Organizohet në Lushnje Tryeza e Rrumbullakët “Autizmi Flet”
Në kuadrin e aktiviteteve ndërgjegjësuese që po zhvillohen për 2 Prillin – Ditën Botërore të Autizmit, – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë dje (1/4/2015) në Tryezën e Rrumbullakët me temë “Autizmi Flet”, të organizuar në qytetin e Lushnjës nga Shoqata “Prindër Së Bashku për Zhvillimin e Fëmijëve” në bashkëpunim me Komitetin Kombëtar të Shëndetit Mendor.
Në takimin që synonte rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të popullatës rreth këtij çrregullimi bioneurologjik të trurit, i cili bëhet shkak për një aftësi të përhershme të kufizuar të zhvillimit të fëmijëve të njohur si gjendja shëndetësore e “autizmit”, morën pjesë edhe z. Klodian Rjepaj, Zv.Ministër i Shëndetësisë dhe njëkohësisht Drejtues i Komitetit Kombëtar për Shëndetin Mendor, z. Petrit Vasili, Deputet i LSI dhe ish-Ministër i Shëndetësisë, znj. Klodiana Spahiu, Nënkryetare e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale, si dhe drejtues të qeverisjes vendore të rrethit të Lushnjes, prindër, aktivistë e qytetarë të rrethit të Lushnjes.
Duke falënderuar organizatorët e takimit, dhe veçanërisht prindërit pjesëmarrës në takim për të gjithë përpjekjet për vetëdijësim e qasje të informuar ndaj pasojave dhe mënyrave se si mund të trajtohet ky çrregullim, Ministri Beqaj theksoi se përtej asaj çka këta prindër bëjnë, që është diçka e mrekullueshme, ka ardhur momenti që edhe vetë shteti apo qeveria duhet të bëjnë më shumë.
“Sigurisht që shteti duhet të bëjë më tepër,” – tha më tej z. Beqaj, duke shtuar se “profilet politike të dy partive që përbëjnë koalicionin tonë, janë profile që tregojnë se sa më shumë që është në gjendje shoqëria të ndihmojë shtresat në nevojë, personat me aftësi të kufizuar, aq më shumë është i ngjizur vetë indi social i shoqërisë, dhe në fund të fundit, këtu bëhet dallimi i një shoqërie të zhvilluar me një shoqëri më pak të zhvilluar”.
Kreu i shëndetësisë siguroi pjesëmarrësit në takim se MSH ka gati tashmë një plan pune, i cili parashikon që, duke filluar nga viti tjetër, të marrë përsipër financimin e një pjese të shërbimit të specializuar shëndetësor që kërkohet në këtë rast. Gjithashtu, do të vazhdohet edhe me punën për rritjen e mëtejshme të kapaciteteve të mjekëve të përgjithshëm dhe pediatërve për ta zbuluar këtë çrregullim në një stad sa më të hershëm, dhe sigurimin e një shkalle më të lartë e më të gjerë bashkëpunimi ndërsektorial dhe të specializuar të të gjithë strukturave qeveritare.
Në fjalën e tyre, z. Vasili dhe znj. Spahiu e vunë theksin tek rëndësia që ka përherë e më tepër decentralizimi i shërbimeve shëndetësore dhe sjellja e kujdesit shëndetësor sa më pranë njerëzve për trajtimin e këtyre rasteve, zhvillimet e fundit që lidhen me rritjen e shkallës së njohjes së metodikave e praktikave të trajtimit të saj, si dhe rëndësinë që merr vigjilenca mjekësore, por edhe roli i pazëvendësueshëm i prindërve në këtë drejtim.