Helmimet, shtohen rastet e qytetarëve që kërkojnë ndihmë

Helmimet nga ushqimi bëhen më të shpeshta gjatë stinës së verës, kryesisht për shkak të kushteve në të cilat tregtohen dhe ruhen produktet ushqimore në temperaturë që i kalojnë 30 gradë celcius.

Helmimet nga ushqimet shfaqen kryesisht në formën e diarresë dhe të vjellave, duke sjellë dehidratim të trupit, ulje të tensionit dhe humbje ekuilibri. Rrallë gjen qytetarë që nuk e kanë kaluar një gjendje të tillë, që herë vjen për faj të tregtarit dhe herë për shkak të neglizhencës në familje.

Sipas mjekëve, një rol të madh në këtë drejtim luajnë insektet të cilat përcjellin mikrobe nga një vend në tjetrin. Ata këshillojnë kujdes të shtuar në këtë periudhë të vitit ndaj këtij problemi që prek të rritur e fëmijë.

“Duhet kujdes i veçantë, jo vetëm kur blihen ushqimet, por edhe mënyra e konsumimit në shtëpi. Ushqimet duhen larë mirë, sidomos perimet. Edhe gatimi në shtëpi të ruhet i mbuluar dhe të konsumohet brenda ditës”, thonë mjekët.

Rezistencë më të ulët ndaj temperaturave të larta kanë qumështi dhe nënproduktet e tij, veza, por nuk mbeten pas edhe zarzavatet dhe frutat. Ushqimi në fast food mbetet rreziku numër një, i ndjekur pas nga akulloret, kasatat apo ëmbëlsirat.

SHKARKO APP