Rëndësia e vaksinimit të fëmijëve

Vaksinimi është një nga mundësitë më të mira që kanë prindërit për të mbrojtur foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët nga sëmundjet potencialisht të dëmshme. Sëmundjet e parandalueshme nga vaksina mund të jenë shumë serioze, mund të kërkojnë shtrim në spital ose të jenë vdekjeprurëse, veçanërisht në foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Fëmija ekspozohet ndaj mijëra mikrobeve çdo ditë në mjedisin e tij. Kjo ndodh nëpërmjet ushqimit, ajrit, apo sendeve që vendos në gojë.

Sistemi imunitar i foshnjave mund të luftojë shumë mikrobe, por ka disa sëmundje vdekjeprurëse të cilat nuk mund t’i përballojë. Kjo është arsyeja përse ata kanë nevojë për vaksina që forcojnë sistemin imunitar. Vaksinat përmbajnë sasi shumë të vogla të antigjeneve, dhe ndihmojnë sistemin imunitar të fëmijës të njohë dhe të luftojë sëmundjet serioze. Antigjenet janë pjesë e mikrobeve që vetëm nxisin sistemin imunitar për t’u aktivizuar.

Në përgjithësi, asnjë agjent farmaceutik duke përfshirë edhe vaksinat, nuk mund të konsiderohet 100% i sigurt. Megjithatë, të gjitha vaksinat që përmban kalendari i vaksinimit dhe që ofrohen nga Programi Kombëtar i Vaksinimit, janë vaksina të parakualifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe kanë kaluar një sërë testesh laboratorike dhe sigurie.

SHKARKO APP