Efektet anësore të silikonit

Kirurgjia plastike i thotë “lamtumirë” pamjes së vjetëruar. Tanimë çdokush që nuk ndihet mirë me fizikun e tij e ka një zgjidhje pavarësisht risqeve që has nëse nuk informohet në detaj në lidhje me ndërhyrjet që do të kryejë. Nëse vite me parë botoxi, silikoni dhe liposkulptura shiheshin si tabu, sot ata janë kthyer në “fenomenin” e kohës, pasi kërkohen nga të gjithë. Lidhur me operacionet plastike, Dr. Rezarta Kapaj, Kirurge – Plastike bën me dije detaje të rëndësishme në lidhje me ndërhyrjet plastike dhe estetike. Sipas Dr. Kapaj operacionet estetike këshillohet të kryhen kur personi ka mbaruar maturimin psikologjik. Operacionet e hundës këshillohen të kryen pas moshës 16 vjeçare ndërsa zmadhimi i gjoksit pas moshës 20 vjeç, në mënyrë që mos të jetë  një tekë e momentit, por një dëshirë e vendosur. Përsa i përket botoxit, mjekja është shprehur se botoxi nuk ka një moshë fikse, (varet kur krijohen rrudhat e para në lëkurë), por zakonisht mund të kryhet pas moshës 30 vjeçare.

Sa të rrezikshme janë operacionet plastike?

Rreziku i operacioneve plastike varet shumë nga lloji i operacionit. Në qoftë se operacionet plastike bëhen në duar të sigurta të kirurgëve plastik të përgatitur dhe gjithashtu bëhen me anë të një selsksionimi të kujdesshëm të pacientëve mund të themi që operacionet plastike nuk janë fare të rrezikshme.

Në çfarë moshe duhen kryer operacionet estetike, pasi kemi vënë re që shumë vajza i kryejnë ato që 17 vjeç?

E vërteta është që operacionet plastike duhen kryer pasi pacienti ose pacientja e ka mbaruar maturimin psikologjik kur bëhet fjalë për operacionet estetike. Por ka disa operacione të cilat kryen që në fëmijëri, siç janë operacionet e rregullimit të veshëve (llapush), të cilët preferohen të kryhen para se fëmijët të shkojnë në shkollë në mënyrë që të evitohen problemet apo talljet mes fëmijëve. Operacionet e hundës lejohet të kryhen pas moshës 16 vjeç gjithmonë duke patur parasysh dhe shumë kujdes për përzgjedhjen e pacientit, pasi kirurgu në të tilla raste duhet të marrë disi edhe rolin e psikologut dhe të kuptojë nëse pacienti është në gjendje për ta kryer këtë operacion. Në qoftë se pacienti e ka mbaruar maturinë psikologjike dhe dëshiron të realizojë një ndërhyrje estetike për hundën e tij/saj, duke qenë se mund të ketë një hundë jo të rregullt apo të shëmtuar gjë e cila nuk e bën të ndihet mirë sigurisht që mund ta kryejë, pasi e ndihmon shumë për maturinë dhe i krijon vetëbesim në të ardhmen. Zmadhimin e gjoksit preferojmë ta realizojmë më shumë pas moshës 20 – vjeçare në mënyrë që mos kemi të bëjmë me një tekë të moshës, por me një dëshirë të vendosur.

Sa i rëndësishëm është vendi apo struktura ku kryhet ndërhyrja plastike?

Vendi është shumë i rëndësishëm. Mund të them që është ndër faktorët më të rëndësishëm bashkë me zgjedhjen e mjekut. Flitet shumë shpesh për deformime, për raste fatale të kirurgjisë plastike vetëm për faktin se janë zhvilluar në vende të cilat nuk janë të lejuara që të zhvillohen këto lloj operacionesh. Për fat të keq në vendin tonë nuk ka një ligj fiks në lidhje me këtë fushë. Normalisht operacionet plastike që zhvillohen me anestezi të plotë duhet të zhvillohen vetëm  në kushte spitalore dhe jo në kushte të zyrës apo të apartamentit siç po dëgjojmë çdo ditë. Në Brazil flitej për një rast përpara disa vitesh për një ndërhyrje që fatkeqësisht çoi në humbjen e jetës vetëm sepse ndërhyrja ishte zhvilluar në kushte jo sterile. Kushtet dhe akreditimi i institucionit për të kryer operacionet plastike është shumë i rëndësishëm.

A ka patur raste që është rrezikuar jeta e pacientit në Shqipëri duke e lidhur me vendin ku është zhvilluar operacioni?

Anestezia gjenerale në vetvete përbën një lloj rreziku. Për fat të mirë nuk kemi patur raste të tilla, pasi kemi bërë shumë kujdes për përzgjedhjen e pacientit.

Botoxi ka efekte anësore dhe në çfarë moshe këshillohet të kryhet?

Botoxi është një ilaç që paralizon pjesërisht muskujt. Një moshë fikse për botox – in nuk ka, sepse varet se sa shpejt janë krijuar rrudhat e para. Pra moshë fikse të prerë më thikë nuk ka, por zakonisht pas moshës 30 vjeçare botoxi mund të kryhet. Botoxi është një ilaç magjik i cili i zhduk rrudhat, por vetëm se duhet përsëritur herë pas here. Ka një kohëzgjatje të përcaktuar dhe duhet ta përsërisësh, pasi nëse nuk e përsërit nuk do të thotë që bëhemi më keq, por do të kthehet sërish në gjendjen fillestare.

Sa herë duhet të përsëritet?

Botoxi vitin e parë duhet bërë 3 herë dhe pastaj fillon e bëhet 2 herë në vit. Në qoftë se e ndërpret, pra nuk e bën më nuk sjell asnjë lloj problemi thjeshtë vazhdojnë rrudhat atje ku kanë mbetur. Në përgjithësi nëse botoxi fillon në moshën 32 – 33 vjeçare pacientet tona e përdorin diku te deri 50 vjeç pa asnjë lloj problemi. Ky ilaç është përdorur që prej viteve ’90 dhe nuk ka efektë anësore në qoftë se përdoret në duar të sigurta. Në qoftë se zhvillohet në duar të pa përgatitura, pra nga një estetist apo një person i cili nuk e njeh mirë anatominë e fytyrës mund të ketë probleme të mëdha siç mund të jenë për shembull, prekja e muskujve në qoftë se kryhet në zonën rreth syrit, prekja e muskujve që ngrenë buzën dhe rënie poshtë e buzës, mund të ndodhë rënie poshtë e kapakut të syrit të cilin nuk mund të mos e ngresh. Botoksi duhet injektuar në vendin e duhur, për të mos patur të tilla rreziqe.

Ndërkohë në Shqipëri ka ardhur në rritje numri i femrave të cilat janë të intersuara për të kryer të tilla ndërhyrje?

Po ka ardhur shumë në rritje. Më përpara shihej si tabu dhe shumë gra në një moshë të caktuar nuk ia lejonin vetes ta mendonin një gjë të tillë ndërsa tani edhe përse janë mbi një moshë të caktuar drejtohen tek ne jo vetëm për operacionet, por edhe për metodat minimale invazive siç është botoxi i cili mund të kryhet në zyrë dhe nuk ka nevojë për sallë operacioni.

Po silikoni është i rrezikshëm, duke qenë se përdoret në masë?

Silikoni është i rrezikshëm në qoftë se injektohet. Silikoni i injektueshëm, silikon të cilin po e shohim te shumë vajza dhe gra që mbushin buzët mund të kriojë atë që ne e quajmë gramuloma, i cili është një reaksion ndaj silikonit duke krijuar një pamje si me topa – topa apo kokrra – kokrra. Duhet patur shumë kujdes në rastin e injektimit të silikonit. Ne pothuajse e kemi braktisur plotësisht injektimin e silikonit ndërsa në plot vende të tjera vazhdon të aplikohet. Ndërsa përsa i përket vendosjes së protezave në gjoks ato absolutisht nuk janë të rrezikshme dhe nuk kanë lidhje me kancerin e gjirit, pasi është diçka që është provuar. Protezat e silikonit janë përjashta silikon dhe brenda silikon. Silikoni që kanë brenda ka një trashësi të caktuar që është shumë modern që ka një veti shumë të mirë që edhe nëse e pret me thikë nuk derdhet domethënë edhe nëse X person pëson një traumë, shpim ose një aksident silikoni nuk ngatërrohet më pjesë të tjera të trupit. Ajo pjesa që keni dëgjuar që ju ça silikoni në avion janë thjeshtë legjenda, nuk është e vërtetë.

Domethenë nuk ndodh që silikoni të plasë?

Silikoni që përdoret tani për tani nuk ndodh që të plasë, por më përpara janë përdorur proteza silikoni të cilat ishin të mbushura me salin brenda (një lëng) dhe në qoftë se ajo plas atëherë përhapet silikoni.

Cilat janë anët negative dhe pozitive të silikonit?

Janë kryer shumë studime shkencore lidhur me këtë. Është vëne re që shumë gra të cilat vendosin proteza silikoni dhe zmadhojnë gjoksin jo vetëm që iu rritet vetëbesimi, por iu rritet shumë edhe mënyra dhe kujdesi që ato tregojnë për vetëveten. Gjithashtu dhe mënyra se si flasin në publik fillon të  ndryshojë, pasi ato fillojnë të delirojnë dhe të ndihen mirë me veten. Ky është një efekt pozitiv i lidhur drejtëpërdrejtë me gjoksin, sepse gjoksi është një tipar shumë sensual i femrës dhe kjo nuk diskutohet. Përsa i përket efekteve negative të silikonit në disa lloj rastesh është formimi i kapsulës që ka të bëjë me një reagim të trupit ndaj silikonit i cili ndodh në raste të rralla, pra jo gjithmonë ndërsa me silikonin me proteza moderne kjo ndodh gjitmonë e më pak, por përsëri mund të ndodhë. Ky reagim i trupit bëhet si shtresë rreth silikonit dhe vazhdon e shtrëngon protezën dhe në disa raste mund të duket dhe nga përjashta siç ka ndodhur në rastin e Victoria Becham që ka vënë proteza dhe më përpara ku dallohej menjëherë kufiri midis protezës dhe indit. Kjo ndodh tek një përqindje e vogël e grave.

Cilat janë ndryshimet mes ndërhyrjes plastike dhe asaj estetike?

Ndërhyrjet e kirurgjisë plastike synojnë që të rregullojnë një deformim të lindur apo të fituar nga një aksident dhe synon të rikonstruktojë indin në mënyrën më natyrale që të jetë e mundur, për t’u dukur sa më pak deformimi. Ndërsa me ndërhyjet estetike nuk kemi të bëjmë me një pacient, por kemi të bëjmë me një person i cili është i shëndetshëm por që nuk i pëlqen një pjesë e fizikut të tij/saj. Kirurgjia estetike dhe rikonstruktive janë shumë të lidhura bashkë dhe nuk mund të kuptohet njëra pa tjetrën.

Liposkulptura, (heqja e dhjamit) a krijon efekte anësore në momentin që kryhen ndërhyrje?

Liposkulptura është kombinim i Liposuksion (heqja) me Lipofilling (mbushja). Liposuksion është heqja e dhjamit me anë të shufrave në bark ndërsa lipofilling është vendosja e dhjamit në vendet të cilat kanë nevojë për mbushje. Duhet theksuar se liposuksioni nuk është një ndërhyrje që bëhet për t’u dobësuar, por shërben për rikonturimin e trupit. Për shembull ndodh që një paciente ka peshë të rregullt të trupit, por ndodh që ka tepricë në bark, në ije apo vithe, pra duhet kuptuar sensi i kryerjes së këtij operacioni. Në qoftë se njihet mirë fiziologjia e trupit atëherë liposuksioni ka një sadisfaksion shumë të lartë dhe një rrezikshmëri shumë të ulët. Në qoftë se tentohet të hiqet një sasi shumë  – shumë e madhe e dhjamit tek pacientja atëherë ndodh të prishet fiziologjia e trupit, duke sjell rreziqe të larta për jetën. Është shumë e rëndësishme që pacientja të kuptojë që liposuksioni nuk shërben për t’u dobësuar, por për të hequr një tepricë të trupit. Deri në rastet që heqim tre litra dhjamë në trup me anë të liposuksionit jemi në rregull ndërsa nëse kjo masë vazhdon të teprohet i hapen dyert për rreziqe drastike. Në momentin që heqim dhjamin në një pjesë të trupit nuk ka më nevojë që të kryhet liposuksioni, sepse dhjami ka një farë memorie. Pra nëse bëjmë ndërhyrje në kurriz aty nuk do të ketë më shfaqje të dhjamit. Dhjami i hequr nuk kthehet më mbrapsht vetëm në rast se është hequr pjesërisht.

Ndodh që pacientët të humbin jetën nga Liposkulptura?

Po, ka raste që kanë humbur jetën pacientë që i janë nënshtruar kësaj ndërhyrje. Për fat të mirë ne nuk kemi patur raste të tilla, por në literaturë ekzistojnë të tilla raste për shkak të embolive të dhjamit ose kur pacientët synojnë të dobësohen me anë të liposuksionit.

A duhet që çdo mjek Dermatolog të kryejë ndërhyrje buzësh apo faqesh?

Disa mjek Dermatolog janë të liçensuar për të kryer mbushje kozmetike, botoks apo procedurat minimale invazive. Në Shqipëri ende nuk ekziston kirurgjia dermatologjike e cila synon heqjen e tumoreve të lëkurës. Kirurgjinë e lëkurës e kryen kirurgjia plastike. Në qoftë se një mjek Dermatolog nuk është i liçensuar për të krye të tilla ndërhyrje atëherë mund të kanoset rreziqe të mëdha jo vetëm për pacientin, por edhe për mjekun pasi veç të tjerash mund të rrezikojë dhe heqje të liçensës.

A është normale që nëpër parukeri të ndryshme në kryeqytet të kryhen ndërhyrje si për shembull mbushje buzësh?

Nuk është fare normale. Në momentin që ndodh një problem në një rast të tillë atëherë e kupton se sa keq është të kryesh mbushjen e buzëve apo të faqeve në parukeri. Një person që nuk ka njohuri bazë mbi atë që të injekton apo që edhe emrin nuk ia di mirë në shumicën e rasteve është shumë e gabuar që të kryejë këtë ndërhyrje. Unë habitem me guximin e atyre grave dhe vajzave që marrin përsipër të tilla situata. Ligjërisht nuk duhet lejuar dhe duhet rregulluar një orë e më parë, sepse përndryshe mund të ketë raste fatale.

Dr. Rezarta cila është këshilla juaj si mjeke Kirurge – Plastike?

Si një mjeke Kirurge – Plastike unë do të ftoja gjithëknd që ka zgjedhur të kryejë një ndërhyrje kozmetike apo estetike, qoftë kirurgjikale apo me metoda invazive që të kërkojë sa më shumë të dhëna mbi mjekun që do të kryejë ndërhyrjen. Të marrë sa më shumë të dhëna mbi të, pasi kirurgjia plastike kërkon një specializim të veçantë, si dhe super specializime.

Intervistoi: Vilma Kërçiku (TV Klan)

SHKARKO APP