Ja pse vdesin shqiptarët, cilët janë shkaktarët kryesorë
Cilat janë shkaqet e humbjes së jetës së shqiptarëve? Instituti i Statistikave ka bërë publike shifrat. Grup-sëmundjet e “aparatit të qarkullimit të gjakut” edhe për vitin 2017 vijojnë të jenë shkaku kryesor i vdekjeve në vendin tonë. Sipas të dhënave të INSTAT, vdekjet janë rritur me 3.9% (22.232 vdekje të regjistruara) krahasuar me një vit më parë.
Brenda grup-sëmundjeve, që janë edhe shkaku më i madh i vdekjeve në vendin tonë, janë sëmundjet e enëve të trurit, e më pas sëmundjet kronike të zemrës. Në vitin 2017 niveli i vdekshmërisë është 41,5 për 10 mijë banorë, duke shënuar një rritje prej 2,5 %, krahasuar me vitin paraardhës.
Një tjetër grupsëmundjesh që ndikon në rritjen e vdekjeve janë tumoret. Ato zënë 16,4 % të vdekjeve gjithsej, duke u renditur si grupi i dytë kryesor referuar numrit të vdekjeve të shkaktuara.
Niveli i vdekshmërisë për këtë grup-sëmundje është 12,7 për 10 mijë banorë dhe ka një rritje prej 2,0 %, krahasuar me vitin 2016. Në grupin “Tumore” përqindjen më të lartë e zë nëngrupi “Tumore të aparatit të frymëmarrjes”, me 33,5 %.
Edhe pse nivelin më të lartë të vdekjeve e zënë ato për shkaqe natyrale me 90.1 %, vdekje të shumat në vendin tonë shkaktohen edhe nga aksidentet, me 2.1%.
Grupsëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” është shkaku dominant i vdekjeve në të gjitha qarqet, por vlerën më të lartë të vdekshmërisë e ka qarku i Beratit me 61,7 % të numrit gjithsej të vdekjeve.
Ndërsa tumoret shkaktojnë mbi 13.0% të vdekjeve në secilin qark, por vlerën më të lartë të vdekjeve tumoret e shkaktojnë në qarkun e Shkodrës me 18.2%.