Personat me probleme mendore. Psikiatri: Shkak edhe i nxehti

Me ardhjen e verës rëndohet gjendja e njerëzve që kanë probleme të shëndetit mendor.  Doktoreshë Valentina tregon arsyet që çojnë në keqësimin e gjendjes së pacientëve me rritjen e temperaturave.

”Për shkak të djersitjes së madhe, të humbjes së lëngjeve, ka një përqendrim më të madh të medikameteve në organizëm dhe i krijojnë lodhje e këputje. Tendenca e tyre është që të ndërpresin mjekimin”, shprehet doktoresha.

Vizita e radhës është me një paciente që ka tentuar dy herë vetëvrasjen. Zonja 50-vjeçare nga një fshat i Tiranës merr mjekim prej vitesh për çrregullim bipolar. “Mos ardhtë më ajo situatë. Kisha ndërprerë edhe mjekimin”, thotë pacientja.

Doktoresha e pyet nëse ka bërë analizat që i ka kërkuar. “Nuk i kam bërë se jam me Ramazan. Unë jam sëmurë gjithmonë dhe nuk i kam marrë”, thotë zonja.

Numri i vizitave në një ditë shkon edhe 30 për një mjek. “Streset në punë, streset në familje, pasiguria për të gjetur. Është shtuar numri i pacientëve adoleshentë për shkak të abuzimit me substancat”, tregon doktoresha.

Doktoresha evidenton faktin që shqiptarët bëhen doktorë të njëri-tjetrit. “Ne e kemi më te letë të shkojmë te hoxha se sa te psikiatri”, thotë doktoresha.

Problem tjetër është mjekimi nga farmacisti. “Japin edhe medikamente pa kriter, të cilat populli i ka si karamele tani. Shprehja popullore është që duhet të bëhesh mjek i vetes, por jo deri te përdorimi i medikamenteve”, shprehet doktoreshe Valentina. /TCH/

SHKARKO APP