Në Shqipëri për turizëm shëndetësor
Në Shqipëri jo vetëm për pushime por edhe për të marrë kujdes shëndetësor. Është ky trendi që njeh rritje kryesisht në muajt e verës, falë edhe emigrantëve shqiptarë që lënë vendet ku jetojnë për të marrë disa shërbime në Shqipëri. Flori jeton prej 20 vitesh në Angli, por për të kryer shërbimin dentar shfrytëzon vizitat në Shqipëri.
Jo vetëm emigrantët shqiptarë, por këtë shërbim e marrin edhe të huajt. Sipas Institutit të Statistikave, në 4-mujorin e parë të vitit 219 shtetas të huaj i janë drejtuar Shqipërisë për turizëm shëndetësor, dhe e krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të 2018-ës shënon një rritje prej 210%. Këtë numër në rritje e pohojnë edhe stomatologët në shërbimin e tyre.
Edhe pse Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e të huajve në sektorin shëndetësor, ende ky lloj turizmi nuk paraqet qëndrueshmëri. Po sipas INSTAT në 2018 pati një rënie prej 56% të numrit të hyrjeve të të huajve me qëllim trajtimin shëndetësor krahasuar me 2017-ën.