Nga celuliti tek variçet, problemet që shkaktojnë xhinset e ngushta
Na bëjnë të dukemi më të dobët dhe më në formë? Padyshim. Pantallonat apo xhinset e ngushta duam apo s’duam ne, janë pjesë e garderobës sonë në çdo stinë të vitit.
Masat e ngushta deri tek extra small janë të preferuara për t’u dukur në formë dhe për të fshehur deri diku defektet trupore. Në këtë rast, të dukesh bukur dhe me stil sipas hulumtimeve të fundit nuk është edhe aq e shëndetshme. Kjo sepse veshjet e ngushta kanë një ndikim të konsiderueshëm në organizëm.
Por për çfarë rreziqesh bëhet fjalë?
Variçet: Xhinset e ngushta, njohur ndryshe si skinny jeans, mund t’ju bëjnë të dukeni më të dobëta, por t’i mbani veshur gjithë kohës mund të çojë në shfaqjen e variçeve pasi ngadalësojnë qarkullimin e gjakut. Si rrjedhojë trupi prodhon shumë progesterone që më pas sjell zgjerimin e venave.
Celuliti: Shtatzënia, çrregullimet hormonale dhe luhatjet në peshë janë disa prej shkaqeve kryesore që çojnë në shfaqjen e celulitit, ose siç njihet mes vajzave dhe grave “lëkura e portokallit”. Duam t’ju sqarojmë se nuk janë xhinset ato që shkaktojnë celulitin, por duke i mbajtur gjithë kohës veshur pengon qarkullimin e gjakut, si dhe kontrakton nyjet lidhëse dhe muskujt.
Probleme me tretjen: Sa herë ju ka ndodhur ta ndieni veten të lodhur pas një vakti? Me siguri me qindra herë, mirëpo përpara se të kërkoni fajin në pjatë, ulni kokën nga rripi i pantallonave, i cili pengon stomakut të zgjerohet teksa ushqeheni. Jo vetëm kaq, xhinset e ngushta shkaktojnë gjithashtu probleme me tretjen, aciditet dhe refluks gastrik.