Diabeti, si mund të kurohet dhe ç’duhet të konsumojmë

 

Diabeti, si mund të kurohet

dhe ç’duhet të konsumojmë

 

Intervistoi: Sidorela Lepuri

Diabeti është shndërruar në një prej sëmundjeve më shqetësuese në të gjithë botën, por edhe në vendin tonë veçanërisht nëse i referohemi viteve të fundit, ku sëmundja është përhapur edhe më shumë. Mjeku endokrinolog-diabetolog Dashamir Gjergji, në një intervistë për "Koha Jonë" tregon për shkaqet më të shpeshta të kësaj sëmundjeje, mënyrën sesi mund të kurohet ajo dhe ushqimet që duhet të konsumojnë diabetikët…

 

Sëmundja e diabetit mbetet një sëmundje kronike e përhapur në të gjithë botën, veçanërisht vitet e fundit ku është vënë re një rritje shqetësuese e numrit të të prekurve edhe në vendin tonë. A mund të na shpjegoni me terma më të thjeshta se çfarë është konkretisht sëmundja e diabetit?

Sëmundja e diabetit të sheqerit është një sëmundje kronike e shkaktuar nga faktorë të shumtë, kryesisht faktorë të brendshëm ose gjenetikë, por edhe faktorë të jashtëm apo ambientalë. Nga vetë fjala, diabeti i sheqerit nënkupton rritje të nivelit të sheqerit në gjak, normalisht çdo njeri ka sheqer në vlera normale në gjakun e tij dhe në çdo qelizë të trupit të tij. Karbohidratet janë burim kryesor i ushqimit tonë të përditshëm dhe në të njëjtën kohë janë burim më i rëndësishëm i energjisë që konsumojnë qelizat dhe organet tona. Kur vlerat e sheqerit që qarkullojnë në gjak janë brenda normës, nuk kemi asnjë lloj problemi sepse këto vlera sigurojnë ecuri të mirë të procesit energjetik të organizmit. Si çdo trup tjetër fizik, organizmi ynë shkëmben me ambientin përreth energji dhe kjo energji siç e thamë edhe më lart, sigurohet kryesisht nga karbohidratet, yndyrnat dhe proteinat. Diabeti si sëmundje kronike paraqet sot një problem shumë të rëndë në mbarë botën jo vetëm si shkak i rritjes së numrit të diabetikëve, por edhe si shkak i dëmeve të mëdha që kjo sëmundje sjell në radhë të parë mbi të sëmurët, mbi familjen e tij dhe mbi gjithë shoqërinë. Shkaku pse është shtuar shumë numri i diabetikëve kohët e fundit duhet të kërkohet në shumë elementë që ndikojnë në shfaqjen e tij, por më së shumti kjo sëmundje vjen si pasojë e mbipeshës, 90% e diabetikëve janë njëkohësisht edhe obezë. Shkak tjetër i rritjes së diabetikëve është edhe stresi, konsumimi i alkoolit, jeta pa aktivitet fizik, konsumimi i produkteve të pakontrolluara ushqimore.

Si kurohet kjo sëmundje?   

Kurimi i diabetit është një ndërmarrje e vështirë që kërkon mjekë dhe trupë të specializuar, duke qenë se diabeti është sëmundje me shumë shkaqe edhe kurimi mbështetet në shumë pista që nënkuptojnë luftimin ose minimizimin e njërit apo disa shkaqeve që kanë sjellë diabetin. Ja cilat janë 5 shtyllat bazë ku mbështetet mjekimi i diabetit:                                                                                                                          1. Terapia ose mjekimi me barna. Shumica e diabetikëve të tipit 2 mjekohen me barna nga goja. Në vendin tonë ashtu si dhe në gjithë botën ka me qindra tipe barnash për mjekimin e diabetit, në jo pak raste për mjekimin e mirë të tipit 2 nevojitet edhe insulinë. Vlen të theksohet edhe një herë që gjithë të sëmurët e tipit të1 të diabetit mjekohen vetëm me insulinë.                                                                                                                     

2.Mjekimi me dietë. Të gjithë diabetikët pavarësisht tipit duhet të mbajnë një regjim ushqimor të kontrolluar. Tipike për dietën janë ulja e lehtë e nivelit të karbohidrateve dhe yndyrnave në dietë, shtim i sasisë së proteinave në dietën e tyre. Tek diabetikët mbi peshë këshillohet edhe ulje e kalorive ditore që ato marrin.

3.Mjekimi me aktivitet fizik. Aktiviteti fizik duhet të jetë pjesë përbërëse e mjekimit te çdo diabetiku, sepse ndihmon diabetikët jo vetëm në harxhimin e sheqerit të tepërt, që ai ka në gjak por edhe në reduktimin e peshës trupore, sa më shume aktivitet fizik aq më mirë kontrollohet diabeti dhe aq më i shëndetshëm konsiderohet një diabetik. Kujdes duhet bërë kur teprohet me aktivitet të sforcuar fizik, kur janë sporte të rënda ose kur koha e të ushtruarit është më e madhe se sa rekomandohet normalisht. Në tërësi diabetikët që nuk merren me sport duhet të lëvizin, p.sh. ecje çdo ditë nga 30-60 minuta.         

4.Mjekimi në formë edukimi. Sa më shumë njohuri  të ketë një diabetik, më shumë sukses dhe aq më të lehtë do ta ketë në menaxhimin e sëmundjes së tij. Prej dekadash  diabetikëve ju bëhet edukacion i vazhdueshëm jo vetëm në fillesat e sëmundjes por gjatë gjithë kohës. Edukacioni qëndron në shtim të njohurive rreth kujdesit për dietën, barnat, aktivitetin fizik, monitorimin si dhe ndihmën e parë në rastet kur diabeti rëndohet me vlera shumë të larta apo shumë të ulta në gjak.                                                                                                                             5. Vetëmonitorimi. Ky element përbërës i kurimit të diabetit është bashkuar me elementë të tjerë kryesisht kohët e fundit. Falë teknologjisë sot diabetikët kudo në botë posedojnë aparate për matjen e sheqerit, kanë programe kompjuterike apo dhe në celular që bëjnë të mundur marrjen e sa më shumë informacioneve se si lëviz niveli i sheqerit në rrjedhën kohore të ditës, muajit, viteve në gjakun e tyre.

Cilat janë disa prej shqetësimeve kryesore që shfaqen tek personat e prekur nga sëmundja e diabetit?

Shqetësim tipik te diabetikët do të konsideronim ankesa të tila si etje e theksuar për ujë, urinimin e shtuar, oreks shumë i shtuar shoqëruar me rënie në peshë, por te disa të sëmurë nuk mungojnë edhe shenja të përgjithshme si dobësi, lodhje e shpejtë, përgjumje kryesisht pas ushqyerjes, çrregullime të pamjes, nervozizëm, me pak fjalë është një gjendje mosmirëqenie e organizmit. Kur diabeti fillon e dëmton organizmin atëherë kemi dhe shfaqje të shenjave të tjera kjo në varësi të organit që ka dëmtuar do kemi dhe kuadrin klinik përkatës. 

Është sëmundja e diabetit një sëmundje që trashëgohet apo është e lidhur më së shumti me mënyrën tonë të jetesës dhe të ushqyerjes?

Te dy pjesët e pyetjes gjejnë vërtetësi tek faktorët që sjellin diabetin. E përmendëm dhe më lart që komponenti gjenetik mbart gjithmonë një rrezik shumë të madh, që nënkupton se të gjithë ata njerëz që kanë të afërm diabetikë kanë një rrezik të shtuar për t’u prekur nga diabeti. Nga ana tjetër, që të shfaqet kjo sëmundje duhen të ndërveprojnë edhe disa faktorë të tjerë të jashtëm, përveç genit të sëmurë sikurse është mbipesha etj. Duke mos u ndalur më shumë në faktorët specifikë, gjej momentin t’u rikujtoj të gjithë individëve që janë të ekspozuar nga një lloj rreziku gjenetik për t'u  bërë diabetikë se duhet të bëjnë kujdes për ta parandaluar këtë sëmundje. Kujdesi nuk është asgjë më shumë se sa të mbajturit në normë të organizmit larg mbipeshës, larg stresit, larg lodhjes ekstreme fizike dhe larg jetës sedentare, gjithashtu larg veseve si alkoli, droga, duhani etj.

A keni informacion sesa arrin numri i të prekurëve nga diabeti në vendin tonë?

Momentalisht, nuk është se mund t’i referohem një statistike të mirëfilltë sesa është numri i të prekurve me diabet në Shqipëri. Ajo që dihet, është se rreth 65 mijë shqiptarë marrin mjekim dhe trajtohen në kushtet e sistemit publik shëndetësor.

Si specialist mendoj se numri është shumë herë më i lartë, kjo së pari sepse ka shumë të sëmurë që ndiqen në kushte private ose jashtë vendit, së dyti duhet të kemi gjithashtu parasysh se diabeti është konsideruar si "ajsberg" ku numri i atyre që e dinë që e kanë këtë sëmundje thuajse është i barabartë me numrin e atyre që janë realisht të sëmurë nga diabeti, por që nuk e kanë të vlerësuar dhe konfirmuar këtë gjë. Prevalencë e sëmundjeve të diabetit në popullatën e Ballkanit dhe atë evropiane është rreth 6-8%, ndaj me një përllogaritje të thjeshtë mendojmë që numri i diabetikëve në vendin tonë është rreth 150-200 mijë diabetikë.

Në çfarë shkalle pacientët e prekur nga diabeti drejtohen për të kërkuar informacion lidhur me të?

Kam përshtypjen që pyetja ndoshta ka të bëjë me faktin që kur këta diabetikë paraqiten pranë bluzave të bardha. Përgjithësisht, diabetikët e tipit të 1 (fëmijët) i kanë më të rënda shenjat klinike dhe kërkojnë më shpejt asistencë mjekësore, ndaj tek këta të sëmurë diagnostikimi dhe trajtimi fillon më shpejt. Tipi i 2 i diabetit duke mos patur shenja tipike dhe jo të rënda nuk i "detyron" këta pacientë të paraqiten me ngut apo në kohë për ndihmë mjekësore. Jo rrallë, diabeti i tipit 2 zbulohet në kuadër të sëmundjeve të tjera të organizmit, p.sh. kur mund të jetë shtruar në spital për sëmundje të zemrës, etj. Koha e paraqitjes për ndihmë varet shumë dhe nga niveli intelektual i të sëmurit, rregulli është se sa më shumë i informuar dhe i ndërgjegjësuar të jetë një individ, aq më shpejt e diagnostifikon sëmundjen e tij dhe aq më shpejt e merr trajtimin. Fatkeqësisht, në vendin tonë një pjesë e diabetikëve paraqiten me vonesë edhe në momentin e diagnostikimit të diabetit ata vuajnë në 50% të rasteve edhe fillimet e komplikacioneve të diabetit.

Diabeti shkakton edhe dëmtime të tjera serioze në organizmin e njeriut. Cilat janë disa prej tyre?

Eksperienca na tregon se nëse nuk ndërhyhet në kohë për normalizimin e vlerave të sheqerit, herët a vonë këto vlera të pakontrolluara do t’i krijojnë vuajtje organizmit. Diabeti fillimisht dëmton enët e gjakut dhe fijet nervore, duke qenë se teorikisht dhe praktikisht nuk ekziston asnjë strukturë e organizmit tonë që mos të ketë enë gjaku dhe nerva, atehërë virtualisht çdo qelizë dhe organ është pre e kanosjes nga diabeti. Dëmtimet më të shpeshta diabeti i manifeston të shtrira në kohë. Dëmtime të tjera te diabetikët janë ato që vijnë në mënyrë graduale apo që shfaqen në afat të gjatë. Sëmundjet e zemrës janë pasojat më të shpeshta të diabetit. Diabetikët janë 2-4 herë më të rrezikuar për infarkte, tromboza etj. Diabeti dëmton shumë sytë dhe është shkaku kryesor i verbimit. Organ tjetër që parapëlqen si objektiv për dëmtim diabeti është veshka dhe shumë dëmtime të veshkave mund të percipitojnë në dëmtim përfundimtar të funksionit të filtrimit dhe këta të sëmurë mund të kenë nevojë për dializë dhe transfuzione gjaku. Diabetikëve gjithashtu ju dëmtohen shumë nervat periferike të sistemit nervor. Afërsisht 80% e diabetikëve pas 10 viteve ankohen për mpirje, nxehje, dhimbje të gjymtyrëve kryesisht të poshtme. Shenja këto të dëmtimit të nervave periferike.

 

Cilat janë disa prej këshillave që do të jepnit për personat e prekur nga diabeti?

Këshilla kryesore për çdo diabetik është të mos ketë frikë nga diabeti por duhet ta trajtojë seriozisht rrezikun që mund të vijë nga kjo sëmundje, çdo diabetik duhet të bëjë matje të vazhdueshme të nivelit të sheqerit në gjak, të paraqitet çdo 3-6 muaj te mjeku specialist, të kontrollojë një herë në vit zemrën, sytë, veshkat etj, Duhet bërë kujdes për ruajtjen dhe marrjen si duhet të barnave të diabetit. Duhet të mbrohen nga sëmundje të ndryshme infektive kryesisht nga virozat etj. Duhet të reduktojnë nivelin e stresit. Nuk rekomandoj  të konsumojë më shumë se një sasi të kufizuar alkooli në ditë. Duhet të mjekojë sa më shpejt çdo plagë apo dëmtim të lëkurës dhe trupit të tij si edhe të mbajë një higjenë perfekte në gjithë dimensionet e saj.

Po disa këshilla lidhur me mënyrën e tyre të të ushqyerit?

Meqënëse ne prekëm pak më lart çështjen e dietës tek diabetikët, në këtë rubrikë do fokusohemi në disa këshilla të përgjithshme si:                                                                                   Të ushqehen rregullisht pa harruar vakte dhe mundësisht në orare fikse.                                                                      Të marrin tre vakte kryesore dhe dy mini-vakte të vogla ndërmjet vakteve të mëdha. Të mundohen të përdorin sa më shumë perime, zarzavate, fruta, ujë dhe lëngje të tjera të pasheqerosura.                                                                                                                                                                             Të konsumojë rregullisht drithëra, të cilat duhet të jenë burim kryesor i marrjes së karbohidrateve por edhe fibrave.                                                                                                                                                              Duhet të përdorin të paktën dy herë në javë prodhime deti. Duhet kufizuar mishi, sidomos ai me yndyrë, produktet me përmbajtje të lartë yndyrore, sidomos produktet e gatshme, të skuqurat si dhe brumrat. Bulmetrat janë burim i mirë ushqyerje për diabetikët, si edhe vaji i ullirit. Nuk duhet të konsumojnë produkte me sheqer, mjaltë, fruktozë e gjithë gjërat e ëmbla, të ofruara kryesisht në mënyrë industriale.                                                                                                                                           

 

SHKARKO APP