Erjona Shehu: Problemet e lëkurës nuk zgjidhen në kafene
Problemet e lëkurës janë ndoshta ndër më të parrezikshmit për jetën, por janë maksimalisht bezdisëse. Na e lë plazhi ndonjë dhuratë të shëmtuar pasi largohemi, siç mund të jenë njollat kafe, apo rrjepja e lëkurës. Nga vera e nxehtë nis përballja me uljen e temperaturave dhe probleme të tjera nisin të shfaqen. Dermatologia Erjona Shehu ka sqaruar për tiranapost.al se cilat janë problematikat kryesore të kësaj periudhe, çfarë na pret dhe çfarë këshillohet të bëhet. Pika kryesore është kontakti me mjekun dhe mosbesimi ndaj sugjerimeve te miqtë që nuk kanë ekspertizën e duhur. As Google-it nuk duhet t`i besoni kur vjen fjala për lëkurën.
Cilat janë problemet kryesore që i shfaqen lëkurës këtë sezon?
Problemet kryesore janë: njollat kafe dhe tharja e lëkurës nga ekspozimi i pakujdesshëm në diell, dalja në pah e mykrave të lëkurës dhe dermatitet në moshat pediatrike. Janë që të gjitha probleme të zgjidhshme, por që kërkojnë ndihmën e dermatologut.
Po për dëmtimet e plazhit çfarë mund të bëhet?
Kur flasim për njollat kafe duhet të kemi parasysh që krijohen shpejt, por duan shumë punë për t`u hequr. Fillimisht dermatologu rekomandon produkte farmaceutike që përdoren në kushtet e shtëpisë. Pasi përgatitet lëkura me to mund të bëhen seancat e procedurës që quhet “peeling” në ambientet e klinikës ose procedura si “dermapen” apo “mikrodermoabrazion”.
Rrjepja e lëkurës në këtë periudhë, pas plazhit është diçka e njohur. Çfarë duhet të aplikohet për ta lehtësuar atë?
Nëqoftëse rrjepja shoqërohet me kruajtje apo djegie rekomandohen medikamente në trajtë kremrash dhe mjekime nga goja. Nëqoftëse flasim për një ngjyrim të çrregullt të lëkurës, rekomandohet “scrub” per trupin, i cili realizohet në kushtet e shtëpisë.
Cilat mund të jenë disa nga pasojat e uljes së menjëhershme të temperaturave?
E menjëhershme është Dermatiti atopik, që më së shumti haset në moshat e vogla, apo acarime dhe ekzema tek më të rriturit. Por edhe aknet mund të acarohen si pasojë e ndryshimeve ekstreme të temperaturave.
Kur mund të quhet një situatë alarmante, pas së cilës është i nevojshëm takimi me mjekun dermatolog?
Çdo ndryshim në lëkurë kërkon të konsultohet me mjekun dermatolog. Lëkura është një organ si të gjitha organet e tjera të trupit dhe ndryshimet në të kërkojnë ndërhyrjen e mjekut. Nuk mund të zgjidhen as me thashetheme mjeksore kafenesh dhe as me kërkime në Google.
Përgatitja e lëkurës për dimër çfarë përfshin?
Lyerjen me kremra hidratues dhe zbutës, shmangien e dusheve dhe larjes së fytyrës me ujë të nxehtë, shmangien e avullit dhe kalimit nga temperatura ekstremisht të ftohta në të nxehta dhe anasjelltas.
Zonat e trupit më të rrezikuara nga i ftohti?
Mbeten zonat më të ekspozuara që janë fytyra dhe duart.
Po kremrat e reja që sugjerohen për përdorim cilat janë?
Kremra farmaceutike në përqindje të lartë zbutësi apo emolienti dhe me përmbajtje të lartë hidrike. Përzgjedhja e tyre bëhet pasi është realizuar një takim me mjekun dermatolog, i cili ka bërë përcaktimin e tipit të lëkurës dhe evidenton specifikat e saj.
Çfarë këshillohet për fëmijët e vegjël?
Këshillohet të vishen lehtë, në pambuk dhe lyerja me kremra pediatrike brenda 3 minutave të para, pas fshirjes me peshqir.
Çfarë kremrash sugjerohen për fëmijët e vegjël?
Linja farmaceutike të cilat për fat të mirë mund t’i gjejmë në farmacitë tona.
A këshillohet të ndiqen recetat e gatshme të përzierjeve që sugjerohen në artikuj të ndryshëm në internet?
Jo e prerë! Nuk rekomandohet asnjë gjë për të cilën nuk je konsultuar më parë me mjekun!/Tiranapost.al/