Këshillat e mjekes: Sëmundjet e veshkave, parandalimi dhe mjekimi i tyre
Flet për “Koha Jonë”, lidhur me sëmundjet më të shpeshta të veshkave dhe mënyrën e kurimit të tyre, mjekja nefrologe Elvana Rista
Sëmundjet kronike të veshkave po bëhen çdo ditë e më shumë një problem i shëndetit publik në mbarë botën, të cilat shoqërohen me një numër të lartë të vdekshmërisë. Sëmundja kronike e veshkës fillon në mënyrë të heshtur, shenjat dhe simptomat e saj janë jo specifike të tilla si: dobësi trupore, lodhje, ulje të oreksit, çrregullime të urinimit, ënjtje të syve në mëngjes, ënjtje të këmbëve, krampe muskulore etj.. Sëmundjet më të shpeshta të veshkave janë infeksionet urinare, gurët në veshka, sëmundja kronike e veshkës dhe dëmtimi akut i veshkës. Zakonisht këto sëmundje shfaqen edhe më shumë me rritjen e moshës, por të gjitha grupmoshat rrezikojnë të preken nga sëmundjet e veshkave. Por cilat janë faktorët që i shkaktojnë këto sëmundje? Sa ndikon mënyra e të ushqyerit dhe stili i jetesës?
Në një intervistë për “Koha Jonë”, mjekja nefrologe Elvana Rista i jep përgjigje të gjithë këtyre pyetjeve, duke ndarë edhe disa këshilla sesi mund të parandalohen dhe kurohen këto sëmundje.
Intervistoi: Sidorela Lepri
Zonja Elvana, nga praktika juaj e punës, mund të na tregoni se cilat janë sëmundjet më të shpeshta të veshkave?
Sëmundjet më të shpeshta të veshkave janë: infeksionet urinare, gurët në veshka, sëmundja kronike e veshkës dhe dëmtimi akut i veshkës.
Përsa i përket gjinive, cilët janë më të rrezikuar të preken nga sëmundjet e veshkave, meshkujt apo femrat?
Përsa i përket infeksioneve urinare më shpesh preken femrat. Shkaqet janë anatomia e femrës (uretra është më shkurtër se tek meshkujt), aktiviteti seksual, vendosja e diafragmave për parandalimin e shtatzënisë, menopauza (pas menopauzës ulet niveli i estrogjenit në gjak, i cili shkakton ndryshime në traktin urinar dhe e bën më të prekshëm ndaj infeksioneve urinare).
Ndërsa me sëmundjen kronike të veshkës preken të dy gjinitë njëlloj, por nga statistikat sëmundja ka ecuri më të shpejte tek meshkujt.
A vuajnë grupmoshat e reja nga sëmundjet e veshkave apo zakonisht preken individët në moshë më madhore?
Të gjitha grupmoshat mund të preken nga sëmundjet e veshkave. Me rritjen e moshës, mundësia për t’u prekur nga sëmundjet e veshkave rritet.
Cilat janë shkaqet që prekemi zakonisht nga këto sëmundje dhe sa ndikojnë faktorët gjenetikë?
Shkaqet më të shpeshta janë infeksionet urinare, diabeti mellitus, hipertensioni arterial, sëmundjet autoimune, sëmundja e kisteve në veshka, obeziteti, kolesteroli i lartë, histori familjare për sëmundje të veshkave, mosha mbi 65 vjeç. Faktorët gjenetikë ndikojnë në një pjesë të rëndësishme të sëmundjeve tek veshkat si për shembull:sëmundje kronike e veshkave, gurët në veshka, sindromi Alport etj..
Po mënyra e të ushqyerit dhe stili i jetesës, çfarë roli luajnë?
Mënyra e ushqyerjes dhe stili i jetesës, sigurisht që luajnë rol si në parandalimin, shfaqjen dhe ecurinë e sëmundjes së veshkave. Sot rekomandohet jetë e shëndetshme, në mënyrë specifike aktivitet fizik, konsumimi i ujit, të mos konsumohet alkool, duhan, peshë fizike e kontrolluar, si edhe të ndjekin instruksionet për marrjen e medikamenteve që dëmtojnë veshkën.
Thuhet se zakonisht fillesat e sëmundjeve të veshkave janë të heshtura dhe njerëzit i konsiderojnë si pjesë e normalitetit të përditshëm. Mund të na tregoni pak për simptomat e këtyre sëmundjeve?
Po është e vërtetë. Sëmundja kronike e veshkës fillon në mënyrë të heshtur, shenjat dhe simptomat e saj janë jo specifike të tilla si: dobësi trupore, lodhje, ulje të oreksit, çrregullime të urinimit, ënjtje të syve në mëngjes, ënjtje të këmbëve, krampe muskulare etj..
Moskurimi në kohë i këtyre sëmundjeve, çfarë komplikimesh sjell?
Sa më shpejt të diagnostikohen sëmundjet e veshkave, aq më shpejt dhe mirë ndikoni në ruajtjen e funksionit të veshkës. Duhet të diagnostikohen dhe të trajtohen në kohë infeksionet urinare që mos të çojnë në sëmundje kronike të veshkave.
Si bëhet parandalimi i sëmundjeve të veshkave?
Siç është përmendur dhe me sipër, kujdes i duhet kushtuar mënyrës së ushqyerjes dhe aktivitetit fizik.
Pacientët diabetikë duhet të bëjnë një kontroll të rregullt të albuminurisë, të paktën një herë në gjashtë muaj, të mbajnë në normë shifrat e glicemisë dhe të kenë kujdes me dietën. Pacientët me tension të lartë arterial, duhet të mbajnë nën kontroll vlerat e tensionit.
Të bëhet një kontroll, të paktën një herë në vit dhe kjo është mënyra më e mirë për të parandaluar sëmundjet e veshkave.
Dhe së fundmi, po mjekimi i tyre?
Trajtimi i infeksioneve urinare bëhet me antibiotikë sipas llojit të mikroorganizmit të përcaktuar në analize. Trajtimi i gurëve në veshka ndryshon në varësi të përbërjes së gurit, madhësisë dhe vendosjes së tij në traktin urinar.
Trajtimi i sëmundjes kronike të veshkave fokusohet në uljen e progresionit të saj.
Sëmundja kronike e veshkave progreson në humbje totale të funksionit të saj në stadin e fundit (kur veshka ka humbur mbi 90% të funksionit të saj) është e domosdoshme terapia zëvendësuese e veshkës: dializa ose transplanti i veshkës.