Masa drastike: Shitja e pijeve energjike do të bëhet e paligjshme për nxënësit

Shitja e pijeve me përmbajte të lartë kafeine si kanaçet e Red Bullit nën moshën 18-vjeçare do të bëhen të paligjshme në Angli.

Masa drastike vjen në mes të frikës se pija po ndihmon në obezitetin, prishjen e dhëmbëve, sjelljen e keqe dhe problemet e gjumit midis të rinjve.

Kjo nismë e kryeministres Theresa May u përshëndet nga aktivistët, përfshirë kuzhinierin televiziv Jamie Oliver, por kritikët thanë se qeveria ishte e fiksuar me ndalimin e gjërave.

Hulumtimet kanë gjetur se dy të tretat e të rinjve në moshë adoleshence konsumojnë pije energjike dhe po ashtu një e katërta e 6-9 vjeçarëve.

Por një pije prej 250ml mund të përmbajë rreth 80mg kafeinë – aq sa një filxhan i fortë kafeje dhe ekuivalent me pothuajse tre kanaçe coca-cola. Disa pije gjithashtu kanë 65 përqind më shumë sheqer sesa pijet e pa kafeinë.

Një kod vullnetar ka dalë në terren dhe është gjetur se një numër i madh dyqanesh tashmë e ndalojnë shitjen e këtyre pijeve tek moshat e reja.

Megjithatë, ministrat kanë vendosur të veprojnë pas shqetësimeve se shumë dyqane, kryesisht të vogla nuk janë dakord me këtë politikë.

Masat e vendosura për konsultim thonë se ndalimi do të zbatohej për pije me më shumë se 150mg kafeinë për litër.

Faqja e internetit të Red Bull thotë se përmban 80mg kafeinë në një enë 250ml – ekuivalente me 320mg për litër, shkruan joq.

Konsultimet kërkojnë pikëpamje nëse ndalimi duhet të zbatohet për nën 16 vjeç ose nën 18 vjeç.

Zonja May tha:

Obeziteti i fëmijëve është një nga sfidat më të mëdha shëndetësore që përballet ky vend dhe prandaj po ndërmarrim veprime të rëndësishme për të zvogëluar sasinë e sheqerit të konsumuar nga të rinjtë dhe për të ndihmuar familjet të bëjnë zgjedhje më të shëndetshme.
Me mijëra të rinj që konsumojnë rregullisht pije energjetike, shpesh për shkak se ato shiten me çmime më të lira sesa lëngjet e frutave, ne do të konsultohemi për ndalimin e shitjes së pijeve energjetike për fëmijët.
Është jetësore që të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që fëmijët të kenë fillimin më të mirë në jetë dhe unë i inkurajoj të gjithë që të parashtrojnë pikëpamjet e tyre.”
Ndërsa eksperti Oliver tha:

Ne kemi një problem masiv me fëmijët dhe pije energjetike. Shumë fëmijë i përdorin rregullisht ato për të zëvendësuar mëngjesin.
Mësuesit nga mbarë vendi më kanë thënë se si shpesh i ndërpresin mësimet në klasa për shkak të këtyre pijeve. Industria e pijeve energjike nuk ka menduar kurrë se këto produkte ishin të përshtatshme për fëmijët. Ata madje thonë në paketimin e tyre “nuk rekomandohet për fëmijë”. Prandaj shitja e tyre tek fëmijët nën 18-vjeç duhet të ndalohet sa më parë.
Unë jam i sigurt se prindërit dhe ekspertët shëndetësorë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar do ta mbështesin qeverinë në këtë nismë.”
Dyqanet që do të shkelin këtë ligj do të preken nga masa të ngjashme si për shitjen e cigareve, me gjobë prej 2.500 paundësh.

Konsultimi rreth hartimit të këtij ligji do të hapet sot dhe do të zgjasë 12 javë.

Duke parë se si njerëzit krijojnë varësi nga pijet energjike dhe nëse nuk e marrin dozën me të cilën kanë mësuar trupin ndihen të pafuqishëm, si mendoni a duhet marrë një masë e tillë edhe në Shqipëri? Jeni të ftuar të komentoni rreth kësaj teme.

Burimi Daily Mail

SHKARKO APP