OKB: Ballkani përballet me nivele alarmante të ndotjes së ajrit
Njerëzit në të gjitha qytetet e mëdha të Ballkanit Perëndimor përballen me nivele alarmuese të ndotjes së ajrit, pasi rajoni i pazhvilluar, politikisht i brishtë, vazhdon të varet nga djegia e qymyrit për të gjeneruar energji, thuhet në një raport të Kombeve të Bashkuara, të publikuar të hënën.
Raporti i Programit të OKB-së për Mjedis u përgatit në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe institucionet e menaxhimit të cilësisë së ajrit në Shqipëri, Bosnje, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.
Ai bazohet në të dhënat e mbledhura prej 274 ditësh në vit.
“Popullsia është e ekspozuar ndaj disa prej përqendrimeve më të larta të ndotjes së ajrit në Evropë”, thotë raporti, i cili e identifikon mungesën e qasjes së rajonit në burimet moderne të energjisë së rinovueshme si shkak kryesor të ndotjes së ajrit.
Pesëmbëdhjetë centrale aktive me qymyr në pesë vende të Ballkanit Perëndimor hedhin në ajër sasi të konsiderueshme të dioksidit të squfurit, oksidit të nitrogjenit dhe pluhur, thuhet në raport.
Sipas të njëjtit, ndotja e ajrit në qytetet e Ballkanit Perëndimor “shkakton 15% deri në 19% të totalit të vdekshmërisë dhe zvogëlon jetëgjatësinë prej 1.1 deri në 1.3 vjet”./Rel