Glaukoma, faktorët që çojnë në verbërim

Glaukoma mund të prekë këdo dhe pacienti mund të trajtohet, por jo të shërohet prej saj.  Bluzat e bardha vënë në dukje se është shumë e rëndësishme që të gjithë t’i nënshtrohen vizitave okulistike periodike, sidomos pas moshës 40 vjeç, madje edhe nëse nuk ka simptoma.

Sipas ekspertëve të shëndetit publik, glaukoma përfshin një grup sëmundjesh të syrit që shkaktojnë dëmtim të vazhdueshëm të nervit optik, në pikën ku ai lejon syrin të transportojë informacionin vizual në tru. Nëse lihet pa trajtuar, shumë tipe të glaukomës zhvillohen (pa paralajmëruar simptoma të dukshme tek pacienti), duke çuar në përkeqësim gradual të shikimit, gjendje e cila mund të vijojë deri në verbim të plotë nëse vonohet marrja e kujdesit të duhur mjekësor që në stadet më të hershme.

Për sa kohë që nuk trajtohen, dëmtimi i shikimit është përgjithësisht i pakthyeshëm, prandaj shpesh glaukoma përshkruhet si “sëmundje e heshtur e verbërisë”, ose si “hajdute e qetë e shikimit”. Glaukoma është shkaku i dytë më i zakonshëm për verbërinë në mbarë botën.

Është e rëndësishme të dihet se, falë progresit të heshtur të kësaj sëmundjeje, të paktën në stadet e hershme, deri në 50 për qind e personave të prekur në vendet e zhvilluara nuk janë të ndërgjegjshëm nëse janë të prekur nga glaukoma apo jo. Ky numër mund të rritet deri në 90 për qind në vendet e pazhvilluara të botës. Ndaj në fushatat e shumta të ndërgjegjësimit që zhvillohen në këto vende, theksi vihet të domosdoshmëria e kontrolleve të hershme të problemeve të shikimit.


Llojet e glaukomës  

Ka disa tipe të glaukomës. Disa mund të ndodhin si një komplikim i çrregullimeve të tjera të shikimit (të ashtuquajturat glaukomat “sekondare”, teksa shumica janë “primare” dhe ndodhin pa ndonjë shkak të njohur.

Dikur besohej se shkaku i shumë, ose i të gjitha glaukomave ishte presioni i lartë i gjakut në sy, i njohur si presioni intrakular (IOP). Tashmë është vënë re se edhe njerëzit pa probleme të presionit të lartë të gjakut në sy mund të vuajnë nga glaukoma.

Sot, presioni intrakular (IOP) konsiderohet si një “faktor rreziku” për glaukomën, së bashku me faktorë të tjerë si origjina raciale, historia e familjes, miopia e lartë dhe mosha.

Rastet kur ndodhin

Disa forma të glaukomës mund të ndodhin gjatë lindjes (kongenitale), ose gjatë infantilitetit dhe fëmijërisë. Megjithatë, në shumë raste, glaukoma shfaqet pas dekadës së 4-t të jetës, dhe frekuenca e saj rritet me rritjen e moshës. Nuk ka ndonjë ndryshim të përcaktuar qartë në incidencën e glaukomës midis burrave dhe grave.

Tipet më të zakonshme të glaukomës tek të rriturit janë “Glaukoma Primare me Kënd të Hapur”(POAG), dhe “Glaukoma me Kënd të Mbyllur” (ACG), e cila është më e përhapur në pacientët e gjeneratave në Azi. Glaukoma me Kënd të Mbyllur është shpesh kronike, ndërsa forma tjetër mund të jetë edhe akute, ku zakonisht është prezente si një gjendje e dhimbshme okulare që çon në humbje të shpejtë të shikimit.

 Rëndësia e trajtimit të hershëm

Nuk ka ende asnjë kurë për glaukomën dhe humbja e shikimit është e pakthyeshme. Megjithatë, mjekimi, ose operacioni (tradicional ose me lazer) mund të ndalojnë, ose të ulin ritmin e humbjes së mëtejshme të shikimit. Prandaj konstatimi i hershëm është esencial në limitimin e dëmtimit të të parit dhe parandalimin e ecurisë drejt dëmeve të rënda të shikimit, apo edhe humbjes së tij.


Përcaktimi i Glaukomës

Glaukoma mund të konsiderohet si një grup sëmundjesh që përfundon me një neuropati optike që është e përcaktuar nga ndryshime strukturore dhe deficite funksionale. Kuptimi mjekësor i natyrës së glaukomës ka ndryshuar rrënjësisht në vitet e fundit, dhe një përcaktim i kompletuar dhe një kriter diagnostik duhet ende të finalizohen.

Numri i personave të vlerësuar me probleme të glaukomës fillestare është 4.5 milionë, që përllogaritet afërsisht me 12për qind  të gjithë popullsisë me probleme të shikimit. Shpeshtësia e glaukomave me kënd të hapur rritet me rritjen në moshë, dhe progresioni i saj është më i shpeshtë në popullsinë afrikane. Glaukoma me kënd të mbyllur është një formë e zakonshme në popullsinë aziatike.

Parandalimi dhe Trajtimi

Njohuritë për parandalimin dhe trajtimin e glaukomës janë të pakta në popullatë. Megjithatë ka metoda efektive të trajtimit mjekësor dhe operator nëse sëmundja diagnostikohet në stadet e hershme. Përmes trajtimit të duhur mund të ruhet shikimi, në të kundërt përkeqësimi i kushteve mund të çojë në kufizime të rënda të fushës së shikimit dhe verbëri të pakthyeshme.

Kategoritë që rrezikojnë më tepër nga kjo sëmundje

Glaukoma mund të prekë këdo dhe pacienti mund të trajtohet, por jo të shërohet prej saj. Mënyra e vetme për të parandaluar humbjen e shikimit është diagnostikimi i hershëm i sëmundjes dhe trajtimi i saj. Prandaj është shumë e rëndësishme që të gjithë t’i nënshtrohen vizitave okulistike periodike (sidomos pas moshës 40 vjeç), madje edhe nëse nuk ka simptoma.

Faktorët që përshpejtojnë shfaqjen e sëmundjes

  1. Mosha (veçanërisht mbi 35 vjeç).
  2. Faktorët gjenetikë (histori familjare e glaukomës).
  3. Diabeti.
  4. Anemia.
  5. Tensioni i lartë ose i ulët i gjakut (HTA).
  6. Miopia e lartë.
  7. Hipermetropia e lartë.
  8. Migrena.
  9. Përdorimi i kortikosteroideve për periudha të gjata.
  10. Dëmtimet fizike në sy

SHKARKO APP