Efektet e marijuanës në trurin e të rinjve zvogëlohen 72 orë pas përdorimit
Marijuana është e njohur për ngadalësimin e funksioneve të njohjes si mësimi, kujtesa, vëmendja. Por sipas studimeve të reja tek të rinjtë këto efekte të njohjes, edhe pse të rëndësishme, nuk vazhdojnë për shumë kohë, madje edhe në mesin e përdoruesve kronikë, raporton CNN.
Meta-analiza, e botuar të mërkurën në revistën JAMA Psychiatry, ka marrë në shqyrtim të dhëna nga 69 studime të mëparshme që merren me efektet e përdorimit të kanabisit tek funksionet e njohjes tek adoleshentët dhe të rinjtë.
Nga të dhënat rezuloi se të rinjtë e identifikuar si përdorues të mëdhenj të marijuanës shënuan nivele të ulëta ndjeshëm krahasuar me jopërdoruesit, në fusha të tilla si të mësuarit, shpërqëndrimi, shpejtësia e përpunimit, kujtesa e vonuar, frenimi dhe vëmendja.
“Kemi analizuar gjithçka, nga të mësuarit dhe kujtesa, e deri te aspektet e tjera të funksioneve ekzekutive si aftësia për t’u shpërqëndruar.
Kryesisht kemi parë se efektet më të mëdha, që përbënin rreth një të tretën e dejivimeve nga standardi, ishin te të mësuarit e informacioneve të reja dhe disa aspekte të funksioneve ekzekutive, kujtesës apo shpejtësisë së përpunimit të informacion,”– tha Cobb Scott, asistent profesor i psikiatrisë në Shkollën Perelman të Mjekësisë në Universitetin e Pensilvanisë dhe një autor kryesor i studimit.
Por, kur hulumtuesit i ndanë studimet mbi bazën e kohëzgjatjes së rezistimit ndaj përdorimit të marijuanës, diferenca në funksionet njohëse mes përdoruesve të marijuanës dhe jopërdoruesve nuk bëhej më e dukshme pas thuajse 72 orësh heqje dorë nga marijuana.
“Kjo mund të jetë një e dhënë se disa prej efekteve të gjetura në studimet e kaluara mund të jenë për shkak të efekteve të mbetura të kanabisit, ose potencialisht nga efektet e tërheqjes, te përdoruesit e sasive të mëdha të kanabisit,”- tha Scott.