Një dietë e veçantë me pak kalori mund ta shërojë diabetin e tipit 2
Shërbimi Kombëtar i Shëndetit në Britani të madhe do t’i ftojë 5 mijë persona me diabet të tipit 2 që të marrin pjesë në një hulumtim për ta luftuar këtë sëmundje.
Kjo synohet të arrihet përmes një diete që nuk ka më shumë se 800 kalori në ditë, në të cilët përfshihet supa dhe pijet e përziera.
Kjo dietë do t’iu ndihmojë njerëzve me mbipeshë që ta largojnë dhjamin e grumbulluar përreth organeve të brendshme, përfshirë pankreasin, gjë e cila më pas e shkakton diabetin e tipit 2.
Për trajtimin e diabetit, sistemi shëndetësor britanik e shpenzon 10% të buxhetit të vet. Kjo sëmundje mund të shkaktojë verbim apo amputim të gjymtyrëve.
Kjo masë është përpjekje për ta parandaluar rritjen e shpejtë të numrit të personave me mbipeshë. Në vitin 2016, dy të tretat e të rriturve dhe një e treta e fëmijëve kishin probleme me mbipeshën.
617 mijë persona ishin shtruar në spital për një vit shkaku i mbipeshës. Programi për parandalimin e diabetit ofron ndihmë dhe mbështetje për të humbur peshë dhe për ta bërë një jetë fizikisht më aktive.
Një organizatë për diabetin i ka rekrutuar më herët 300 persona me diabet të tipit 2 nga Skocia, për ta testuar dietën me lëngje, e cila nuk ka më shumë se 800 kalori. Ky testim zgjati tre muaj.
Pas një viti, shenjat e sëmundjes u zvogëluan dukshëm. 86 për qind e personave që humbën më shumë se 15 kilogramë, ishin në gjendje më të mirë shëndetësore sesa para fillimit të dietës, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.