Kurat më të mira natyrale kundër alergjive

Ardhja e pranverës shoqërohet me një shpërthim të shfrenuar të polenit që shkakton alergji të forta tek shumë njerëz. Disa prej tyre mjaftohen me solucione farmaceutike e disa duhet të marrin medikamente më të forta.

Studimet parashikojnë se deri në vitin 2030, pritet të dyfishohet numri i të prekurve nga simptomat më minimale të alergjive: rrjedhje të hundëve dhe djegie të syve.

Sipas ekspertëve, 200 vjet më parë, numri i të prekurve nga alergjia ishte shumë i ulët. Por sot, 1 në 4 persona në botë vuajnë nga alergjitë,  inflamacioni i mukozës së hundës, syve, sinuseve, veshit të mesëm e të tjerë. Alergjitë sezonale mund të mbahen nën kontroll nëpërmjet disa barishteve shumë efikase, pa pasur nevojë për medikamente.

Çfarë i shkakton alergjitë sezonale

Alergjitë sezonale janë rezultat i një sistemi imunitar tërësisht konfuz. Çdo pranverë dhe verë, lulet lëshojnë polen, grimca që pushtojnë ajrin, të cilat kur bien në kontakt me rrugët e frymëmarrjes të dikujt që vuan nga riniti alergjik e detyrojnë sistemin imunitar të jetë i dhunshëm. Sistemi imunitar reagon në të njëjtën mënyrë sikur të ishte sulmuar nga një bakter apo virus vdekjeprurës.

Kurat më të mira kundër alergjive sezonale

Sipas të dhënave pikë së pari, është shumë e rëndësishme që një njeri që vuan nga alergji të tilla, të zbatojë një regjim të shëndetshëm dhe anti-inflamator ushqimor.

Hithra

Hithra është një nga barishtet më të fuqishme kundër alergjive sezonale. Hithra përmban histaminë, një përbërës që çlirohet nga qelizat si kundërpërgjigje ndaj një lëndimi, alergjie apo reagimi inflamator. Histamina kontrakton muskujt dhe zgjeron kapilarët e gjakut. Ekspertët thonë se sa më përvëluese të jetë hithra aq më efikase do të jetë ajo. Tretësirat me hithra të freskëta dhe çaji i barishtes duhet konsumuar rregullisht për të përmirësuar shëndetin e dobët si pasojë e alergjive.

Vitamina C

Vitamina C gjendet me shumicë tek frutat dhe perimet. Atë mund ta gjeni edhe në farmaci. Ju këshillojmë të konsumoni limona, portokalle, speca. Kjo vitaminë është efikase për të zhbllokuar hundët dhe shuar simptomat e pakëndshme të alergjive sezonale. Ekspertët rekomandojnë konsumin e të paktën 2 gramë vitaminë C në ditë.

Xhenxhefili

Xhenxhefili lufton inflamacionin dhe është një zgjedhje e shkëlqyer për ata që vuajnë nga sinoziti apo alergjitë e ndryshme. Xhenxhefilin mund ta përdorni rregullisht gjatë ditës si çaj duke e shoqëruar me mjaltë dhe limon.

Nenexhiku

Nenexhiku është shumë i mirë për të lehtësuar simptomat e alergjive, sidomos bllokimin dhe rrjedhjen e hundëve. Nenexhiku rekomandohet të shoqërohet me hithrën për të përgatitur një çaj për një rezultat më të mirë. Çaji i nenexhikut me hithër përgatitet si çajrat e tjerë bimorë. AgroWeb

SHKARKO APP