Mjekja Ilsa Mula: Si të parandalojmë virozat që prekin fëmijët gjatë dimrit

Flet për “Koha Jonë”, lidhur me rreziqet që i kanosen fëmijëve nga virozat e stinës, mjekja pediatre Ilsa Mula

Intervistoi: Sidorela Lepri

Gjatë ditëve të fundit temperaturat janë ulur ndjeshëm. Pikërisht në këtë periudhë të vitit, ulja e menjëhershme e temperaturave shoqërohet edhe me rritje të numrit të individëve të prekur nga virozat, veçanërisht fëmijëve.
“Çdo vit gjatë kësaj periudhe me qindra fëmijë i drejtohen vizitës tek pediatri me simptoma të infeksioneve të rrugëve të sipërme respiratore, rrufës, temperaturës së lartë, teshtimave  e dhimbjeve të fytit. Është përllogaritur që 10-15% e popullatës do të preken gjatë kësaj jave nga këto infeksione. Për shumë fëmijë këto janë shenjat e infeksioneve virale të stinës që do bëjnë ecurinë normale të tyre. Ndërsa për fëmijët e moshave shumë të vogla dhe për ato me sëmundje kronike kjo përbën një problematikë më të rëndësishme.”, rrëfen mjekja pediatre Ilsa Mula.
Por si shpjegohet që gjatë dimrit prekemi më shumë nga virozat? Cilat janë simptomat dhe grupmoshat më të prekura? Në çfarë rruge merren dhe si mund t’i parandalojmë?
Një intervistë për “Koha Jonë”, mjekja pediatre në spitalin Salus, Ilsa Mula i përgjigjet të gjitha pyetjeve. Ndër të tjera, ajo flet edhe për procesin e vaksinimit.

Gjatë këtyre ditëve ka pasur një ulje të ndjeshme të temperaturave. Sa rrezikohen fëmijët të preken nga virozat?

Çdo vit gjatë kësaj periudhe me qindra fëmijë i drejtohen vizitës tek pediatri me simptoma të infeksioneve të rrugëve të sipërme respiratore, rrufës, temperaturës së lartë, teshtimave  e dhimbjeve të fytit. Është përllogaritur që 10-15% e popullatës do të preken gjatë kësaj jave nga këto infeksione. Për shumë fëmijë këto janë shenjat e infeksioneve virale të stinës që do bëjnë ecurinë normale të tyre. Ndërsa për fëmijët e moshave shumë të vogla dhe për ato me sëmundje kronike kjo përbën një problematikë më të rëndësishme.

Si shpjegohet që gjatë dimrit biem më shpejt pre e këtyre virozave?

Është faktike që gati 5 milionë njerëz në botë sëmuren nga virozat këtë stine dhe gati çerek milioni prej tyre vdesin.  Kjo gjë shpjegohet pjesërisht me faktin që:
1. Viruset ndryshojnë  aq shpejt  (të ashtuquajturat mutacione), saqë organizmi është i papërgatitur për të luftuar tashmë virusin e ri të radhës. Antitrupat që ne kemi krijuar nuk e njohin me këtë virus.
2. Fëmijët rrezikohen më tepër për vete faktin se një pjesë të mirë të kohës e kalojnë në komunitet (çerdhe, kopshte, shkolla). Qëndrimi për një kohë të gjatë në një ambient të mbyllur, në kontakt të ngushtë me njerëzit e tjerë të sëmurë rrit mundësinë e përhapjes së viruseve më tepër, sesa në një ambient të mbyllur. Gjatë dimrit jemi më të prirur të përdorim mjetet e transportit publik, të frekuentojmë lokalet e mbyllura apo qendrat tregtare.
3. Me pakësimin e rrezeve të diellit pakësohet niveli i vit D në organizëm duke shpënë në dobësim të sistemit imun e duke na bërë me vulnerabël ndaj infeksioneve.
4. Kur thithim ajër të ftohtë enët e gjakut në hundë ngushtohen (që të mos humbasim nxehtësi ). Kjo frenon rruazat e bardha të gjakut (që janë ushtria mbrojtëse ndaj infeksioneve) të arrijnë mukozën e hundës e për pasojë edhe viruset kalojnë pa pengesa (kjo është arsyeja edhe pse mund të ftohemi nëse dalim jashtë me kokën e lagur).
Në dimër, ajri i ftohtë është i thatë dhe kjo përbën mjedisin perfekt që viruset të zhvillohen. Për ta ilustruar këtë është ndërmarrë një studim nga Mayo Clinic së fundmi, dhe është parë që thjesht përdorimi i një lagështuesi për ajrin në një ambient të mbyllur (studim i ndërmarrë në shkolla të ciklit të ulët) pakëson me 30% sasinë e viruseve në ajër.

Cilat janë virozat më të përhapura në këtë stinë të vitit?

Ndër virozat më të përhapura janë Rinovirus që është shkaktari më i shpeshtë i të ftohurës  në fëmijë dhe të rritur, VRS (virusi respirator sincicial) që është shkaktar i shpeshtë i infeksioneve të traktit të frymëmarrjes në fëmijë nën 1 vjeç. Virusi i gripit i tipit A(H1N1), A(H3 N2) dhe B.

Në çfarë rruge mund të merren këto viroza?

Infeksionet virale mund të përhapen në 3 mënyra:
1) Kontakti direkt me një person të infektuar.
2) Kontakti indirekt nëpërmjet prekjes së sipërfaqeve të kontaminuara.
3) Ekspozim ndaj një personi, i cili kollitet dhe teshtin.

Cilat janë grupmoshat më të rrezikuara të preken nga këto viroza?

Të gjitha moshat janë të rrezikuara të preken nga viruset nga i porsalinduri e deri tek mosha e tretë. Por do të thosha që më të riskuar për të bërë komplikacione janë fëmijët e moshës nën 1 vjeç dhe fëmijët që vuajnë nga sëmundje kronike.

Cilat janë simptomat e një viroze në këtë periudhë?

Virozat e stinës karakterizohen nga sekrecione nga hundët, që ditët e para mund të jenë të ujshme dhe transparente, dhe me kalimin e ditëve bëhen më të trasha dhe ndryshojnë ngjyrë. Fëmija ka kollë, teshtima, temperaturë nga ajo subfebrile deri në vlera të larta që shoqërohet me ndjesinë e mosrehatisë dhe të ndjerit jo mirë. Fëmijët nën 1 vjeç që janë infektuar nga VRS paraqiten përveç shenjave të përmendura më sipër, edhe me vështirësi në frymëmarrje, frymëmarrje të zhurmshme dhe mungesë oreksi. Në rastet më të rënda fëmija mund të bëhet shumë i irrituar apo letargjik.
Në rastin e Krupit apo laringitit akut, simptomat fillojnë me praninë e sekrecioneve nga hundët dhe temperaturë dhe përfundojnë që në orët e natës të kenë një kollë, e ashtuquajtur “lehëse” (pasi ngjan me të lehurën e qenit) dhe vështirësi në frymëmarrje që kërkon domosdoshmërish paraqitjen në spital.

Sa ndikon vaksina e gripit në parandalimin e virozëve?

Rekomandohet vaksina e gripit për çdo fëmijë mbi 6 muajsh si hapi i parë i rëndësishëm për mbrojtjen ndaj virusit të gripit.

Dhe së fundmi, cilat janë disa nga këshillat që do të jepnit për prindërit që t’i mbrojnë fëmijët nga prekja e këtyre virozave?

Duhet pasur parasysh që shumica e këtyre infeksioneve transmetohen me rrugë fekalo-orale dhe respiratore. Këshillat në këtë aspekt jepen në drejtim të  parandalimit ashtu edhe të trajtimit.
Parandalimi nënkupton këshillat si: larje e shpesh e duarve para ushqimit, pas daljes nga tualeti (sidomos nga ato publike), para fillimit të përgatitjes së ushqimeve apo pas ndërrimit të panolinit.
Trajtimi nënkupton: regjim shtrati, shmangni frekuentimin e çerdhes, shkollës, kampit apo punës për 24-48 orë, konsumin e sasive të mëdha të lëngjeve, përdorimi i paracetamolit apo ibuprofenit (antiinflamator jo steroid) në rast dhimbje apo temperaturë, spray antiseptik për fytin dhe dekongjestionante apo solucion fiziologjik për hundët.
Nëse kemi diarre apo  të vjella, rekomandohet përdorimi i  solucioneve rehidruese ORS në mënyrë frekuente dhe në sasi të vogla pa tentuar të marrim ushqime të tjera. 12-24 orë pasi të vjellat kanë ndaluar mund t’i kthehemi dietës normale të zakonshme. Kur diarreja dhe të vjellat janë të vazhdueshme dhe gjendja e përgjithshme e fëmijës apo adultit komprometohet. Kështu, nevojitet shtrimi në spital dhe rehidrimi dhe trajtimi  me rrugë venoze sipas vlerësimit të mjekut kurues.

SHKARKO APP