshit. Vendosni disa gjethe menteje në një havan dhe shtypini derisa të nxirrni pak lëng. Hidheni lëngun tek veshi ku ndjeni dhimbje. Aplikoni disa pika vaj menteje jashtë vrimës së veshit për të qetësuar dhimbjet. Mos e aplikoni direkt në vesh sepse mund të jetë pak irritues. Ose përiziejeni me pak vaj ulliri.
Tharëse flokësh
Një tjetër mënyrë për të qetësuar dhimbjet e veshit është ndihma e tharëses së flokëve. Ajo do të thithë lagështinë e tepër në vesh, por mos e përdorni më shumë se pesë minuta.