Kanceri i gjirit, ja çfarë duhet të dijë çdo grua

Muaji tetor është muaji i dedikuar luftës kundër tumorit më të përhapur sot tek gratë, që është kanceri i gjirit. Në këtë muaj ndërmerren një sërë fushatash ndërgjegjësuese për kontrollin dhe vetëkontrollin e grave për këtë tumor. Shenja kryesore dalluese e fushatave sensibilizuese për këtë muaj, është shiriti rozë. Fushatat ndërgjegjësuese për kancerin e gjirit, kanë për qëllim ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave adoleshente, për rëndësinë e shëndetit të gjirit dhe informimin mbi kontrollet e nevojshme tek mjeku.

Shiriti rozë, është përdorur për herë të parë në këtë kontekst, më 1991 nga Charlotte, Hayey, e cila luftoi me kancerin e gjirit. Ajo ishte e para që hodhi konceptin e ideimit të një fjangoje në formë shiriti ngjyrë portokalli, për të sinjalizuar fushatat për këtë kancer.

68-vjeçarja Haley i preu këto shirita në shtëpinë e saj, ndërkohë që vajza e saj, motra dhe e ëma vuanin nga kanceri. Ajo shpërndau mijëra shirita në supermarket me shënimin “Buxheti vjetor i insitutit kombëtar për Kancerin është 1.8 miliardë dollar, dhe vetëm 5% shkojnë për parandalimin e kancerit. Na ndihmoni të zgjojmë ligjvënësit tanë duke veshur këtë shirit”.

Në këtë moment, ishte presidentja e Estee Lauder, Evelyn Lauder, që kërkoi nga Haley lejen për të përdorur këtë shirit. Haley nuk pranoi, dhe atëherë ishte revista Self që shiriti nga portokalli të pritej në rozë, duke u kthyer nga ky moment, në simbolin e fushatave për informim dhe parandalimin e kancerit të gjirit.

Çfarë është kanceri i gjirit?

Kanceri i gjirit është një tumor malinj, ku qelizat e gjirit rriten jashtë kontrollit. Kanceri mund të nisë në disa pjesë të gjirit dhe mund të përhapet nëpërmjet enëve të gjakut, dhe enëve limfatike. Edhe burrat mund të preken nga ky kancer, po në krahasim me gratë, këto raste janë shumë të rralla. Kanceri i gjirit është një nga tumoret më të përhapur sot në botë. Instituti i Shëndetit Publik, ISHP njofton për disa nga faktorët e rrezikut. Ja cilat gra kanë më shumë rrezik të preken nga kanceri i gjirit.

Disa nga faktorët e rrezikut përfshijnë:

Moshën – rreziku për kancerin e gjirit rritet me rritjen e moshës; por nga kanceri i gjirit preken edhe moshat e reja.

Ndryshimet në disa gjene – deri 10% e kancereve të gjirit janë si rezultat i një defekti gjenetik. Gratë që kanë trashëguar këto ndryshime gjenetike janë në rrezik të lartë edhe për kancer të vezoreve.

Fillimin e hershëm të menstruacioneve – femrat që u fillojnë menstruacionet para moshës 12 vjeç, janë të ekspozuara ndaj hormoneve për një periudhë më të gjatë kohore, duke rritur rrezikun për kancer gjiri.

Fillimin e menopauzës pas moshës 55 vjeç – ashtu si fillimi i hershëm i menstruacioneve, edhe menopauza e vonshme rrit ekspozimin e femrës ndaj hormoneve për një periudhë më të gjatë kohore, duke rritur kështu rrezikun për kancerin e gjirit.

Shtatzënitë në moshë të madhe ose moslindjen e fëmijëve.

Mungesën e aktivitetit fizik.

Të qenit mbipeshë apo obeze pas menopauzës.

Indi i gjirit i ngjeshur/i dendur

Historitë personale me kancer gjiri. Gratë që kanë pasur kancer gjiri kanë më shumë gjasa për t’u prekur përsëri nga kanceri i gjirit.

Historitë familjare me kancer gjiri – rreziku i një gruaje për kancer gjiri është më i lartë nëse ka patur nënën, motrën, vajzën (të afërm të shkallës së parë) me kancer gjiri.

Alkoolpirjen dhe pirjen e duhanit

Nëse një grua ka faktorë rreziku për kancer gjiri, ajo duhet të flasë me mjekun lidhur me mënyrat që mund të ulin rrezikun, si dhe kontrollet që duhen bërë.

Shenjat e kancerit në gji janë:

Një gjëndër apo një kokërr në gji ose nën sqetull. Shumë faktorë mund të shkaktojnë gjëndra në gjoks duke përfshirë edhe kancerin, por jo çdo gjëndër në gji është kancer.

Trashje ose ënjtje e një pjese të gjirit.

Ndryshime të lëkurës së gjirit-skuqje, plagë apo dëmtime të tjera të lëkurës së gjirit.

Skuqje, çarje apo trashje e lëkurës përreth thithit të gjirit, gropëzim i thithit të gjirit.

Rrjedhje nga gjiri përveç qumështit të gjirit, duke përfshirë edhe gjakun.

Çdo ndryshim në madhësinë apo formën e gjirit.

Dhimbje në gji.

Fryrje apo ënjtje e krahut nga njëra anë-disa herë kanceri i gjirit mund të përhapet edhe në gjëndrat limfatike nën krah dhe të shkaktojë fryrje apo ënjtje të tij. Prandaj, gjëndrat limfatike të ënjtura duhen konsideruar një shenjë e mundshme e kancerit të gjirit.

Çdo ndryshim tjetër i pazakontë në gji.

Format e diagnostikimit

Vetëkontrolli mujor i gjirit

Ekzaminimi klinik i gjirit nga një personel shëndetësor

Mamografia

Eko e gjirit

Vetëkontrolli mujor i gjirit

Vetëkontrolli mujor i gjirit është një veprim shumë i thjeshtë që çdo femër mund ta bëjë pa shumë mundim; me lëvizje rrotulluese me dorë kontrollohen me rradhë gjinjtë, deri në pjesën e sipërme të kraharorit dhe sqetullat. Vetëkontrolli i gjirit rekomandohet të bëhet 1 herë në muaj që nga mosha 20 vjeç. Periudha më e përshtatshme është disa ditë mbas menstruacioneve. Mjaft raste të kancerit të gjirit janë zbuluar nga vetë gratë. Një femër duhet ta kthejë në zakon kontrollin mujor të gjirit.

Ekzaminimi klinik i gjirit

Ekzaminim klinik i gjirit është një kontroll i gjirit i kryer nga një personel mjekësor i trajnuar, i cili mund të kapë kancerin në stade të hershme. Ekzaminim klinik i gjinjve rekomandohet të bëhet 1 herë në vit ose së paku çdo 2 vjet.

Mamografia

Mamografia kap kancerin e gjirit në faza shumë të hershme. Mamografia mund të kryhet në çdo kohë, por do të ishte më e përshtatshme që të zgjidhej momenti kur gjinjtë nuk janë të fryrë apo të dhimbshëm si p.sh. 3-4 ditë mbas menstruacioneve. Nuk duhet ndonjë parapërgatitje e veçantë për të bërë mamografinë. Kur gratë shkojnë për mamografi, është mirë të veshin bluza me fund ose pantallon, në mënyrë që të lehtësojnë procedurat e ekzaminimit të gjirit.

Rezultati i mamografisë zakonisht merret mbas disa javësh. Për gratë që kanë kryer mamografi më parë, këshillohet të kenë filmat e tyre me vete për t’i lejuar mjekut të bëjë krahasimin.

Nëse mamografia është normale, duhet vazhduar bërja e saj sipas intervaleve kohore të rekomanduara. Kanceri i gjirit mund të shfaqet në çdo kohë, madje edhe nga një mamografi tek tjetra, prandaj mamografia duhet bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm një herë.

Nëse mamografia është e parregullt nuk do të thotë gjithmonë se ka kancer. Për këtë duhet të bëhen teste shtesë dhe kontrolli nga një specialist i gjirit apo një kirurg. Kjo nuk do të thotë që ju keni kancer ose keni nevojë për kirurgji. Bisedoni me mjekun për të mësuar se cila metodë kontrolli është më e drejtë për ju, dhe kur duhet ta bëni atë

SHKARKO APP