Mjeku Rustem Celami: Sëmundjet gjinekologjike me të shpeshta dhe si kurohen ato

 

Intervistë me mjekun obstetër dhe gjinekolog, Rustem Celami

“Sëmundjet gjinekologjike me të shpeshta dhe si kurohen ato”

Intervistoi: Sidorela Lepuri

 

Vizita tek mjeku gjinekolog deri para disa vitesh konsiderohej si tabu për femrat shqiptare. Pavarësisht këtij mentaliteti që vazhdon edhe sot, mjekun obstetër dhe gjinekolog, Rustem Celami thotë se situata ka ndryshuar pozitivisht. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ai flet mbi dobinë e kontrollit të shpeshtë për sëmundjet që mund të rrezikojnë gratë. Gjithashtu, Celami flet dhe për një fenomen të ri, atë të marrjes së mjekimeve apo “konsultave” me anë të informacioneve të internetit. Sipas tij, kjo metodë rezulton jo efikase dhe shpesh herë me pasojë serioze për shëndetin. Ndaj këshillohet gjithmonë vizita në mjekët specialistë. Ai flet dhe për disa prej sëmundjeve kryesore gjinekologjike dhe mënyrës sesi duhen trajtuar ato.

Nga eksperienca juaj dhe nga ajo çfarë mund të keni konstatuar, ekziston ende kompleksi i hershëm për tu drejtuar tek mjeku gjinekolog në shoqërinë tonë?

Në përgjithësi, duhet theksuar fakti që në vendin tonë mungon kultura mjekësore. Me këtë dua të them se mungon kultura e vizitës tek mjeku në mënyrë periodike, pra për të bërë një vizitë mjekësore te mjeku pa patur ndonjë problem të caktuar shëndetësor, por thjesht për të bërë një vlerësim periodik të gjendjes shëndetësore në tërësi.
Kjo vizitë mjekësore zakonisht duhet të kryhet te mjeku familjes çdo 6 muaj apo një vit. Në këtë vizitë bëhet një vlerësim i gjendjes shëndetësore dhe kjo vizite plotësohet me ekzaminimet përkatëse plotësuese duke krijuar një mendim profesional më solid për gjendjen e përgjithshme, apo për ndonjë problematikë specifike që mund të diagnostikohet apo është diagnostikuar më parë dhe po mbahet në observim. Në vendin tonë, ne teorikisht e kemi të ndarë sistemin mjekësor në mënyrë shumë ideale; sistem mjekësor parësor, dytësor dhe terciar/universitar, por që nuk funksionon në harmoni dhe në mënyrë efecientë në realitet. Sistemi mjekësor parësor që në këtë rast është mjeku i familjes, sistemi dytësor i korrespondon spitalit të rrethit apo rajonit, dhe sistemi terciar/universitar që janë spitalet më të specializuara për të vendosur diagnoza më të vështira dhe të komplikuara si dhe për të bërë trajtime mjekësore më të avancuara që në vendin tonë janë spitalet publike në Tiranë. Tirana si qytet nuk ka spital të veçantë për popullatën e saj, por popullsia e këtij qyteti përdor spitalet terciare/universitare si QSUT, Maternitetet e Tiranës, Spitalin e Traumës, Spitalin e Sanatoriumit.
Përsa i përket vizitës rutinë te gjinekologu, në vendet me mjekësi të zhvilluara kjo ndodh në mënyrë periodike dhe në mënyrë shumë të natyrshme, ndërsa në vendin tonë për hir të së vërtetës këto vizita mjekësore nuk ndodhin në këtë formë. Popullata femërore në vendin tonë, pothuajse të gjithë, i drejtohen vizitës apo konsultës te gjinekologu vetëm kur ata kanë ndonjë problem të caktuar mjekësor gjinekologjik.

Mund të na thoni, si kanë ndryshuar raportet krahasuar me vitet e kaluara?

Për hir të së vërtetës duhet pranuar që ka ndryshime pozitive në krahasim me vitet përpara viteve 1990, kjo e dhënë nuk është nga ana ime personale sepse unë jam mjek i ri, por është një e dhënë nga profesorët dhe kolegët e mi që kanë punuar përpara viteve 1990. Pra, vizitat rutinë te gjinekologu, ku vetë femra kërkon të dijë gjendjen shëndetësore pa patur ndonjë patologji apo problem shëndetësor të organeve riprodhuese, janë shtuar pas vitit 1990. Gjithesesi, këto vizita janë shumë të pakta në krahasim me vendet e perëndimore. Gjithashtu, duhet theksuar që pas vitit 1990 ka patur ndryshime jo vetëm në perceptimin e marrëdhënieve mjek-pacient por edhe evolucionit të vetë mjekësisë me hapa galopante si në parandalimin e sëmundjes, diagnostikimin e hershëm dhe në trajtimin adekuat, aplikimin e teknologjisë në mjekësi, etj.

Teknologjia e informacionit dhe mundësia e marrjes së informacionit bruto nga ana e popullatës në tërësi dhe për sëmundje të ndryshme në veçanti ka ndryshuar në mënyrë të pa imagjinueshme në krahasim me vitet 1990. Ky informacion bruto jo profesional me anë të internetit ka edhe riskun e vet që një pjesë e femrave tentojnë mjekime nga më të ndryshmet thjesht të bazuara nga informacione jo profesionale që gjejnë në internet, dhe jo rrallë herë krijojnë dëmtime të organizmit, përpara se të konsultohen me mjekun.

Zakonisht, drejtohen tek gjinekologu sa herë që kanë ndonjë shqetësim specifik apo edhe thjesht për një konsultë?

Për fat të keq, femrat në vendin tonë drejtohen pothuajse të gjitha vetëm kur kanë probleme apo shqetësime specifike. Në përgjithësi nuk shikohet tendencë masive që të kenë një vizitë te gjinekologu si rutinë periodik, për të bërë papë testin e radhës, apo për të bërë vlerësimin përreth periudhës së menopauzës, etj.
Në vizitat më të shpeshta janë gratë shtatzëna që bëjnë ndjekjen e shtatzënisë, ku edhe kjo nuk është se bëhet në mënyrë të mirë organizuar sepse për fat të keq këshillimi përpara shtatzënisë këtu zë një vend shumë të papërfillshëm. Por edhe sistemi mjekësor primar, sekondar dhe terciar, me anë të sistemit të rekomandimit duhet thënë se nuk funksionon mirë. Ka edhe ato raste kur pas 1 apo 2 vitesh nuk kanë arritur të kenë një shtatzëni, kërkojnë ndihmën/këshillën e mjekut gjinekolog. Në këto raste ne mjekët gjinekologë vlerësojmë patologjitë e mundshme të aparatit riprodhues femëror duke proceduar me këshillimet dhe trajtimet e duhura sipas rastit.

Cilat janë disa nga sëmundjet gjinekologjike që diagnostifikohen më shpesh?

Problemet gjinekologjike më të shpeshta janë çrregullimet menstruale, infeksionet e ndryshme të organeve të jashtme dhe të brendshme gjenitale, sëmundjet inflamatore pelvike, problemet me çrregullimet pelvike si ato uro-gjinekologjike, prolapsi i organeve pelvike sikurse është rreshqitja e uterusit/mitrës poshtë, prolabimi/rënia e mureve të rrugëve të lindjes, tumoret beninje uterine (fibroidet/tumoret beninje të uterusit), problemet me qafën e mitrës nga infeksionet deri te patologjitë beninje dhe malinje, apo sëmundjet e vezoreve që nga kistet thjeshta, apo kistet e tjera, deri te masat beninje të ovareve. Tumoret malinje ose kanceri ovarial i hershëm për fat të keq diagnostikohen vonë, në stade të avancuara.

Po ato që diagnostifikohen më rrallë?

Ndër problemet gjinekologjike që diagnostikohen më rrallë janë anomalitë e ndryshme te lindura të organeve riprodhuese si: kanceri i vaginës, vuvlës, ovareve/vezoreve janë më të rralla krahasuar me ato të qafës.
Duke u bazuar nga të dhënat epidemiologjike perëndimore në rastin konkret Qëndrës së Parandalimit dhe Kontrollit të Semundjeve, SHBA; me rrallë diagnostikohen kanceri i vaginës (2500 raste në vit), pastaj kanceri i vulvës (afërsisht 4000 raste në vit), kanceri i qafës së mitrës (11000 raste të reja në vit) dhe pastaj vjen kanceri i ovareve (22000 raste të reja në vit ku 15000 vdesin, duke e bërë patologjinë malinje më vdekjeprurëse te femrat), për vete specifikën që janë silente në shumicën e rasteve, kjo është një sfidë edhe në onko-gjinekologjinë (nën-specialiteti që merret me problemet kancerogjene gjinekologjike) në vende të zhvilluara, sepse nuk arrihet të diagnostikohet në fazën e hershme. Në vendin tonë kjo disiplinë, onkogjinekologjia nuk është e zhvilluar në infrastrukturë dhe burime njerëzore. Një tjetër problematikë në vendin tonë që nuk është e zhvilluar është edhe endokrino-gjinekologjia. Në fakt obstetrika dhe gjinekologjia në vendet me mjekësi të zhvilluara janë të ndara në nën-specialitete dhe çdo mjek gjinekolog specializohet për këto nën specialitete dhe këtu praktikon mjekësi me kompetencë të mirëfilltë profesionale. Ndërsa në vendin tonë kjo nuk është e ndarë në mënyrë të mirëfilltë dhe kjo është një ndër problemet që ka sot shëndetësia e vendit tonë, përveç asaj infrastrukturore me ambiente dhe pajisje bashkëkohore.

Po ato më të rrezikshmet?

Në mjekësi dhimbja dhe temperatura janë engjëjt mbrojtës, sepse ata na sinjalizojnë se në trupin tonë po ndodh diçka. Sëmundjet më të rrezikshme janë ato që nuk kanë dhimbje apo shenja dhe simptoma të tjera të hershme. Më të rrezikshmet në diagnozën gjinekologjike janë ato malinje (kanceri) që edhe këtu ka tipe të ndryshme, rrjedhimisht ecuri të ndryshme dhe prespektivë të ndryshme. Për të përmendur disa: kanceri i organeve të jashtme është meëi rrallë, kanceri i vaginës, kanceri i qafës së mitrës, kanceri i endometrit ose kanceri i mitrës, kanceri i gjoksit, dhe sfidën përsëri e përbën kanceri i ovareve/vezoreve që zakonisht nuk diagnostikohet në fazat e hershme. Në fakt të rrezikshme jane të gjitha sëmundjet kancerogjene që diagnostikohen me vonesë, në stadet e avancuara të sëmundjes.

Nga se shkaktohen kryesisht këto sëmundje?

Sëmundjet gjinekologjike kanë shkaktarë nga ato më banale që janë higjena personale, infeksionet deri te risku i trashgueshmërisë së sëmundjeve. Gjithashtu, një rol luan edhe stili i jetesës ku ky term në aspektin profesional mjekësor ka të bëjë që nga ndërgjegjësimi i popullatës ndaj sëmundjeve të ndryshme; vizitat/konsultat te mjeku; përdorimi pa kriter i ilaceve – kontraceptiveve, ku në fakt në vendin tonë një pjesë e pacientëve i merr këto ilaçe pa recetën e mjekut; veset si konsumimi i duhanit; mbipesha; higjena seksuale – partnerët e shumtë; me rritjen e moshës rritet edhe risku për disa patologji malinje; në disa raste ka të bëjë edhe raca (si përshembull; çifutet të Europes Lindore, që quhen Ashkenazi, kanë risk të lartë për kancer të ovareve/vezoreve).

Dhe së fundmi, disa këshilla sesi mund ti parandalojmë?

Këshilla më universale është, parandalimi është kurimi më i mirë. Këtu fillon me vizitën periodike te mjeku i familjes, me vizitën/konsultën te gjinekologu në mënyrë të rregullt edhe pa patur probleme apo shqetësime (njëherë në vit), kryerjae pap test çdo vit si fillim pastaj çdo 3-5 vjet për të gjitha gratë 1 vit pas fillimit të aktivitetit seksual, ekografisë/mamografisë së gjirit pas moshës 40 vjeç kur nuk ka probleme apo histori mjekësore familjare dhe vizita/konsulta më e hershme kur ka histori në familje për patologji të ndryshme sidomos ato malinje. Vizita te mjeku pa vonesa për çdo çrregullim apo problem tjetër gjinekologjik.
Por doja të theksoja, se përshembull, pap testi nuk ka përse të jenë ekskluzive e mjekut gjinekolog, në shumë vende të botës pap testi merret nga mjeku i familjes. Si dhe shumë vlerësime të tjera për shëndetin e femrës mund të bëhen nga mjeku i familjes në mënyrë që të ofrohet një kujdesej mjekësore në nivel kalipar në rang vendi dhe të bëhet ndërgjegjësimi, parandalimi dhe diagnostikimi sa më i hershëm. Gjithesesi, kjo mënyrë përqasje kujdesi mjekësor e aplikueshme në mënyrë të përditshme duket e parealizueshme sepse kushtet infrastrukturore nëpër qendrat shëndetësore në nivel fshati apo lagje lënë për të dëshiruar, nuk kanë pajisjet dhe materialet e duhura për ta bërë një gjë të tillë. Sikurse mungon edhe trajnimi i mirëfilltë për problemet gjinekologjike të mjekëve të përgjithshëm apo mjekëve të familjes që punoj në sistemin parësor. Ndërgjegjësimi i popullatës nga institucionet që bëjnë politikat mjekësore është në nivel shumë të dobet, sikurse duhet të jetë mirëfunksionimi real i mbulimit universal të kujdesit shëndetësor në vendin tonë. Përshembull, subvencionimi nga shteti i vaksinës për kancerin e qafës së mitrës (vaksinës për dy tipet e HPV, paguhet nga shteti për të gjithë vajzat 11-12 vjeç deri 26 vjeç, dhe kjo vaksinë mund të jepet edhe në vajzat që 9 vjeçe). HPV –virusi papiloma humane shkakton kancer të qafës së mitrës vaginës dhe vulvës. Vaksina e HPV jepet ne 3 doza. Ekzaminimi i mamografisë të mos mbetet një shoë mediatik port e jetë realitet dhe i prekshëm nga popullata.
Mirëmenaxhimi i burimeve njerëzore profesionale, si në rastin e dhënies prioritet nën-specialiteteve duke trajnuar specialistë brenda dhe jashtë vendit, si dhe plotësimin me staf mjekësor të specializuar të spitaleve në rang rrethi apo poliklinike. Sepse sot në vendin tonë ka shumë spitale nëpër rrethe që nuk kanë mbulim me gjinekolog, pra e përkthyer në shifra janë me mijëra dhe mijëra persona që nuk mund ta marrin kujdesin shëndetësor në vendin e tyre të banimit.

 

SHKARKO APP