Hirsutizmi dhe eleminimi i përhershëm i qimeve në fytyrë me elektrolizë
Nga Mjekja Dermatologe, Albana Lufi
Hirsutizmi është një gjendje klinike që karakterizohet nga prania e tepërt e qimeve tek femrat, në fytyrë dhe në ato zona të trupit ku normalisht nuk duhet te kete qime si në: fytyrë, mbi buzën e sipërme, në mjekër, në gjoks, në vijën e barkut (sipër pubisit deri tek kërthiza ) etj. Hirsutizmi vjen ose si rezultat i rritjes së sasisë qarkulluese të androgjeneve (hormoneve mashkullore), ose nga rritja e sensitivitetit të folikulave te qimes ndaj niveleve normale të androgjeneve. Androgjenet janë hormone seksuale që prodhohen si nga vezoret dhe gjendrat adrenale tek femrat, dhe nga testikujt tek meshkujt.
Por çfarë e shkakton hirsutizmin?
Shkaktarët e Hirsutizmit:
1. Hirsutizmi hiperandrogjenik, i shkaktuar nga prodhimi në sasi të tepërt të hormoneve androgjenë ose mashkullore (Sindroma e Vezoreve Policistike PCOS, tumoret ovariane apo adrenale).
2. Hirsutizmi i induktuar nga faktorët jo-androgjenikë, i cili nuk është i lidhur me veprimin e tepërt të hormoneve androgjenë, por në përgjithësi shkaktohet nga medikamentet
3. Hirsutizmi idiopatik (pa shkak ). Hirsutizmi idiopatik është një format më të hasura të hirsutizmit. Diagnostifikimi i hirsutizmit idiopatik bazohet në kriteret e mëposhtme: Prania e hirsutizmit, funksion ovulator normal ,nivelet normale të hormoneve androgjenike.
Shumica e grave me hirsutizëm paraqiten me një formë të mesme apo të lehtë të mbiprodhimit të hormoneve androgjenikë, por ndonjëherë hirsutizmi është i shoqëruar edhe me çrregullime të tjera që shoqërojnë hiperandrogjenizmin si p.sh: alopecia androgjenike, acne vulgaris, çrregullime të menstruacioneve, infertilitet, seborrhea. Në pjesën më të madhe të rasteve hirsutizmi konsiderohet si një problem kozmetik, por që shkakton stres, ankth dhe një shmangie sociale të femrave që e vuajnë atë. Por përveç anës estetike të padëshirueshme, hirsutizmi mund të jetë një shenjë që tregon për një prishje të balancës hormonale apo që ndonjëherë indikon për ekzistencën apo praninë e një tumori në një nga gjendrat që prodhojnë hormone.
Femrat mesdhetare ku bëjnë pjesë edhe grekët, shqiptarët etj, karakterizohen nga një tendencë më e madhe për të zhvilluar hirsutizëm.
Ekzaminimet laboratorike të hirsutizmit përjashtojnë mundësinë e çrregullimeve të brendshme. Pas konsultës me mjekun dermatolog, endokrinolog ose gjinekolog përcaktohen ekzaminimet e nevojshme që duhet të bëjë pacientja përpara fillimit të trajtimit të hirsutizmit.
Si mund ta trajtojmë hirsutizmin?
Trajtimi i hirsutizmit varet nga shkaku përgjegjës që çon në shfaqjen e hirsutizmit. Hirsutizmi mund të përmirësohet si rezultat i metodave kozmetike dhe terapive hormonale. Zakonisht mund të shikohet një përmirësim në shkallën e hirsutizmit pas 6 muajsh terapi hormonale, por në qoftë se përdoren njëkohësisht dhe metodat kozmetike, atëherë mund të vihet re një përmirësim më i shpejtë.
Metodat mekanike për trajtimin e hirsuitizmit janë:
Metodat mekanike për trajtimin e hirsutizmit jane: zbardhja e qimeve, përdorimi i briskut, i dyllit, piskatores etj. Largimi i qimeve me dyll si dhe shkulja e qimeve mund të shkaktojnë folikulitis (infeksion të rrënjes së qimes ). Përdorimi i briskut për heqjen e qimeve shkakton një dalje të shpejtë të qimeve të shkurtra e të ashpra.
Metoda të tjera efikase për trajtimin e hirsuitizmit:
Metoda të tjera efikase që rezultojnë në depilimin e përhershëm të qimeve janë depilimi me elektrolize dhe depilimi me lazer.
Depilimi me lazer ose IPL realizon shkatërrimin termik të rrënjës së qimeve pa shkaktuar ndonjë ndikim në indet përreth. Depilimi me luce pulsante ose me lazer nuk arrin të eliminojë të gjitha qimet, në një seancë pasi çdo folikul i qimes ka një cikël të vetin të zhvillimit të pa varur nga folikujt e qimeve të tjera pra shkatërron vetëm qimet që ndodhen në fazën e rritjes (anagene) sepse në këtë fazë qimet kanë një sasi të bollshme të melaninës.
Kjo është arsyeja përse nevojiten disa seanca për të patur efektin e dëshirueshëm.
Depilimi i përhershëm i qimeve me elektrolizë.
Elektroliza siguron depilimin 100 % të qimeve. Elektroliza është e vetmja procedurë e aprovuar nga FDA (Food and Drug Administration) për depilimin e përhershëm të qimeve. Energjia e krijuar nga levizja e shpejtë e elektroneve (kationeve dhe anioneve ), shkatërron substancat ushqyese të qimes dhe shkatërrim përfundimtar të saj. Nëse lazeri siguron deri 70% të reduktimit të qimeve në zonën që trajtohet elektoliza realizon depilimin 100 % në zonën e trajtimit. Nëpërmjet kësaj metode mund të heqim jo vetëm qimet e zeza por dhe qimet e bardha ose të kuqe të cilat nuk mund të trajtohen me lazer. Gjithashtu nëpërmjet elektrolizës mund të sigurojmë depilimin e zonës afër syve si vetullat ose në hapësirat midis dy vetullave që nuk mund të realizohen me depilim me lazer. Gjithashtu depilimin në zonën mbi buzën e sipërme ku lazeri vepron deri në masën 40 %. Për të arritur rezultatin përfundimar nevojiten disa seanca pasi çdo folikul i qimes ka ciklin e vetë të zhvillimit të pa varur nga folikujt e qimeve të tjera.
Aparaturat e mëparshme të elektrolizës shkaktonin dhimbje, kurse aparaturat e teknologjisë së fundit të elektrolizes nuk shkaktojnë aspak dhimbje dhe efekte anësore.