Kujdesi për lëkurën gjatë verës

Kujdesi ndaj lëkurës gjatë verës përcaktohet nga kushtet natyrore dhe shoqërore të kësaj stine. Përcaktohet pra nga veprimi i temperaturave të larta dhe nga rritja e kontaktit të lëkurës me faktorë fizikë, kimikë, të natyrës për shkak të punës dhe ekpozimit më të madh në natyrë gjatë kësaj stine.

Gjithmonë kemi parasysh kujdesin ndaj lëkurës tek njerëzit e shëndetshëm, të sëmurët, fëmijët e vegjël etj.

Nga ana tjetër kur flasim për kujdesin ndaj lëkurës synojmë evitimin e efekteve negative ose dëmtimeve afatshkurtra dhe atyre afatgjata, rezultatin e të cilave e shohim në vitet e ardhshme.

  1. Kur flasim për njerëzit e shëndetshëm, kemi parasysh pushimet verore, gjatë të cilave shpesh mendojmë të bëjmë ato që na munguan për një vit të tërë. Kështu e tejkalojmë masën e ekspozimit në diell gjatë plazhit, shtojmë aktivitetet  duke rënë në kontakt direkt me bimët në natyrë, duke rritur kështu në mënyrë marramendëse mundësinë e traumatizimeve dhe mikrotraumatizimeve të lëkurës.

Prandaj për t’u ruajtur nga efektet negative të diellit këshillohet:

a)      Ekspozimi në diell gjatë kohës së plazhit, për të përmbushur nevojën e organizmit për rrezatim nuk duhet të jetë më i madh se 2 orë në ditë.

b)      Të eliminohen orët e ekspozimit nga 12.00 deri në 16.00. Gjate këtij orari rrezatimi është shumë i fuqishëm dhe jep efektet e tij negative, si ato të menjëhershme (djegia, tharja e lëkurës) ashtu edhe të mëvonshme (plakja më e shpejtë e lëkurës dhe rritja e rrezikut të kancerit të lëkurës në vitet në vazhdim).

c)      Përdorimi i kremit mbrojtës ndaj diellit e bën më të mundshme kohëzgjatjen e qëndrimit në diell në bazë të numrit SPF (Sun Protecting Factor), por nuk ka asnjë krem që të sigurojë  mbrojtje 100%.

d)     Kujdesi duhet të vazhdojë edhe pas aplikimit të kremit mbrojtës duke e përsëritur atë pas një intervali prej 3 orësh. Megjithese ka kremra që pretendojnë se e ruajnë efektin e tyre deri në 24 orë, është mirë të respektohet rregulli i lartpërmendur.

e)      Përdorimi i kapeles edhe syzeve është gjithmonë i këshillueshëm.

f)       Këshillohet që fëmijët e vegjël nën dy vjeç të mos dalin direkt në diell, por  të qëndrojnë nën hijen e çadrës ose nën hijen e pemëve. Të ruhet sidomos për ta edhe orari i ndaluar i ekspozimit në diell.

g)       Fëmijët nuk duhet të pësojnë djegie nga dielli, pra rekomandohet të shfaqen gradualisht në diell. Çdo djegie nën moshën 18-vjeçare rrit shumë rrezikun e shfaqjes së kancerit në lëkurë në moshë të rritur.

h)      Në qoftë se vuani nga sëmundje të ndryshme të brendshme, para daljes në diell duhet të këshilloheni me mjekun specialist për efektet e mundshme negative ose pozitive të rrezatimit diellor në sëmundjen tuaj.

i)        Në qoftë se jeni në moshë të madhe gjithnjë pas konsultës me mjekun, ekspozimi në diell duhet te jetë i moderuar dhe duke zbatuar rregullat e ruajtjes nga rrezatimi diellor.

j)        Në qoftë se vuani nga sëmundjet e lëkurës duhet të këshilloheni me mjekun dermatolog për efektin e rrezatimit diellor.  Disa sëmundje si p.sh. psoriasis përmirësohen nga rrezatimi diellor, në të kundërt nuk lejohet ekspozimi në diell për Lupus eritematodes apo sëmundjet buloze të lëkurës.

k)      Në qoftë se konstatoni dicka  në lëkurën tuaj pas ekspozimit në diell duhet të kërkoni menjëherë ndihmën e mjekut dermatolog, sepse mund të jetë një problem i lehtë pa pasoja, por mund të fshehë edhe probleme më të rëndësishme.

Për t’u ruajtur nga efektet negative të kontaktit të lëkurës me ambjentin e pushimit duhet të kujdesemi sepse gjatë lojrave, ecjeve, shëtitjeve në natyrë ose edhe në rërën e plazhit, mund të kemi kontakt me bimë, insekte, kafshë apo mikrobe, të cilat mund të shkaktojnë probleme në lëkurë.

a)      Në plazh duhet të eliminohet kontakti i drejtpërdrejtë me rërën apo shezlonet e përdorimit të përgjithshëm. Këshillohet vendosja e një peshqiri në mënyrë që të shmangim marrjen e infeksionvet sidomos sidomos në plazhet jo të pastra.

b)      Këshillohet përdorimi i shapkave apo i sandaleve të plazhit sepse ato jo vetëm që zvogëlojnë kontaktin me papastërtitë e mundshme, por ruajnë edhe nga mikrotraumatizimet që mund të bëhen burime infkesioni.

c)      Uji i detit sidomos në plazhet e mëdha bëhet i rrezikshëm në rast se kemi plagë të ndryshme në trup dhe nuk është një faktor që i ”përthan” ato. Kështu uji mund të jetë burim i infeksionit për plagën.

d)     Gjatë aktiviteve të ndryshme fizike duhet të merrni masa të mos traumatizoheni sepse temperaturat e larta ndihmojnë në përhapjen e infeksioneve.

e)      Në rast traumatizimi duhet të këshilloheni menjëherë me mjekun apo infermierin që të merrni mjekimin e nevojshëm pë të shmangur një infektim të mëtejshëm të plagës.

f)       Pajisuni me kremra që largojnë mushkonjat ose insektet e tjera, sepse edhe pickimet e tyre mund të transmetojnë infeksione të ndryshme. Mjekimi i pickimeve është i domosdoshëm sepse plagët e shkaktuara nga kruarjet janë portë hyrjeje për mirkobe të tjera.

g)      Kafshët shtëpiake duhen kontrolluar sepse stina e verës ndihmon në përhapjen e infeksioneve që mund të kalojnë nga kafshët tek njeriu, siç janë mikozat e lëkurës.

h)      Fëmijët nuk duhet të luajnë për shumë kohë në ujin e cekët të plazheve të mëdha sepse uji i cekët është shumë më i ndotur se uji në thellësi.

i)        Fëmijët me infeksione të ndryshme nuk duhet të luajnë me fëmijët e tjerë sepse mund të përhapin infeksionin. Infeksionet mikrobike të lëkurës përhapen shume shpejt tek fëmijët.

j)        Menjëherë kërkoni ndihmën e mjekut kur fëmija juaj shfaq diçka në lëkurë. Një problem i vogël mjekohet shumë më shpejt në krahasim me periudhën e përkeqësimit.

k)      Nëse jeni alergjikë ndaj pickimeve duhet t’i shmangeni atyre, por njëkohësisht duhet të keni në çantën e ndihmë së shpejtë medikamentet e këshillura nga mjeku si: Antihistaminikë, kortizonikë ose edhe adrenalinë për urgjencë.

l)         Në çantën e ndihmës së shpejtë duhet të keni pambuk, garza, betadinë, alkol si dhe ilaçe të ndryshme që mund t’i përcaktoni së bashku me mjekun tuaj të familjes në bazë  të problemeve shëndetsore që mund të keni ju ose familja juaj.

 

Këshilla të përgjithshme për kujdesin ndaj lëkurës suaj:

a)      Ruajta e higjenës personale është e domosdoshme. Pas mbarimit të plazhit ose banjave në pishina duhet të bëni dush me ujë të pastër.

b)      Duhet të pini shumë ujë, sepse ndihmon organizmin në përgjithësi në periudhën e nxehtë, por edhe lëkurën që të mos pësojë efektin negativ të tharjes.

c)      Pas banjës me ujë të pastër duhet ta hidratoni lëkurën me krem hidratant.

d)     Gjithashtu mund të drejtoheni tek mjeku dermatolog për mjekime të ndryshme si mesoterapia apo Hydro Facial që ne aplikojmë në klinikën tonë.

e)      Mesoterapia ka marrë përdorim të gjerë vitet e fundit për faktin se është një metodë e cila nëpërmjet disa injeksioneve të vogla e ushqen lëkurën me të gjitha ato elemente që mungojnë ose janë pakësuar. Vlera e saj qëndron në faktin se mund të injektojmë në lëkurë sasinë e duhur të elementeve të duhur, në thellësinë e duhur, rezultat i cili nuk përftohet dot as me kremra kozmetike dhe as me barna nga goja. Kështu efekti i mjekimit është maksimal, për një kohë më të gjatë dhe pa efektet anësore të barnave të ndryshme. Nëpërmjet saj dermatologu duke vlerësuar lëkurën dhe nevojat e saj, përdor elementet e ndryshme për të cilat ajo ka nevojë. Pas saj përftojmë shkëlqim të lëkurës së fytyrës, hidratim, tonizim dhe rritje të elasticitetit. Kjo metodë duke përzgjedhur barnat e duhura përdoret edhe për mjekimin e celulitit, në cikatricet pas plagëve, në rënien e flokëve etj. Por kjo metodë përdoret edhe më gjerë në mjekësi si në dermatologji, ortopedi etj.

f)       Trajtimi HydraFacial ™ është një hop i ri në teknologjinë e estetikës. Ai u quajt kështu nga  fjala “Hidratim”. Kjo aftësi për të hidratuar lëkurën e veçon ™ HydraFacial nga të gjitha procedurat e tjera të përmirësimit të pamjes së lëkurës. Trajtimi HydraFacial ™ largon qelizat e vdekura të lëkurës dhe  papastërtitë  (pikat e zeza), ndërsa njëkohësisht ”përmbyt” lëkurën me serume pastrimi, hidratimi, ushqimi dhe  antitoksikimi.  Trajtimi është qetësues, freskues, jo-irritues dhe me rezultate të menjëhershme dhe të dukshme.

 

Duke e mbyllur ju kujtojmë se duhet të pushoni dhe të kënaqeni, por në mënyrë të zgjuar. Nëse neglizhoni, do të rëndoni shëndetin duke prishur kështu edhe kënaqësinë e pushimeve.  Nëpërmjet këtij artikulli dhamë disa këshilla që mund t’ju ndihmojnë, por jeni vetë ju që do të ruani veten tuaj në bazë të parimit “Pan metron ariston”.(Çdo gjë me masë).

SHKARKO APP