Endri Thanasaj, “Fizioterapia, evoluimi në shërbimin privat dhe mangësitë në publik”

60  pacientë drejtohen çdo ditë në dyert e shërbimit të Fizioterapisë pranë Qendrës Universitare Spitalore “Nënë Tereza”. Mungesa e aparaturave dhe pamundësia për të ofruar një shërbim cilësor, drejton në dyert e klinikave private po kaq, apo më shumë pacientë, që duan një shërbim cilësor dhe rikuperim të shpejtë të lëvizshmërisë. Fizioterapia konsiderohet një shkencë e re në shëndetësinë shqiptare, por kjo nuk i ka penguar klinikat private të avancojnë jo vetëm në ofrimin e një shërbimi cilësor, por edhe në implementimin e teknikave të reja, duke u renditur kështu përkrah klinikave të specializuara europiane. Kjo i bën pacientët që kanë nevojë për fizioterapi të zgjedhin shërbimin privat dhe jo atë publik, i cili duket ende larg ofrimit të një trajtimi cilësor. Fizioterapisti Endri Thanasaj na tregon se sa e rëndësishme është fizioterapia për një pacient, i cili vuan nga dhimbjet kronike, ka pësuar një traumë, apo edhe ata që kanë kryer intervente kirurgjikale. Thanasaj, i cili e ndan ditën mes punës me pacientët në spitalin universitar dhe atyre në klinikën e specializuar të fizioterapisë “Kloen”, tregon mbi evoluimi e këtij shërbimi të ri në sektorin privat dhe mangësitë që vazhdojnë të shoqërojnë sektorin publik.

Sa e rëndësishme është fizioterapia për trajtimin e një patologjie? 
Fizioterapia është e rëndësishme në trajtimin e disa patologjive neurologjike, ortopedike, reumatologjikë, dëmtimet sportive si dhe traumat e ndryshme. Fizioterapia bën të mundur riaftësimin e pacientit duke i rikthyer atij lëvizshmërinë. Në disa raste kombinimi i medikamenteve me fizoterapinë krijon kushtet për rifatësim të shpejtë dhe total të pacientit. Por, kur sëmundja kapet në faza të hershme pacienti mund të riaftësohet totalish vetëm me anë të fizoterapisë pa qenë nevoja e përdorimit të medikamenteve. Një rëndësi të madhe fizioterapia ka edhe në rehabilitimin post-operator të pacientëve.

Cilat janë ato patologji që kanë nevojë për fizioterapi? 
Pothuajse 100 % e patologjive ortopedike kanë nevojë të trajtohen me fizioterapi. Do të përmendja bursitet, frakturat, problemet e meniskut, problemet e legamenteve të gjurit, etj.. Po ashtu edhe 60 % e patologjive neurologjike si diskopatitë cervikale e lombare, herniet diskale cervikale e lombare, hemipareza duhet të trajtohen me fizioterapi. Fizioterapia ka një ndikim të mirë edhe në shërimin e disa prej patologjive reumatologjike, si artrosa e gjurit, apo artritet.

 

Mjeksia çdo vit sjell risi në trajtimin e pacientëve, po në fushën e fizioterapisë si ka ecur? A kemi teknika të reja? 
Një profesionist i mirë duhet të jetë vazhdimisht në kontakt me të rejat që vijnë në fushën e tij. Në mjekësi, nevoja për të përditësuar dijet, qoftë në risite terepeutike për trajtimin e pacientit, apo edhe në ato teknologjike është një domosdoshmëri. Edhe fizioterapia, si shkencë ka risitë e saj, qoftë në teknikat të trajtimt të pacientëve, por edhe në teknologji. Tecar Terapia është një prej aparaturave të fundit, që po bën revolucion në fushën e fizioterapisë. Ajo është e re në shumë vende të botës dhe akoma më e re në Shqipëri. E them këtë, sepse ne vendin tonë janë të pakta klinikat private që e kanë dhe e përdorin këtë aparaturë në trajtimin e pacientëve.

 
Po në qendrën tuaj ofrohen këto teknika? Cili është ndryshimi mes një pacienti që i nënshtrohet këtij procesi dhe një tjetri që nuk e kryen atë? 
Qendra e fizioterapisë “Kloen” është ndër të paktat që ofron për pacientët e saj Tecar Terapinë. Shumica e klinikave në vendin tonë ofrojnë trajtime me terapi fizike si elektroterapi, terapi me ultratinguj, magnetoterapi, apo lazer terapi të cilat shërbejnë për riaftësimin e pacientit. Ndryshimi mes Tecar Terapisë dhe përdorimit të këtyre terapive është shumë i madh. Nëse do të merrnim dy pacientë me të njëtën diagnozë dhe njërin do ta trajtonim me Tecar Terapi dhe tjetrin me terapi alternative do të shikonim se riaftësimi i pacientit që do të përdorë Tecar terapi do të jetë më i shpejtë në kohë. Nëse me anë të terapive fizike si ultratingulli, magneto, lazeri etj., pacientit do t’i duheshin rreth 15 seanca për të pasur një përmirësim rreth 80 – 100 %, me anë të Tecar Terapisë duhen 7 deri  në 10 seanca për të pasur një përmiresim 80 – 100 %. Në ditët e sotme rikthimi i lëvizshmërisë dhe jetës normale në një kohë të shkurtër është kërkesa e parë e pacientëve dhe Tecar terapi e bën të mundur këtë. Kjo aparaturë e fjalës së fundit në shërbimin e fizioterapisë bën të mundur heqjen e inflamacionit në zonën që përdoret, si dhe zhduk totalisht dhimbjen. Një e mirë tjetër e përdorimit të kësaj terapie të re është se ajo nuk ka kundërindikime në patologji të ndryshme siç mund të kenë terapitë e tjera.

Pacientët mund ta marrin këtë shërbim dhe në sektorin publik, por a i ka të gjitha kapacitetet ky shërbim? Ku mendoni se ka nevojë për investim? 

Shërbimi i fizioterapisë është i ri jo vetëm për klinikat private, por edhe për shërbimin publik. Aktualisht ky shërbim ofrohet me kohë të plotë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza , por edhe në disa prej poliklinikave në kryeqytet. Mesatarisht gjatë një dite në shërbimin spitalor, trajtohen deri në 60 pacientë me probleme të ndryshme, nga ato ortopedike, reumatologjike, apo neurologjike. Pavarësisht dëshirë së stafit të fizioterapistëve për të ofruar shërbim maksimal për pacientët që zgjedhin sistemin publik, në shumë raste trajtimi është i vështirë për të mos thënë i pamundur. Kjo vjen si pasojë e mungesës së shumë aparaturave që janë dosmosdoshmëri për funksionimin e këtij shërbimi. Mendoj se ky sektor ka nevojë për shumë investime që të rritet edhe cilësia e shërbimit, në mënyrë që pacientët të kthehen sa më shpejt në jetën normale.

 

Gazeta "Koha Jone"

SHKARKO APP