Përdorni shumë “Facebook”? Ja sa duhet të qëndroni në këtë rrjet social
Të kaluarit shumë kohë në rrjetet sociale, nuk na bën të lumtur. Dhe faji është pikërisht i platformave që megjithëse mundësojnë lidhjen virtuale mes njerëzve, rrisin nivelin e perceptimit të vetmisë.
Megjithatë, fenomeni nuk është shumë shqetësues, pasi mjafton ta reduktojmë përdorimin e këtyre rrjeteve në 30 minuta në ditë, për të ulur nivelin e shqetësimit.
Ky rezultat ka dalë nga një studim i kërkuesve në Universitetin e Pensilvanisë, të cilët kanë gjetur lidhjen mes kohës së kaluar në rrjetet sociale me nxitjen e simptomave depresive. Kërkimi ka përfshirë 143 studentë të universitetit, mes moshës 18 dhe 22 vjeç, me përparësi femrat dhe ka monitoruar përdorimin e tre platformave kryesore: “Facebook”, “Instagram” dhe “Snapchat”.
Në fazën e parë, secilit prej pjesëmarrësve i është kërkuar një vlerësim në lidhje me perceptimin e mirëqenies personale dhe sasinë e orëve të shpenzuara në ditë, duke hulumtuar nëpër rrjetet sociale, shkruan TCH.
Në këtë pikë, çdo grup vullnetarësh, i zgjedhur në mënyrë rastësore, i është kërkuar ta reduktojë me 10 minuta në ditë kohën e kaluar “online” në secilën platformë, në një kohë optimale prej 30 minutash në ditë. Në vetëm tre javë të eksperimentit, grupet që i kishin modifikuar zakonet e tyre të qëndrimit në rrjetet sociale, arritën si rezultat një mirëqenie më të lartë në gjendjen e tyre emocionale.