Mit apo e vërtetë?! Çfarë rrezikojmë nëse futemi në ujë menjëherë pasi kemi ngrënë
Të gjithë jemi këshilluar në plazh që të mos futemi në ujë direkt sapo kemi ngrënë, pasi na rrezikohet jeta. Në fakt, të dhënat shkencore në lidhje me mostretjen mes vakteve para larjes në ujë dhe rrezikut të mbytjes janë të pakta. Më poshtë janë disa këshilla se si duhet të veprojmë sapo kemi ngrënë një vakt në plazh
Një nga këshillat më të shpeshta që dëgjojmë kur jemi në plazh, është që të mos hyjmë në det menjëherë pasi kemi ngrënë. Rreziku më i madh është se mos brenda trupit tonë ndodh bllokimi i tretjes së ushqimit të konsumuar nga stomaku që vjen si pasojë e ndryshimit të menjëhershëm të temperaturës trupore kur futemi në det.
Por duhet theksuar se mostretja nuk ndodh vetëm kur ne zhytemi në ujë. Rreziqe të ngjashme vijnë edhe nëse ne kemi konsumuar një pije shumë të ftohtë ose kur kalojmë nga një ambient i ngrohtë në një ambient tjetër me ajër të kondicionuar që e ka ulur temperaturën.
Në Shqipëri, ashtu si dhe në vende të tjera, mbizotëron ideja se në ujë duhet të futesh rreth 1 orë pasi ti ke konsumuar një vakt. Dallim bën Italia, ku aty të rriturit u thonë fëmijëve që të presin të paktën tri orë përpara se të zhyten në ujë.
Në fakt, të dhënat shkencore në lidhje me mostretjen mes vakteve para larjes në ujë dhe rrezikut të mbytjes janë të pakta. Kjo ka bërë që Federate Ndërkombëtare e Shpëtimit të Jetës ta konsiderojë të pabazuar rekomandimin e shmangies së larjes në ujë pas ngrënies së vakteve.
Mirëkuptimi
Edhe pse rreziku i mbytjes në det vjen nga arsye të tjera, perceptimi që kur sapo ke ngrënë, rrezikon jetën nëse futesh në ujë të ftohtë, është një rregull i mirë për ta ruajtur veten. Pavarësisht kësaj, në Itali ndryshe nga ne, e teprojnë me faktin që duhet të presin tri orë përpara se të futen në ujë nëse kanë konsumuar ushqim. Për specialistët ky është një rregull që shfaq më shumë se përkujdesje, fiksim.
Koha e tretjes
Mjekët tregojnë edhe kohën që u duhet ushqimeve të ndryshme që të mund të treten normalisht në stomak. Kështu një lëngu frutash i duhet maksimumi 20 minuta që të kalojë në zorrë, një frutë e ngrënë do rreth gjysmë ore (20 minuta shalqiri, 40 minuta molla), perimet e gatuara 45-50 minuta, kurse patatet 60 minuta.
Stomakut i duhet që t’i tresë karbohidratet për rreth 1 orë. Edhe qumështit të skremuar dhe djathërave të freskëta i mjafton rreth një orë, kurse djathërave të staxhionuar mund t’iu duhen gati 4-5 orë që të treten në stomak.
Nëse ju keni ngrënë peshk, një orë është më se e mjaftueshme që të ndodhë plotësisht procesi i tretjes. Por kujdes për ju mishngrënësit, sepse stomakut i duhen 3 deri në 4 orë që ta tresë një biftek viçi, dhe deri në 5 orë për mishin e derrit.
Nisur nga këto të dhëna, tani do ta keni më të lehtë që të gjeni momentin më të mirë për trupin dhe shëndetin tuaj, për t’u futur në ujë kur jeni me pushime dhe gjithashtu të mos u bëni bisht ushqimeve nga frika se mos do të privoheni më shumë nga deti.