Goditjet në tru, dyfishojnë rrezikun e demencës

Pësimi i një goditjeje në tru mund të dyfishojë rrezikun për t’u prekur nga demenca, thonë disa shkencëtarë, të cilë bëjnë thirrje për më shumë përpjekje në promovimin e stileve të shëndetshme të jetesës, në mënyrë që të reduktohen mundësitë për një goditje të tillë.

“Kemi zbuluar se një përjetim goditjeje rrit rrezikun e demencës me rreth 70 për qind, ndërsa rastet e fundit tregojnë se ky rrezik është dyfishuar apo edhe më shumë”, shprehet Dr. Ilianna Lourida nga Shkolla e Mjekësisë së Universitetit të Exeterit.

“Duke parë shpeshtësinë e ndodhjeve të goditjeve dhe demencës, kjo lidhje e fortë mes dy ngjarjeve është një gjetje e rëndësishme. Përparimet që janë bërë në lidhje me parandalimin e goditjeve dhe kujdesin pasi ka ndodhur një e tillë në tru, luajnë një rol kyç edhe në parandalimin e demencës”.

Presioni i lartë i gjakut (hipertensioni), diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare janë që të gjitha faktorë rreziku për goditjet në tru dhe që të gjitha mund të parandalohen potencialisht apo edhe të trajtohen. Të qenit mbipeshë shton rrezikun e pësimit të një goditjeje ishemike me 22 për qind, ndërsa obezët kanë një rrezik prej 64 për qind për t’u prekur.

Demenca vaskulare është njëra formë e sëmundjes, e cila shkaktohet nga goditje të vogla në tru, por analizat, e publikuara në revistën mjekësore “Alzheimer’s & Dementia”, përfshijnë të gjitha format e goditjeve dhe demencës. Autorët theksojnë gjithashtu se shumica e njerëzve që kanë pësuar një goditje nuk pësojnë menjëherë edhe demencë.

SHKARKO APP