Kardiokirurgu Endri Harja: Shenjat, kur duhet të shqetësohemi për zemrën
Flet për “Koha Jonë”, lidhur me sëmundjet e zemrës dhe faktorët që i shkaktojnë, kardiokirurgu Endri Harja
Sëmundjet e zemrës janë shfaqur në rritje të ndjeshme me kalimin e viteve. Janë të shumta rastet në të cilat krizat e zemrës shkaktojnë vdekje të parakohshme ose gjymtim të organeve të trupit të njeriut. Janë një sërë faktorësh që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjeve të zemrës.
“Faktorët tradicionalë të rrezikut janë: Diabeti i sheqerit, hipertensioni arterial, duhanpirja dhe trashëgimia. Këtu shtohen faktorë të tjerë si ata socio-ekonomikë, dieta me yndyra të larta, rritja e jetëgjatësisë mesatare, e cila u jep kohë këtyre sëmundjeve të shfaqen”, tregon Kardiokirurgu, Endri Harja.
Por cilat janë sëmundjet më të shpeshta të zemrës? Cilat grupmosha dhe gjini rrezikohen të preken më shumë nga sëmundjet kardiovaskulare? Çfarë shenjash duhet të na shqetësojnë në lidhje me zemrën?
Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, kardiokirurgu në spitalin “Hygea”, Endri Harja i përgjigjet të gjitha këtyre pyetjeve. Sipas tij, meshkujt janë ato që rrezikohen të preken më shumë nga sëmundjet e ndryshme kardiovaskulare.
Më tej, kardiologu Endri Harja tregon se cilat janë disa nga shenjat, kur duhet të shqetësohemi për zemrën.
Në mbyllje, ai ka edhe disa sugjerime për ushqimet dhe produktet që ndihmojnë në shëndetin e zemrës dhe ato që duhen shmangur kategorikisht.
Intervistoi: Sidorela Lepri
Doktor Endri, a mund të na tregoni se cilat janë sëmundjet më të zakonshme të zemrës në vendin tonë?
Sëmundjet më të shpeshta të zemrës në vendin tonë kanë të njëjtën shpërndarje si në vendet e tjera nëpër botë. Siç dihet, mbizotëron sëmundja e arterieve koronare, e cila është përgjegjëse për shkaktimin e infarkteve ose sindromit koronar akut, ku përfshihet edhe angina e paqëndrueshme ose parainfarkti në gjuhë më të kuptueshme për lexuesit. Pas tyre vijnë sëmundjet e valvulave të zemrës, të cilat shfaqen me rritjen e moshës. Në vend të tretë vijnë sëmundjet e lindura të zemrës si dhe sëmundjet e enëve të mëdha të gjakut (aortës, etj).
Sëmundjet e zemrës janë shfaqur në rritje të ndjeshme me kalimin e viteve. Janë të shumta rastet në të cilat krizat e zemrës shkaktojnë vdekje të parakohshme ose gjymtim të organeve të trupit të njeriut. Cilat janë disa nga faktorët që ndikojnë?
Po, është e vërtetë, kanë marrë përmasat e një epidemie. Faktorët tradicionalë të rrezikut janë: Diabeti i sheqerit, hipertensioni arterial, duhanpirja dhe trashëgimia. Këtu shtohen faktorë të tjerë si ata socio-ekonomikë, dieta me yndyra të larta, rritja e jetëgjatësisë mesatare, e cila u jep kohë këtyre sëmundjeve të shfaqen.
Po faktorët gjenetikë sa ndikojnë në shfaqjen e sëmundjeve të zemrës?
Kanë mjaft ndikim. Siç e thashë më sipër, trashëgimia, d.m.th. faktorët gjenetikë, është një nga faktorët madhorë të rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare. Fatkeqësisht, është faktori, të cilin nuk mund ta modifikojmë. Duhani mund të ndërpritet, diabeti e hipertensioni mund të trajtohen shumë mirë sot.
Zakonisht, cilat grupmosha janë të rrezikuara të preken më shumë nga sëmundje të ndryshme kardiovaskulare?
Pyetja është shumë e drejtë. Më të rrezikuar janë meshkujt mbi 50 vjeç dhe femrat pas menopauzës. Gjithsesi, sot hasim jo rrallë këtë patologji edhe në mosha mjaft më të reja, 20-30 vjeç.
Po përsa i përket gjinive femra dhe meshkuj?
Meshkujt në parim janë më të rrezikuar, ndërsa femrat mbrohen nga hormonet natyrore ndaj kësaj sëmundjeje. Sëmundja kardiovaskulare mbizotëron te meshkujt.
Cilat janë shenjat që duhet të na shqetësojnë në lidhje me zemrën?
Ka mjaft ankesa, të cilat lidhen me zemrën. Unë do të përmend ato që janë më jetë kërcënuese, siç është infarkti i miokardit. Ankesa më e shpeshtë është dhimbja e gjoksit shtrënguese, rënduese mbi dërrasën e kraharorit me përhapje në nofull e mpirje të krahut të majtë, e cila shkaktohet gjatë një sforcimi, ekspozimi ndaj të ftohtit ose edhe në qetësi. Kjo është paraqitja klasike. Ankesë tjetër mund të jetë marrja e frymës, dhimbje mbi stomak, gromësira, ndonjëherë tjetër kollë me marrje fryme. Te pacientët diabetikë, sidomos femra, duhet konsideruar me vëmendje çdo ankesë pasi ato janë mjaft të fshehta. Parimisht për çdo diskomfort në gjoks duhet drejtuar te mjeku, jo të anashkalohet, siç dëgjojmë shpesh ‘mendova se isha ftohur’.
Si duhet të veprojmë, nëse ndiejmë një dhembje të papritur dhe të fortë kraharori?
Duhet shkuar menjëherë në urgjencë kardiologjike. Ekzaminimi i parë që kryhet është elektrokardiogram, EKG. Është një ekzaminim mbi 100- vjeçar, por mjaft i vyer ende, për të vërtetuar apo përjashtuar një problem kardiak. Gjithsesi, duhet theksuar se një EKG normale nuk përjashton me siguri një problem koronar, prandaj sot kryhen ekzaminime të tjera laboratorike siç janë enzimat kardiake (troponine e kreatine kinaza-MB) të cilat janë mjaft specifike, si dhe ajo që vulos diagnozën-koronarografia.
Cilat janë ushqimet, të cilat ndihmojnë në një shëndet të mirë të zemrës? Po ushqimet që duhen shmangur?
Ka studime, të cilat sugjerojnë se frutat e thata, sidomos arrat, ulin rrezikun kardiovaskular, nëse konsumohen në mënyrë të rregullt e për kohë të gjatë. Produktet e pasura me omega-3, p.sh sardelet. Në parim duhet ndjekur një dietë e balancuar. Dieta mesdhetare e ofron më së miri këtë mundësi. Organizmi ka nevojë për yndyrat, sheqernat e proteinat. Të mos konsumohen përditë të skuqura, apo mish i dhjamosur, të konsumohen më shumë të ziera e perime, fruta të freskëta. Stili i jetës është mjaft i rëndësishëm, duhet sa më shumë aktivitet fizik, pesha e trupit të jetë sa më afër ideales, të shmanget përdorimi i duhanit në mënyrë kategorike etj.
Koronarografia është një ekzaminim, i cili kryhet nëpërmjet arteries së kyçit të dorës ose të rrëzës së kofshës me mpirje lokale, pacienti është krejt i zgjuar. Futen tuba mjaft të hollë deri në enët e gjakut të zemrës, injektohet lëndë kontrasti me bazë jodi e përvijohen enët koronare të zemrës. Në këtë ekzaminim vihet diagnoza, po ashtu mund të ndërhyhet për zhbllokuar arteriet e ngushtuara me stente (unaza).
Kur është teknikisht e pamundur të ndërhyhet me stente ose ngushtimet janë të shumta, atëherë pacientët mund të përfitojnë nga kirurgjia e bajpasit aorto-koronar. Me anë të kirurgjisë, krijohen rrugë të reja, të cilat anashkalojnë ngushtimet duke bërë rifurnizimin e zemrës me gjak. Në këtë mënyrë pacientët jetojnë më gjatë e më shumë cilësi jete.