Erozioni dentar, simptomat dhe trajtimi
Nga Dr. Keltona Ziu
Smalti është pjesa e jashtme e dhëmbëve, kutikula mbrojtëse e të gjithë shtresës dentare. Është ndryshe dhe pjesa ose indi më i fortë që gjendet në trupin e njeriut. Ndryshe nga sa mendohet që zmalti ka ngjyrë të bardhë, smalti është transparent dhe ngjyrën që ka ia dedikon shtresës së dentinës që ndodhet poshtë tij. Është pak a shumë i krahasuar me mbulesën e vezës që mbron të gjithë indin e vet brenda saj, por shumë herë më i fortë se sa mburoja e vezës. Mund të durojë x vite me radhë fortësinë e përtypjes dhe kafshimin e gjërave të forta.
Funksioni i smaltit të dhëmbëve siç e thamë dhe më lart, është mbrojtja e indeve të buta të dhëmbëve. Nqs smalti dëmtohet do të fillojmë të ndiejmë të gjithë stimujt e jashtëm si të ngrohtin, të ftohtin, të ëmblën dhe të thartën. Të gjitha këto stimuj nëpërmjet njollave të dëmtuara të smaltit depërtojnë nëpër kanalezat e dentinës direkt e në nervin dent duke na dhënë dhimbje.
Shkaktarët
Erozionin e zmaltit e shkakton çfarëdolloj ushqimi me acid ose pH me të vogël se 5.5. Pijet energjike, frutat me përmbajtje të lartë aciditeti dhe sidomos vera e kuqe (një nga ushqimet kryesore që dëmton smaltin). Sa herë që ne hamë diçka me përmbajtje acide, copëza të vogla smalti largohen nga sipërfaqja e dhëmbëve tanë. Degustuesit e verave janë një nga subjektet kryesore të ekspozuar në sajë të erozionit të smaltit. Njerëzit bulimik, nga të vjellat e shpeshta kanë tërë kohën mjedis acid në gojë duke e ekspozuar sipërfaqen e dhëmbëve ndaj një ambienti acid. Njerëzit me refluks gastro-esafogal gjithashtu janë të prirur ndaj kësaj gjendje. Individët që konsumojnë tepër dhe shpesh alkool, njerëzit me hernie esofageale.
Klinika
Shenjat e zmaltit të dëmtuar fillojnë duke i bërë dhëmbët të ndjeshëm, në fillim ndaj gjërave të ftohta pastaj ndaj të gjithë stimujve termik ose të ëmbël ose të thartë pas ndjeshmërisë që vjen nga tejçimi i këtyre stimujve nga dentina në nervin dentar, vjen dhe dhimbja, që sjell si pasojë heqjen e nervit ose ‘’ekstirpimin’’ e thënë në gjuhën dentare. Tek shkaqet që shkaktojnë erozionin e smaltit duhet përmendur dhe thatësira e gojës ose sëmundjet që mjekohen me ilaçe që ulin sasinë e pështymës, pështyma është një nga elementët kryesorë që asnjanëson pH acid në gojë. Sa më shumë pështymë aq më pak prishje të dhëmbëve. Një nga arsyet e tjera është edhe sëmundja e bruksizmit ose kërcëllitja e dhëmbëve, fërkimi i dhëmbëve me njëri tjetrin në mënyrë të pavetëdijshme duke prishur tërësinë e smaltit. Zakonisht këtyre personave u këshillohet një maskë mbrojtëse e personalizuar sipas formës së dhëmbëve e bërë në laborator. Kjo maskë duhet mbajtur të paktën natën, pasi natën është dhe më e shpeshtë dhe më e fortë kërcëllitja.
Parandalimi
Kufizoni produktet acidike dhe pijet e gazuara gjatë vakteve ushqimore për të reduktuar sulme acidi mbi dhëmbët tuaj. Pijet duhet të pihen shpejt pa i mbajtur gjatë në gojën tuaj ose përdorni një pipëz për të ndihmuar pijet të kalojnë në pjesën e pasme të gojës dhe mënjanuar kontaktin e gjatë me dhëmbët tuaj. Përfundoni vaktin me djathë ose qumësht pasi kjo do të ndihmojë të neutralizojë aciditetin. Përtypni çamçakëz pa sheqer pas ngrënies për të ndihmuar në prodhimin e sa më shumë pështyme, për të eliminuar acidet që formohen në gojën tuaj pas ngrënies. Prisni të paktën një orë pasi keni ngrënë apo pirë diçka acide para se të lani dhëmbët tuaj. Kjo i jep kohë dhëmbëve tuaj të rindërtojnë përmbajtjen e tyre.
Trajtimi
Trajtimi varet kryesisht nga shkaku i dëmtimit të smaltit. Shpesh duke hequr shkaktarin siç mund të jetë përdorimi i furçës shumë të fortë, apo forca me të cilën lahen dhëmbët mjafton për të reduktuar avancimin e erozionit. Ndonjëherë kjo nuk është e mundur prandaj një mbushje në vendin e konsumuar mund të jetë e mjaftueshme për të mbrojtur dhëmbin dhe për të rikuperuar estetikën. Nëse smalti është dëmtuar shumë, atëherë mund të këshillohet veshja me këllëf për ta mbrojtur atë nga dëmtimet e mëtejshme.