Ndalohet reklamimi i barnave që jepen me recetë mjeku

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka miratuar rregulloren për mënyrën e kryerjes së publicitetit të barnave, ku lejohet të reklamohen vetëm ato që janë pjesë e listës së barnave pa recetë. Publiciteti drejtuar popullatës është i ndaluar për barnat që shpërndahen kundrejt recetës së mjekut, dhe për të gjitha barnat narkotike dhe psikotrope, sipas ligjeve në fuqi.

Ndërkaq, publiciteti i barnave për të cilat është e lejuar t’i drejtohet popullatës, duhet të përmbajë të paktën një nga informacionet emrin tregtar të barit dhe emrin EPN të lëndës aktive, kur bari përmban vetëm një lëndë aktive. Po kështu, duhet të përmbajë edhe informacionin lidhur me mënyrën e përdorimit të barit si dhe informimin e pacientëve lidhur me leximin e kujdesshëm të fletudhëzuesit ose të udhëzimeve në paketimin e jashtëm ose në paketimin parësor të barit

Rregullorja e re e miratuar përcakton gjithashtu edhe mënyrën e publicitetit të barnave përmes internetit. Përmbajtja e faqes së internetit duhet të ndahet, sipas kategorive të përdoruesve, në një seksion të destinuar për popullatën dhe në një seksion për profesionistët e kujdesit shëndetësor. Faqet e destinuara për profesionistët e kujdesit shëndetësor duhet të mbrohen nga një emër përdoruesi dhe fjalëkalimi.

Publiciteti i barit duhet të sigurojë që informacioni i transmetuar të jetë i vërtetë, shkencërisht i provuar, dhe në përputhje me kriteret etike, me qëllim që pacienti të trajtohet në mënyrën e duhur dhe racionale, pa keqorientuar profesionistët e shëndetit kur të rekomandojnë, përshkruajnë ose shpërndajnë barin, por edhe pacientët (përdoruesit e barit), në rastet kur publiciteti i drejtohet popullatës. Spoti publicitar i cili do të aprovohet nga autoriteti shëndetësor përkatës (AKBPM), të ketë gjuhë të pastër shqipe dhe të jetë lehtësisht i kuptueshëm nga popullata të cilës i drejtohet.

SHKARKO APP