Infeksionet rrisin rrezikun e sulmit në zemër dhe tru

Pacientët të cilët shpesh vuajnë nga infeksioni kanë një rrezik më të lartë që të përjetojnë sulm në zemër ose tru në vitet e ardhshme, sipas studimit të shkollës mjekësore “Aston” të Universitetit Cambridge.

Në hulumtim theksohet se qindra e mijëra njerëz të cilët kanë problem me inflamacione të shpeshta të mushkërive ose traktit urinar duhet të pinë edhe pilula për zemër, sepse është konstatuar se ata e kanë një rrezik 40 për qind më të lartë të përjetojnë sulm në zemër në tetë vitet e ardhshme. Ata gjithashtu e kanë një rrezik më të madh edhe nga sulmi në tru.

Inflamacionet e kanë një ndikim shumë më të madh në zemër se obesiteti, gjë që e rrit rrezikun e sulmit në zemër apo tru për 25 për qind, transmeton Koha.net. Shkencëtarët thonë se arsyeja është se infeksionet e shpeshta shkaktojnë inflamacion të enëve të gjakut, duke i bërë ato më të prirura për bllokim.

Pacientët që vuajnë nga infeksionet duhet të trajtohen si ata që kanë presion të lartë, kolesterol të ngritur ose diabet. Kjo, thonë ekspertët, mund të zgjidhet duke përshkruar aspirinë.

Sipas hulumtimeve të Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë në Orlando, ata që vuajnë nga infeksionet e shpeshta e kanë një rrezik më të lartë të vdesin nga sulmi në zemër ose goditja në tru.

“Këto të dhëna e tregojnë një lidhje të qartë në mes të infeksionit dhe rrezikut nga goditja në tru apo sulmi në zemër, dhe ne nuk duhet t’i injorojmë. Infeksionet e rënda janë ndër shkaqet kryesore të vdekjes. Këto shifra janë arsyeja për ta kryer një studim të detajuar”, tha udhëheqësi i studimit Paul Carter.

SHKARKO APP