Kura natyrale për lirimin e hundëve të bllokuara te fëmijët
Hundët e bllokuara te fëmijët mund të themi se është një nga “makthet” më të këqija të nënave, kjo pasi fëmija shfaq vështirësi në frymëmarrje dhe ushqyerje, duke bërë që ai të qajë vazhdimisht.
Nëse lihen pa trajtuar, hundët e bllokuara mund të shkaktojnë edhe probleme të tjera, si infeksion të veshit, nervozizëm dhe probleme sinusite, shkruan “shëndeti”. Më poshtë do të gjeni disa kura natyrale që mund t’ju vijnë në ndihmë për lirimin e hundëve te fëmijët.
Disa metoda natyrale për të liruar hundën e fëmijës
Para së gjithash na duhet t’ju theksojmë se në çdo rast duhet të veproni duke marrë parasysh moshën e fëmijës. Nëse ai është më i vogël se 3 muajsh dhe hunda është bllokuar për shkak të një viroze të lehtë, ju duhet të këshilloheni më parë me mjekun pediatër. Në raste të tjera, veproni kështu:
• I jepni fëmijës sa më shumë lëngje, jo vetëm ujë. Është shumë e rëndësishme që ai të konsumojë sa më shumë supëra dhe lëngje frutash apo perimesh.
• Hapni dushin në banjo dhe krijoni avull. Më pas futuni bashkë me fëmijën dhe qëndroni për disa minuta brenda banjos. Avulli është shumë efektiv në shkrirjen e sekrecioneve.
• Kompresat e ngrohta gjithashtu janë efikase në këtë rast.
• I vendosni disa gjethe mente poshtë hundës, kjo pasi kjo bimë ka veti kundër gripit, kollës, hundëve të bllokuara si edhe dhimbjes së fytit.
Nëse fëmija vuan nga ndonjë alergji, duhet të flisni me mjekun pediatër.