Kimikatet e produkteve shtëpiake, ndotin ajrin sa makinat

Një studim i kryer në SHBA doli në përfundimin se, kimikatet nga produket që ne përdorim çdo ditë në shtëpitë tona kontribuojnë në ndotjen e ajrit po aq sa makinat.

Studimi i Universitetit të Colorados u fokusua tek ato që quhen përbërës të paqëndryshëm organikë. Këto janë pjesë e produkteve me bazë nafte, si produket për pastrim apo bojërat, e në ajër krijojnë grimca që mund të ndikojnë në shëndet.

Shkencëtarët thonë se burimet e këtyre grimcave, që i kemi edhe në shtëpitë tona, janë nënvlerësuar tej mase. Kjo është vërtet e habitshme, pasi pesha e naftës që konsumohet në botë është shumë më e madhe sesa ajo e produkteve kimike shtëpiake.

Shkencëtarët e Universitetit të Colorados, veç rishikimit të statistikave kryen edhe analiza të ajrit mbi Los Angeles, për të ekzaminuar përbërjen e tij kimike. Ata dolën në përfundimin se, sasia e ndotjes që prodhohet nga produktet për konsumatorin dhe ato industriale është dy apo 3 herë më e madhe sesa vlerësohej më herët.

Shkencëtarët thanë gjithashtu se studimet e mëparshme kanë mbivlerësuar burimet e ndotjes që vijnë nga motorët. Për shembull, Agjencia amerikane e Ambientit vlerëson se 57% e grimcave ndotëse me bazë nafte vijnë nga mjetet motorike dhe vetëm 25% nga produktet kimike.

Por sipas studimit të Universitetit të Colorados, ky raport është 50 me 50. Shkencëtarët thonë se, ndërsa transporti bëhet gjithnjë e më i pastër, burimet e tjera të ndotjes bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Sipas tyre, pavarësisht se studimi u kufizua në Los Angeles, shifrat e tij vlejnë edhe për qytete apo kombe të tjera të industrializuara.

SHKARKO APP