“Gripi i syrit”. Këshillat e mjekut të familjes, për parandalimin e këtij virusi

Nga Dr.Ilda Lamçe, mjeke familje

Gjatë javëve te fundit, në qëndrat shëndetsore, ka pasur një numër në rritje të pacientëve me infeksion në sy, i cili quhet konjuktivit adeno-viral. Pacientët kryesisht shfaqen për herë të parë tek mjeku i familjes, pasi iu ka filluar simptomatika e shoqëruar me skuqje të syrit, lotim të vazhdueshëm, ndjesia sikur kanë një trup të huaj në sy, enjtje të kapakëve të syrit apo konjunktivës, irritim, djegie dhe kruarje të vazhdueshme, probleme të shkaktuara nga drita saqë ndonjëherë e referojnë dhe me dhimbje të fortë shoqëruese të kokës dhe zonës periorbitale.

Një pjesë e konsiderueshme e pacientëve janë adultë por rastet më dramatike janë tek femijët të cilët e përjetojnë me panik, sy të fryrë, lotim të shprehur, deri në mbyllje të syrit. Ky lloj virusi në këtë periudhë, përkon dhe me kulmin e sezonit turistik, ku prindërit dhe fëmijët e tyre frekuentojnë shpesh pishinat dhe plazhet, të cilat janë dhe habitatet për transmetimin e virusit.

Zakonisht shenjat fillojnë dy javë pas prekjes nga virusi. Infeksioni që jemi duke hasur, është një lloj alarmi, që nuk duhet anashkaluar kurrsesi, sepse është shumë i rrezikshëm dhe përhapet shumë shpejt. Rastet që paraqiten për herë të parë tek mjeku i familjes, nuk duhen neglizhuar kurrsesi dhe për ti drejtuar këta pacientë për konsultë me mjekun specialist, okulist. Virusi duhet të kapet në kohë, sepse dhe një ditë e lënë me vonesë, rrit probabilitetin për dëmtim të kornesë dhe aq më tepër situata mund të agravohet deri në dëmtim të shikimit.

Virusi është i rrezikshëm sepse është ngjitës dhe transmetohet përmes kontakteve me duart, sendet e ndryshme, peshqirët, këllëfi i jastëkut, carcafët, bataniet, produktet kozmetike etj. Plazhi dhe pishinat, e favorizojnë shumë përhapjen. Higjena personale është shumë e rëndësishme. Ajo është vendimtare në parandalimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje. Një ndër veprimet që nuk duhet të neglizhohet në asnjë rast është larja e shpeshtë e duarve dhe mos prekja e syve me to. Kjo veçanërisht në rastet kur një nga të afërmit tuaj është prekur nga kjo sëmundje. Sendet vetjake të këtyre pacientëve rekomandohen të mbahen veç nga familjarët e tjerë. Gjithashtu rekomandohet dhe përdorimi i syzeve të diellit brenda shtëpisë.

Trajtimi i ketij infeksioni kerkon kujdes te vecante. Theksojme se eshte infeksion viral dhe nuk trajtohet me antibiotike si infeksionet bakteriale. Rekomandohen lotet artificiale dhe perdorimi i medikamenteve te tjera si kortikosteroidet, antiviralet, pas konsultës me specialistin ose mjekun e familjes. Çdo neglizhencë mund të shkaktojë komplikacione të rënda. Për çdo rast, konsultohuni me mjekun tuaj.

SHKARKO APP