Këshilla të domosdoshme “post-pushime”, si ta rigjallëroni lëkurën
Jeni kthyer nga pushimet? Plot energji për punën që ju pret dhe plot me qëllime të mira? Edhe ne kemi qëllimet tona të mira për ju: të ndihmojmë lëkurën tuaj.
Sidomos pas një pushimi në diell lëkura juaj ka nevojë për vëmendje shtesë. Dielli dhe deti priren të thajnë lëkurën. Stili i jetesës gjatë pushimeve për më tepër, nuk është gjithmonë ideal për shëndetin tonë dhe atë të lëkurës. Disa gota më shumë, ekspozimi ndaj tymit të cigareve (aktive, ose pasive) dhe net pa gjumë (kush nuk rri pa gjumë gjatë pushimeve?) lënë gjurmët e tyre…
Është koha, pra për një kujdes intensiv për lëkurën. Më poshtë ju prezantojmë një program me këshilla mbi lëkurën.
Pastrimi i fytyrës
Kur ktheheni nga pushimet me lëkurën e nxirë, tundimi për t’u ekspozuar sa më pak të jetë e mundur ndaj ujit dhe sapunit është e madhe. Keni idenë se hiqni edhe nxirjen (dhe me të edhe kujtimet e çmuara të pushimeve). Megjithatë pas pushimeve është shumë e rëndësishme pastrimi i lëkurës. Filloni kurën “post pushime” me një scrub delikat si për fytyrën, ashtu edhe për trupin. Me kalimin e ditëve, lëkura ka tendencë të jetë më shumë “gri”. Me ndihmën e scrubit lëkura juaj rimerr shkëlqimin e saj dhe shfaqet përsëri e freskët. Akoma më mirë nëse do t’i lejosh vetes edhe një vizitë tek estetisti për një pastrim të thellë të lëkurës.
Hidratimi
Pasi lëkura është pastruar tërësisht, aplikoni një maskë hidratuese. Mos harroni të trajtoni edhe qafën, dekoltenë dhe nëse është e nevojshme edhe duart e këmbët. Janë zonat më të ndjeshme që “vuajnë” nga dielli. Përdorni një krem hidratues të përshtatshëm për lëkurën tuaj. Dhurojini vetes në rast se lëkura është shumë thatë një kurë të vogël bazuar në një serum ultra-hidratues dhe ushqyes.
Një javë SPA
Nëse doni me të vërtetë t’i deklaroni “armëpushimi” lëkurës suaj, bëni një javë SPA.
Shkoni herët në shtrat
Provoni të paktën për një javë të shkoni në shtrat herët. Lëkura rigjenerohet, sidomos gjatë natës. Aplikoni para se të flini një krem të mirë dhe rikuperoni gjumin e humbur gjatë pushimeve.
Hani shëndetshëm
Kujdesuni gjatë javës së SPA për ushqimin. Hani fruta të freskëta dhe perime. Kufizoni sa më shumë të jetë e mundshme yndyrnat. Filloni dietën me fruta të freskëta dhe një produkt integral. Në drekë përgatisni një sallatë me vaj dhe limon. Në mbrëmje zgjidhni peshk, ose mish të lehtë me perime.
Mos pini alkool
Kufizoni të paktën në javën tuaj të SPA, konsumimin e pijeve alkoolike. Alkooli është si pirja e duhanit, i dëmshëm për lëkurën. Dehidraton lëkurën dhe e bën atë pa shkëlqim. Një aperitiv i mirë, i shijshëm dhe i shëndetshëm është lëngu i domates me pak tabasko dhe piper të zi.
Mbroni lëkurën
Një tjetër veprim i mirë është të mos dilni pa një krem mbrojtës nga dielli. Sa herë që lëkura është e ekspozuar dhe e pambrojtur, dielli lë gjurmët e tij.
Pastroni lëkurën
Gjithmonë pastroni lëkurën me kujdes në mëngjes dhe në mbrëmje. Pastrimi i plotë i përditshëm është sekreti për një lëkurë të bukur. Premtojini vetës që tani e tutje do ta bëni gjithmonë (madje edhe natën kur ju jeni e lodhur)!
Përgatiti: Albina Gjergji.