Dita Botërore, duhani shkaktar kryesor i sëmundjeve të zemrës

Çdo vit në 31 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët organizojnë “Ditën Botërore pa Duhan”. Qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit lidhur me rreziqet që sjell përdorimi i duhanit, si dhe ndërmarrja e politikave efektive me qëllim uljen e përdorimit të tij. Kjo ditë është shpallur në vitin 1987 nga vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat synonin rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit të popullatës mbi dëmet dhe rreziqet e duhanit, si dhe inkurajimin e reduktimit të prodhimit dhe përdorimit të duhanit.

Tema e Ditës Botërore pa Duhan për këtë vit është: “Duhani dhe sëmundjet e zemrës”

Fakte rreth duhanit, rreth zemrës dhe sëmundjeve të tjera kardiovaskulare

Sipas ISHP-së, sëmundjet kardiovaskulare (SKV) janë shkaku kryesor i vdekjeve në të gjithë botën. Përdorimi i duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij kontribuojnë në rreth 12% të të gjitha vdekjeve nga sëmundjet e zemrës. Përdorimi i duhanit është shkaku i dytë kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare, pas presionit të lartë të gjakut.

Në mbarë botën, përdorimi i duhanit vret më shumë se 7 milionë njerëz çdo vit, nga të cilat rreth 900 000 janë joduhanpirës që vdesin nga thithja pasive e tymit të duhanit. Përafërsisht 80% ose më shumë se 1 miliardë duhanpirës në mbarë botën jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Masat e OBSH-së janë në përputhje me Konventën Kuadër të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit (ËHO FCTC) dhe mund të përdoren nga qeveritë për të zvogëluar përdorimin e duhanit dhe për të mbrojtur njerëzit.

Këto masa përfshijnë:

Monitorimin e politikave të përdorimit dhe të parandalimit të duhanit.

Mbrojtjen e njerëzve nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit duke krijuar vende publike, vende pune dhe transport publik pa duhan.

Ofrimin e ndihmës për të lënë duhanin nëpërmjet mbulimit të kostos, mbështetjes në mbarë popullatën, përfshirjes së këshillave të shkurtra nga ofruesit e shërbimit shëndetësor.

Paralajmërimet për rreziqet e duhanit duke përdorur paketime të thjeshta dhe të standardizuara, paralajmërimet e mëdha grafike që demostrojnë sesi duhani dëmton shëndetin si dhe fushatat efektive antiduhan në media, të cilat informojnë publikun për dëmet e përdorimit të duhanit dhe të ekspozimit ndaj tymit të duhanit.

Zbatimin e ligjeve apo masave ndaluese për reklamimin, promovimin dhe sponsorizimin e duhanit.

Ngritjen e taksave mbi produktet e duhanit për t’i bërë ato më pak të përballueshme.

Dita Botërore pa duhan 2018 synon:

Të theksojë lidhjen e përdorimit të produkteve të duhanit me shëndetin e zemrës dhe me sëmundje te tjera kardiovaskulare.

Të rrisë ndërgjegjësimin e publikut mbi ndikimin që ka përdorimi i duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij në shëndetin kardiovaskular.

Të krijojë mundësi për publikun, qeveritë dhe aktorët e tjerë që të angazhohen për të promovuar shëndetin e zemrës duke i mbrojtur njerëzit nga përdorimi i produkteve të duhanit.

Të inkurajojë vendet të forcojnë zbatimin e masave të Konventës Kuadër të OBSH-së për kontrollin e duhanit.

SHKARKO APP