Mjeku Armand Boriçi: Si të minimizojmë rrezikun nga kanceri
Sëmundjet kancerogjene ose të njohura ndryshe tumoriale, janë shkaku i vdekjes së miliona njerëzve në të gjithë botën vitet e fundit. Disa prej tyre janë më të përhapura tek femrat dhe disa tjera tek meshkujt. Në vendin tonë, kanceri i gjirit është sëmundja tumoriale më e përhapur tek femrat dhe është cilësuar si një ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në vend. Ndërsa te meshkujt, kanceri i mushkërive mbetet sëmundja më e përhapur.
Cilat janë moshat që preken më shumë? Nga se shkaktohen kryesisht këto sëmundje? Si mund t’i identifikojmë?
Mjeku Onkolog në “Shërbimin Onkologjik në Banesë”, Armand Boriçi i jep përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve. Në intervistën për “Koha Jonë”, ai thekson rëndësinë e kontrolleve të herëpashershme dhe ndan disa këshilla sesi mund të minimizojmë faktorët favorizues të sëmundjes.
Intervistoi: Sidorela Lepri
Cilat janë disa nga sëmundjet kancerogjene më të përhapura në vendin tonë?
Nga praktika e punës sonë të përditshme, sëmundjet më të përhapura kancerogjene janë të shumta. Përsa i përket sëmundjeve tumorale tek femrat, vendin e parë e zë kanceri i gjirit. Kurse te meshkujt, përgjithësisht është kanceri i mushkërive, i cili pasohet nga kanceri i zorrës së trashë e pastaj me radhë.
Te femrat, kanceri i gjirit është bërë tepër shqetësues, përsa i përket moshave që preken. Edhe kanceri i qafës së mitrës po ashtu është një nga sëmundjet tumorale mjaft të përhapura. Vërejmë që preken mjaft edhe moshat e reja, jo vetëm ato në një moshë më të thyer. Çdo vit, i frikësohemi faktit që ka një ulje të moshës që preken nga këto sëmundje, megjithatë në kohët e sotme, përsa i përket diagnostifikimit të hershëm ekzistojnë të gjitha metodat ekzaminuese, duke përfshirë këtu të aparaturat e nevojshme për këto ekzaminime. Por ajo që është e rëndësishme është që te ne duhet të ekzistojë kultura për t’iu drejtuar mjekut, jo vetën sa herë që kemi shqetësime për shëndetin.
Cilat janë moshat që preken më së shumti nga sëmundjet tumorale (kancerogjene)?
Moshat e treta janë ato që preken më shumë, por duke marrë parasysh faktorët që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjeve tumorale të tilla si: mjedisi, stresi, kushtet dhe mënyra e jetesës, abuzimi me alkoolin dhe duhanin, janë të gjithë faktorë nxitës dhe stimulues. Këto kanë ndikuar në përshpejtimin e moshave që shfaqet kanceri. Sot kemi raste të shfaqjes së kancerit të gjirit edhe në moshën 20- vjeçare. Lidhur me pyetjen se cilat janë moshat që preken më së shumti nga këto sëmundje, ato kanë ndryshuar dhe variojnë si te femrat, por edhe meshkujt.
Kanceri i gjirit është cilësuar si një ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në vend. Zakonisht, në çfarë faze diagnostifikohet ky lloj kanceri?
Përsa i përket kancerit të gjirit, si mjekë specialist i këshillojmë që të bëjnë edhe një vetë-ekzaminim të gjirit. Të gjitha femrat e reja, duhet ta kontrollojnë veten e tyre edhe me anë të vetëë-ekzaminimit, por jo vetëm duke i drejtuar spitaleve apo klinikave. Kjo është një mënyrë e thjeshtë kontrolli që çdo femër mund ta bëjë kohë pas kohe. Nëse ato vërejnë që ka diçka që nuk shkon pas vetë-ekzaminimit, atëherë duhet të drejtohen tek mjeku.
Simptoma kryesorë është një formacion tridimensional që shpesh gruaja e dikton vetë gjatë palpacionit në pozicion në këmbë ose shtrirë. Një simptomë tjetër është ndryshimi i pamjes dhe pozicionit të gjirit. Gjiri mund të jetë më lart ose të ketë një ndryshim të lëkurës në formën e një edeme ose skuqje të saj.
Sa ndikojnë faktorët gjenetikë në shfaqjen e kancerit?
Sigurisht, faktorët gjenetikë ndikojnë. Ka disa lloje të sëmundjeve tumoriale që trashëgohen me anë të faktorëve gjenetikë. Zakonisht për sëmundjet kancerogjene thuhet “etimologjia e panjohur” ose thënë ndryshe shkaku i panjohur. Kurse faktorët e jashtëm, janë ato që e nxisin më shumë avancimin e sëmundjes.
Nga eksperienca juaj, si e presin pacientët lajmin kur mësojnë që janë prekur nga këto lloj sëmundjesh?
Këtu dua të theksoj rolin tepër të rëndësishëm që luan komunikimi mjek-pacient. Në momentin që ne mjekët vërejmë që ka diçka që nuk shkon dhe diagnostifikohet deri në analizën e fundit që është biopsia, aty përcaktohet lloji i kancerit dhe etapat. Këtu ekziston ajo dilema e përcjelljes së lajmit, kështu që përfshijmë edhe një familjar të dytë.
Si ka qenë ecuria e përhapjes së sëmundjeve tumoriale vitet e fundit, krahasuar me disa vite më para?
Realisht ka një rritje të numrit të pacientëve me tumore malinje gjatë viteve të fundit në vendin tonë, sikurse ka ndodhur edhe në vendet europiane dhe ato të ShBA-ve.
Në vendin tonë, pas vitit 2009 e në vazhdim, duke parë regjistrat themeltarë çdo vit dhe fluksin e pacientëve, ka një rritje shumë të shpejtë sidomos vitet e fundit, dua të theksoj. Numrat e rasteve janë rritur nga 1500 në 3000 dhe deri tek 7000 pacientë në vit. Kjo tregon rritjen e numrit të personave të prekura nga llojet e ndryshme të kancerit.
Ndërkohë që, ka një shtim të personave që preken nga këto sëmundje, po përsa i përket mënyrave të trajtimit dhe medikamenteve në dispozicion?
Në përgjithësi, janë të gjitha kushtet për t’i trajtuar me barnat e nevojshme mjekësore, si në spitalet shtetërore, po ashtu edhe ato private. Janë të gjitha barnat për të kuruar sëmundjet tumorale.
Çfarë shkaktarësh të tjerë ndikojnë në shfaqjen e sëmundjeve tumoriale?
Mënyra dhe kushtet e jetesës janë shumë të rëndësishme. Duhet që të mos konsumohen kategorikisht ushqimet e konservuara dhe ushqimet e shpejta. Këto duhen zëvendësuar me ushqime bio dhe të shëndetshme për organizmin.
Ndodh që edhe pacientët të kenë koncept të gabuar për sëmundjet kancerogjene. Ndikon kjo edhe në përfytyrimin që ato kanë për trajtimin e sëmundjes?
Të sëmurët që janë me kancer nuk e kuptojnë veten që janë prekur nga kjo sëmundje, pasi simptomat dhe fillimi i një tumori mund të ketë vite dhe ka hedhur “rrënjët” në trup. Pikërisht kanceri, është heshtja e një sëmundje që fillon herët dhe konstatohet vonë. Prandaj është e nevojshme kultura e të drejtuarit tek mjeku dhe check-up i përvitshëm. Për shembull, kanceri i gjirit, duhet të femrat të paktën njëherë në vit të bëjnë një kontroll.
Dhe për ta mbyllur, cilat janë disa këshilla që do të jepnit për të minimizuar faktorët favorizues të sëmundjes?
Këshilla kryesore dhe më e rëndësishmja është të mos neglizhojnë kontrollet rutinë të herëpashershme te mjekët specialistë. Është e rëndësishme që:
-Të kryejnë një jetë të shëndetshme.
-Të minimizojnë nivelin e stresit.
– Të përpiqen të jenë sa më racionalë në ndjekjen e dietave të caktuara, në kuptimin që të mos abuzojnë.
-Duhet të ecin sa më shumë dhe të merren me aktivitete fizike dhe ecja 4-5 kilometra në ditë është mëse e këshillueshme.
-Të ushqejnë mendime pozitive për të rigjeneruar imunitetin që të luftojë sëmundjen në tërësi.