Ndryshimi mes trurit të femrave me atë të meshkujve
Truri i femrës plaket më ngadalë dhe mesatarisht është të paktën tre vjet më i ri se truri i bashkëmoshatarëve meshkuj. Ky është zbulimi i fundit nga Universiteti i Washington në St Louis dhe i publikuar në revistën e Akademisë Amerikane të Shkencave PNAS.
Kështu gratë janë gjithnjë më të reja në terma biologjikë, ose të paktën i tillë është truri i tyre. Ky rezultat mund të shpjegojë edhe faktin se në moshë të avancuar gratë, përsa i përket arsyetimit, memories, zgjidhjes së problemeve janë më të shëndetshme mendërisht se meshkujt e të njëjtës moshë.
Ndryshimi qëndron në mekanizmat e metabolizmit cerebral, pra mënyra se si truri konsumon sheqernat me kalimin e moshës. Nga eksperimentet e kryera ka rezultuar se duke nisur nga mosha 20 e sipër, truri i femrës është 3.8 vjet më i ri se ai i mashkullit.
Analizat janë kryer mbi të dyja gjinitë dhe me anë të rezonancës magnetike rezultati ka qenë i njëjtë. Diferenca është domethënëse dhe studimet do të vijojnë në këtë drejtim.