“Neurology”: Të lexuarit dhe aktivitetet mendore, potenciale në frenimin e progresit të Alzheimerit

Një studim i botuar më 11 shkurt 2026 në revistën “Neurology” tregoi se njerëzit që angazhohen në vazhdimësi në aktivitete mendore stimuluese — si leximi, shkrimi dhe mësimi i gjuhëve të huaja — mund të vonojnë fillimin e sëmundjes së Alzheimerit deri në pesë vjet dhe të ngadalësojnë shfaqjen e përkeqësimit të lehtë të funksioneve njohëse deri në shtatë vjet.

Studiuesit ndoqën 1 939 pjesëmarrës me moshë mesatare rreth 80 vjeç, të cilët në fillim të studimit nuk kishin simptoma të demencës.

Ata u monitoruan për një periudhë mesatare prej tetë vjetësh.

Swiss Digital Desktop Reklama

Pjesëmarrësit plotësuan pyetësorë të detajuar mbi aktivitetet mendore dhe të të mësuarit gjatë tre periudhave të jetës së tyre: para moshës 18-vjeçare, në moshë të mesme dhe në moshën e tretë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Këto përfshinin:
Sa shpesh kishin lexuar
-Nëse kishin mësuar gjuhë të huaja për mbi pesë vjet
-Pjesëmarrje në aktivitete kulturore si muze dhe biblioteka
-Lexim, shkrim dhe lojëra mendore në moshë të tretë.

Rezultatet kryesore:
-Personat 10% më aktivë mendërisht gjatë gjithë jetës kishin një rrezik prej 38% më të ulët për të zhvilluar Alzheimerin krahasuar me personat 10% më pak aktivë.

-Rreziku i përkeqësimit të lehtë njohës ishte 36% më i ulët te grupi më aktiv.

-Mesatarisht, njerëzit më aktivë mendërisht zhvilluan Alzheimerin në moshë 94-vjeçare, ndërsa grupi me aktivitet më të ulët e zhvilloi atë mesatarisht në moshë 88-vjeçare — një vonese prej rreth 5 vjetësh.

Edhe kur vëzhgimet e trurit treguan shenja të sëmundjes së Alzheimerit – pjesëmarrësit me aktivitet të lartë intelektual ruanin aftësi më të mira mendore përpara se të shfaqeshin simptomat.

Kërkuesit theksuan se studimi nuk provon se aktivitetet mendore “parandalojnë” Alzheimerin, por sugjeron se ndërtimi i një rezistence mendore gjatë jetës – mund të ndërtojë një “rezervë njohëse” që lejon trurin të funksionojë mirë për më shumë kohë, edhe kur ndryshimet biologjike të sëmundjes janë prezentë.

Ekspertët thanë se ky zbulim nënvizon rëndësinë e qasjes në stimulime intelektuale gjatë gjithë jetës, si bibliotekat, programet e edukimit dhe aktivitetet kulturore, për të mbështetur shëndetin e trurit gjatë plakjes. ATSH

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?