Gjoksi në mamogram, pastaj në instagram!

Mjekësia dhe teknika po avancojnë, por po avancojnë edhe tumoret në paparashikueshmërinë, agresivitetin dhe rezistueshmërinë e tyre. As mamografia nuk është metodë e përsosur as sipas dëmshmërisë së vet, as sipas dobishmërisë. Mirëpo dëmshmëria e saj, natyrisht, me aplikimin e drejtë, është shumë e vogël në krahasim me dobishmërinë.

Shkaktari i vërtetë dhe unik i cilitdo kancer, pra edhe të kancerit të gjirit, nuk është i njohur mjaftueshëm që të mund të pengojmë shfaqjen e kancerit.

Ajo që mund të bëjmë është që ta zbulojmë mjaft herët derisa të mos jetë i përhapur nëpër trup.

Edhe pse madhësia e kancerit nuk është faktor i vetëm i rëndësishëm i diagnostikimit të kancerit, në onkologji akoma vlen sintagma “Sa më i vogël, aq më mirë”.

Te kanceri i gjirit fatmirësisht ekziston metoda me të cilën kanceri në shumicën e rasteve (më shumë se 80%) mund të zbulohet në fazën fillestare derisa sëmundja është akoma e lokalizuar në gji.

Shoqata Amerikane e Kancerit, rekomandon që gratë të kryejnë kontrolle të rregullta mamografike një herë në vit, pas moshës 40-vjeçare.

Nëse keni nevojë për skrining mamografik, këtë e vendosni ju dhe mjeku juaj. Nëse jeni mbi moshën 40- vjeçare, konsultohuni me mjekun tuaj në mënyrë që t’ju informojë se kur duhet të filloni të kryeni.

Skriningu mamografik nënkupton regjistrimin e dy gjinjve në dy pozicione të ndryshme: nga poshtë –lart dhe nga njëra anë drejt anës tjetër.

Tek rezultatet e mamografisë, indi i gjirit shfaqet me ngjyrë të bardhë dhe të paqartë, ndërsa indi yndyror është i errët dhe transparent.

 

SHKARKO APP