Ilsa Mula: Virozat e stinës, shkaktarët dhe si mund të parandalohen
Virozat e stinëve janë të pranishme gjatë gjithë vitit. Por ndryshimet e stinëve shoqërohen edhe me ndryshimet klimaterike përkatëse të cilat çojnë dhe me praninë e shtuar të infeksioneve virale qarkulluese.
Një ndër grupmoshat më të rrezikuara prej sëmundjeve virale janë fëmijët, ku më së shumti preken fëmijët e moshës 1-6 vjeç, moshë e cila përkon me frekuentimin e çerdhes dhe kopshtit. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” mjekja pediatre në spitalin Salus, Ilsa Mula tregon lidhur me shkaqet, simptomat dhe mënyrat sesi mund ti parandalojmë.
Mjekja pediatre rrëfen se në këtë periudhë të vitit në vendin tonë qarkullojnë një sërë virusesh, ku ndër më të njohurit është gripi.
Intervistoi: Sidorela Lepuri
Znj.Ilsa, ndryshimet e stinëve, shoqërohen edhe me ndryshime klimatike. Cfarë virozash shfaqen kryesisht në këtë periudhë të vitit?
Ndryshimet e stinëve me ndryshimet klimaterike përkatëse shoqërohen edhe me praninë e shtuar të infeksioneve virale qarkulluese. Në periudhën kohore shtator -mars çdo 20 ditë hasemi me një virus të ri dhe kjo vlen më tepër për moshat pediatrike sepse tek të rriturit me kalimin e viteve sistemi imun tashmë është njohur me shumicën prej tyre. Më shumë se 200 viruse të ndryshme njihen si shkaktare të rrufës dhe të ftohurit të zakonshëm.
Aktualisht, a ka ndonjë virozë specifike që po qarkullon?
Ndër viruset më të shpeshta në këtë periudhë përmend këto lloje: rinoviruset, coronaviruset, virusi respirator sincicial, parainfluenza dhe influenza (gripi).
Aktualisht Shqipëria gjendet në periudhën e epidemisë së gripit. Viruset që qarkullojnë këtë vit janë AH1N1 pdm 09 dhe AH3N2 të cilët janë të përfshirë në vaksinën e gripit.
Cila mund të evidentohen si disa prej shkaktarëve kryesorë të tyre?
Shkaku i shpeshtësisë më të lartë të virozave në periudhën e ftohet të vitit lidhet mefaktin se në temperatura të ulëta të dimrit mbulesa e jashtme e virusit mbështillet me një xhel të trashë. Kjo e mbron virusin dhe e bën më lehtësisht të transportueshëm nëpërmjet ajrit nga personi në një tjetë. Në temperatura të ngrohta xheli mbrojtës shkrihet në një fazë të lëngët. Por në këtë fazë të lëngët me sa duket nuk është e mjaftueshme për të mbrojtur virusin kundër elementeve klimaterike dhe kështu virus humbet aftësinë e tij për tu përhapur nga personi në person. Ajri i ftohtë dhe lagështia e ulët promovojnë transmetimin e virusit të gripit nga një person tek tjetri.
Së dyti në këtë fenomen ndikon “teoria e hapësirave të mbyllura”. Në periudhën e ftohtë të dimrit njerëzit kanë tendencën që të qëndrojnë më tepër në hapësira të mbyllura ku edhe mundësia e transmetimit të virusit është shumë më e lartë.
Në pjesën më të madhe kur prekemi prej sëmundjeve virale, shfaqen edhe simptomat përkatëse. Cilat janë simptomat që shfaqen kryesisht?
Simptomatologjia më e shpeshtë konsiston në temperaturë të lartë e menjëhershme, kollë që mund të jetë e thatë, dhimbje e muskujve, mungesë oreksi, dhimbje koke, sekrecione nga hundët, dhimbje fyti , të përziera, diarre, të vjella, dhimbje barku.
Fëmijët janë një ndër grupmoshat kryesore që preken prej virozave të stinës. Në çfarë rrugësh merren këto viroza tek ata?
Virusi i Gripi transmetohet nga njeriu tek njeriu me spërkla gjatë tështimave, kollitjes apo gjatë bisedimit me një person të infektuar. Më rrallë një individ mund infektohet me virusin e gripit duke prekur objekte të kontaminuara nga virusi dhe pastaj individi të prek gojën apo hundën me duart e infektuara. Periudha e inkubacionit zgjat nga 1-4 ditë. Një individ i prekur nga virusi i gripit, mund të infektojë të tjerët 1 ditë para shfaqjes se simptomave, gjatë periudhës së sëmundjes. Pra, një person i prekur nga virusi i gripit mund të transmetojë virusin një personi tjetër përpara se ai ta kuptoj që është i sëmurë.
Kryesisht nga puna juaj, si mjeke pediatrike, a ka patur shumë fëmijë të prekur në kohën që flasim?
Në punën time si pediatre këtë periudhë kam patur mundësinë të shoh një numër të madh rastesh me infeksione virale në moshën pediatrike.
Mund të na tregoni se cilat janë komplikacionet më të rrezikshme të sëmundjeve virale?
Infeksionet virale në shumicën e rasteve janë të formave të lehta dhe simptomatologji jo shumë të shprehura por mund të ndodhin raste të komplikacioneve si përshembull: infeksione akute respiratore të renda, prekje të cipave të trurit (meningit, encefalit), prekje të zemrës (miokardit, perikardit) sistemi nervor qendror, muskular apo edhe ndërlikime bakteriologjike sidomos në individë me sëmundje kronike.
Në çfarë moshe rrezikohen të preken më së shumti fëmijët?
Më së shumti preken fëmijët e moshës 1-6 vjeç, kohë që përkon me frekuentimin e çerdhes dhe kopështit.
Dhe së fundmi, cilat janë disa nga këshillat për të evituar prekjen prej këtyre virozave?
Mënyra më efikase për parandalimin e virusit të gripit stinor është vaksinimi me vaksinën kundër gripit.Vaksinimi mbron vetë personin si dhe ndihmon në mos përhapjen e gripit.
*Vaksinimi çdo vit është i rëndësishëm, pasi viruset e gripit janë të paparashikueshëm dhe në ndryshim të vazhdueshëm, si dhe imuniteti i krijuar nga vaksina bie me kalimin e kohës.
*Shmangni ambjentet e mbyllura (lokale, kënde lojrash, qendra tregtare etj).
*Sa më shumë lëvizje në ambjente të hapura dhe në ajër të pastër.
*Vendosni një regjim gjumë- zgjim të përshtatshëm (plotësimi i orëve të nevojshme të gjumit sipas moshës i jep organizmit një rigjenerim psiko-fiziko-imun të nevojshëm për përballimin e çdo agresioni ambiental).
Vendosni një regjim të ekuilibruar ushqimor: sugjerohet përdorimi sa më shumë i frutave (sidomos i agrumeve), perimeve dhe tek fëmijet nuk duhet të mungojne proteinat e mishit ( mundësisht peshk ose pulë ) si dhe proteinat e qumështit por në sasi të ekuilibruara.
Mundohuni të evitoni për aq sa është e mundur kontaktet e afërta me individë të sëmurë.
Nëse jeni të sëmurë qëndroni në shtëpi për të paktën 24 orë.
Nëse jeni të sëmurë evitoni kontaktet me të tjerët pasi virusi i gripit është shumë ngjitës.
Mbuloni hundën dhe gojën me një shami kur të teshtini dhe kolliteni dhe hidheni më pas në vend të sigurt.
Lani duart shpesh me ujë dhe sapun, ose përdorni solucione duarsh me alkool.
Mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar të kontaminuara, pasi virusi përhapet në këtë mënyrë.
Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë kontaminuar nga virusi.