“Më dhembin flokët”, pse ndjejmë të tilla irritime në rrënjën e fijeve?
Të gjithë e dimë që flokët, ndryshe nga shumë pjesë të tjera të trupit, nuk përbëhen nga nervat apo ndonjë fije tjetër ndjesore. Kështu, kur themi se na dhembin flokët, edhe vetë e kuptojmë që kjo nuk është shprehja e duhur për përshkrimin e situatës. Megjithatë, nuk gjejmë ndonjë mënyrë tjetër për të etiketuar ndjesinë e dhembjes që vjen nga rrënja dhe shtohet sa herë lëvizim fijet e flokëve.
Pse ndodh diçka e tillë? E vërtetuar shkencërisht, kjo vjen si pasojë e flokëve të palarë ose skalpit që prodhon yndyrë më shumë seç duhet. Këto faktorë çojnë në akumulimin e sebumit të skalpit, gjë që shkakton inflamacion dhe irritim në folezën e rrënjës. Nëse nuk e leni kokën kurrë të yndyrosur ose të palarë më shumë nga ç’duhet, atëherë dhembja ju vjen si pasojë e produkteve për flokë që mund të përdorni, si: kremërat, vajërat, shampot me shumë përbërës etj.
Nëse ju ndodh shpesh të ndjeni të tilla irritime, shmangni për disa kohë produktet e tepërta, lajeni kokën më shpesh, si dhe evitoni kapjet e flokëve lart. Kështu këshillojnë ekspertët!