Këshillat e dermatologes- Kujdesi për lëkurën gjatë stinës së ftohtë

Në stinën e dimrit kur temperaturat janë më të ulëta, kujdesi ndaj lëkurës është më i lartë. Lëkura ndryshe nga pjesët e tjera të organizmit, është më e ndjeshme ndaj të ftohtit, pasi ka kontaktin e parë me temperaturat e ulëta. Tharja e lëkurës, skuqja dhe acarimi janë problemet e dukshme që ne shohim në lëkurë.

Duke qenë se i ftohti në këtë stinë është i pashmangshëm, atëherë ajo që na mbetet është vetëm të kujdesemi dhe të marrim masat e duhura për të përballuar me sukses këtë stinë. E nëse trupit dhe duarve i bëjmë kujdesin e duhur, pasi i mbulojmë duke veshur rroba dhe doreza, fytyra mbetet disi më problematike.

Gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Etleva Jorgaqi mjeke dermatologe në Qendrën Spitalore Universitare ”Nënë Tereza” dha disa këshilla sesi të kujdesemi dhe të kemi një fytyrë me shkëlqim gjatë stinës së dimrit.

Intervista e plotë:

Si ndikon stina e ftohtë në lëkurë?

Në periudhën e dimrit lëkura thahet dhe kjo ndodh jo vetëm me atë të fytyrës. Kjo tharje ndodh për arsye të ndryshimit të lagështirës, veshjeve mbi trup. Gjatë kësaj stine njerëzit duhet të trajtohem me kremra hidratantë (zbutës) për të shmangur dhe luftuar tharjen e saj.

Nëse nuk hidratohemi cilat janë pasojat në lëkurë?

Një lëkurë e thatë bëhet predispozitë për shfaqjen e sëmundjeve të tjera të lëkurës. Lëkura e patrajtuar ka tendencë të shfaqë infeksione. Gjithashtu gjatë kalimit të virozave shfaqen elementë në lëkurë të cilat ekzematizohen dhe gjithashtu ka risk për infeksione mykotike.

Sa herë duhet të hidratohet lëkura gjatë dimrit?

Lëkura duhet të trajtohet me kremra zbutës në një sasi të konsiderueshme për të mbajtur një standard mesatar të hidratimit të lëkurës. Hidratimi bëhet pas dushit, pas tharjeve të mira për të mos e lënë lëkurën me lagështi. Tharja më e madhe në fakt është në trup pasi rrobat e shumta që veshim janë shkaku i tharjes dhe një herë në javë një hidratim i lëkurës së trupit është mjaftueshëm. Kremrat për fytyrën meqënëse fytyra është më në kontakt me ndryshimet atmosferike mund të përdoren çdo ditë, gjatë paradites dhe pasdites. Gjithashtu kremrat e fytyrës mund të përdoren dhe me filtër të ruajtjes nga dielli pra sunscreen.

Ngjyra e lëkurës a ka lidhje me numrin e faktorit mbrojtës tek kremrat hidratues?

Filtri mbrojtës nga dielli që kanë kremrat varet patjetër nga pigmenti i lëkurës.Për lëkurat me ngjyrë të hapur përdoren filtra me faktor mbi 30, për lëkura me një farë pigmenti mund të përdoret faktori nga 15 e sipër. Kjo është mbrojtja që ne i bëjmë lëkurës nga rrezet e diellit sepse edhe në dimër dielli ka forcë dhe gjatësi vale UVA dhe UVB të cilat ndikojnë nëse nuk mbrohemi për shfaqen e njollave në lëkurë dhe prishjes së relievit të lëkurës.

Cilat janë maskat për fytyrën që këshillohen gjatë kësaj periudhe?

Stina e dimrit është periudha më e mirë për të përdorur maska, si piling për ta pastruar lëkurën dhe për të korrigjuar defektet e saj. Maskat fillojnë që nga piling, deri tek dermapain dhe mezoterapi jo vetëm për ta strukturuar lëkurën, por edhe për t’i dhënë simetrinë e duhur dhe shkëlqim që në këtë periudhë para festave është e domosdoshme

Si të trajtojmë problemet estetike dhe kozmetike të fytyrës?

Receta më specifike për këto trajtime është të drejtohemi tek dermatologu estetik për një trajtim më të mirë. Problemet që shohim në dimër në lëkurë janë njollat në lëkurë dhe stina e ftohtë është periudha më e mirë për trajtimin e tyre. Trajtimi në dimër i këtyre problemeve është se hiqen njollat, mbahet një nivel lëkure i pastër. Në dimër trajtimet më të shpeshta janë heqja e njollave, trajtimi i puçrave, aknet tek të rinjtë pastrohen dhe gjithashtu bëhen dhe rimodelimet e lëkurës dhe zbukurimet estetike pasi kjo është periudha fikse pra në prag festash të kemi një lëkurë të mirëtrajtuar dhe me shkëlqim. /ATA/

SHKARKO APP