Mjeku: Përdorimi i celularit, shkak për infeksionet e veshit tek adoleshentët
Gjatë stinës së verës të shumtë janë edhe infeksionet që na prekin. Por, kësaj here do të ndalemi te infeksioni i veshëve, por edhe dëmi që sjell zhurma që i shkaktojmë. Në intervistë për ”Report Tv”, ka folur mjeku orl Klevis Thomai, i cili tregon se papastërtitë shtojnë mundësitë për infeksione në vesh, teksa shton kujdesin që duhet të kenë prindërit me fëmijët gjatë stinës së verës.
Teksa të gjithë shijojnë pushimet nëpër plazhe apo edhe pishina, shëndeti dhe kujdesi ndaj tij mbetet ndër gjërat më të rëndësishmet. Mjeku ORL Klevis Thomai, thotë se Infeksionet në të shpeshta për veshin gjatë verës janë ato të kanalit të jashtëm të dëgjimit, të cilat prekin më shumë të rriturit se sa fëmijët. Të tilla infeksione krijohen më tepër për shkak të papastërtisë, por që japin dhimbje për të prekurit. Mjeku Thomai tregon se cilat janë simptomat.
”Ndodh një ngushtim aq i madh i kanalit sa nuk mund të futësh as majën e gjilpërës në kanal. Kjo ka dhimbje goxha të forta dhe kërkon një trajtim jo shumë të specializuar. Por, çfarë duhet bërë në këto raste? Kryesorja është vendosja e një tamponi, pra e një fitili thotë populli brenda në vesh, që të mund pika në këtë hapësirë të ngushtë të hyjnë brenda te infeksioni dhe ata që e kanë provuar e dinë që dhemb. Hidhen pikat që rrinë për kohë të gjatë se fitili hiqet pas 24 orësh. Në rastet kur dhimbja është edhe më e madhe, atëherë sygjerohet të jepet edhe një antibiotik oral”,-thotë mjeku.
Megjithatë, infeksionet nuk janë të vetme shqetësime për veshët. Zhurmat janë një dëmtim tjetër, si muzika e lartë apo përdorimi i celularit, i cili ndryshe nga infeksionet zhvillohet gradualisht, duke i dhenë problemet me kalimin e moshës. Shmangia e muzikës së lartë do të ishte një faktor që do ndihmonte shëndetin e veshëve tregon mjeku Thomai, por shton se duhet të bëhen kontrollet për normat e lejueshme të zhurmës .
”Zhurmat mbi 80 decibel thuhet se dëmtojnë veshin. Veshi ka disa qimëza të vogla brenda në nivel mikroskopik, që në çfarëdolloj goditje që pësohet nga jashtë, që është mbi 80 decibel mund të dëmtohen, mund të thyhen. Duhet të ketë dhe nga ISHP kontrolle të vazhdueshme lidhur me nivelin e zhurmës. Problemi tjetër është që personat mësohen me zhurmën. Pra, një person që ka qenë 100 herë në ambiente me zhurmë i janë shkatërruar 10% e aftësisë për të dëgjuar dhe ai e kërkon vetë muzikën më të lartë. Kjo bën që ai ta dëmtojë akoma më shumë”, pohon Thomai.
Por shqetësuese për mjekun mbetet edhe fenomeni që po ndodh te adolenshentët nga përdorimi i celularit. ”Me celularin meraku më i madh që kam për rininë sidomos është që shoh shumë goca dhe çuna të rinj që kanë shtrembërime të kolonës së qafës kryesisht nga përdorimi i celularit, që pastaj shfaqet me dhimbje koke dhe marrje mendsh”. Mjeku bën apel që gjatë pushimeve, por jo vetëm të tregohet kujdes për shëndetin ndaj veshëve. /Report TV/