Mungesa e gjumit mund t’ju vrasë, ja si ndikojnë në tru dhe trup më pak se 7 orë gjumë

Rreth 33% e të rriturve amerikanë nuk flenë mjaftueshëm dhe problemet me gjumin mund të kenë pasoja serioze për trurin dhe trupin tuaj.

Shumica e njerëzve mendojnë se mund t’ia dalin kur flenë më pak se shtatë orë brenda një nate – sasia e rekomanduar nga doktorët për shumicën e të rriturve – ose thonë se duhet të flenë më pak për shkak të detyrimeve familjare dhe atyre të punës.

Edhe i pari i kompanisë Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, së fundmi e kishte pranuar në një intervistë për ‘The New York Times’ se orët e gjata duke punuar janë duke ndikuar në mirëqenien e tij dhe miqtë janë duke u shqetësuar për të.

Kjo kishte ndikuar që Arianna Huffington të publikonte një letër të hapur drejtuar Musk-ut rreth orarit të tij të gjumit, duke i thënë se ai është duke e demonstruar një mënyrë joefiçiente dhe antishkencore të shfrytëzuarit e energjisë njerëzore.

Përgjigja e Musk, në orën 2:30 të mëngjesit, kishte qenë: “Sapo u ktheva në shtëpi nga puna. Nëse mendon se kjo çfarë bëj unë është opsionale, atëherë e ke gabim”.
Siç duket, Musk e kupton se 120 orë punë në javë vërtet janë të dëmshme.

Matthew Walker, neuroshkencëtar dhe ekspert i gjumit, më parë kishte thënë për ‘Business Insider’ se sa më pak që flini, aq më pak jetoni.

Shumica e të rriturve duhet t’i bëjnë shtatë deri në nëntë orë gjumë, ndërkaq fëmijët duhet të flenë edhe më shumë, ndonëse kjo sasi varet nga personi në person, raporton telegrafi.

Pavarësisht orës tuaj të trupit, mungesa e gjumit do t’ju shkaktojë probleme fizike dhe mendore.
Këto janë disa prej pasojave shëndetësore që jua sjell mungesa e gjumit:

– Mungesa e gjumit është e ndërlidhur me një rrezik më të lartë të disa llojeve të kancerit, duke përfshirë atë të zorrës së trashë dhe të gjirit

– Lëkura nuk shërohet aq mirë nga dëmtimet kur jeni të lodhur, e kjo shpie në plakje më të shpejtë të lëkurës

– Personat e lodhur e kanë më të vështirë t’i kontrollojnë impulset e tyre, potencialisht kjo shpie në sjellje të pashëndetshme dhe shtim të peshës.

– Personat ndihen më të vetmuar pas netëve pa gjumë dhe vetmia vetëm sa e vështirëson rënien në gjumë.

– Përgjumja e vështirëson procesin e të mësuarit dhe e pengon kujtesën afatshkurtër.

– Problemet afatgjata me gjumë e dëmtojnë edhe kujtesën afatgjate.

– Një numër i madh i studimeve e ndërlidhin gjumin e keq me shenja të Alzheimerit në tru.

– Rreziqet e sëmundjeve të zemrës rriten kur nuk flini mjaftueshëm.

– Personat që nuk flenë mjaftueshëm e kanë kohën më të ngadaltë të reagimit.

– Gjumi ju nevojitet për t’i forcuar muskujt. Pa gjumë shfaqet atropia e muskujve.

– Mungesa e gjumit është e ndërlidhur me dhimbje të kokës, etj.

SHKARKO APP