Më në fund një shpresë e re për të sëmurët me kancer të trurit
Një vaksinë që mund të zgjasë jetën e personave të diagnostikuar me kancer të trurit duket premtuese.
Pacientët me glioblastoma, të cilët morën pjesë në studim, jetuan dyfish më shumë se ata që u ishin nënshtruar trajtimeve standarde.
Vaksina funksionon në bazë të qelizave imunitare, të cilat sulmojnë kancerin.
Trajtimet standarde për glioblastomën, një nga format më agresive të kancerit të trurit, janë kryesisht operacionet për heqjen e tumorit, të cilat ndiqen nga radioterapia dhe kemioterapia.
Sëmundja është ndër më të vështirat për t’u trajtuar dhe pacientët jetojnë vetëm 15-17 muaj pas operacionit.
Vaksina DCVax është ende në fazat eksperimentale, por rezultatet duken premtuese. 232 pacientë janë trajtuar deri tani me të.
Kjo vaksinë fuksionon në bazë të qelizave imunitare, të njohura si qelizat dendritike.
Ato merren nga trupi i pacientit dhe kombinohen me një kampion të tumorit.
Kur vaksina injektohet në trupin e pacientit, sistemi imunitar i kundërpërgjigjet kancerit.
Rezultatet paraprake të këtij studimi 11-vjeçar, të publikuar në “Journal of Translational Medicine”, treguan se ata që e morën këtë vaksinë jetuan mesatarisht 23 muaj pas operacionit.
Rastet më të suksesshme ishin disa pacientë që jetuan deri në 7 vjet pas operacionit./Gazeta Tema/