Rikthehet gripi, 30 vizita në ditë në një qendër shëndetësore
Rreth 30 vizita në ditë regjistrohen në një qendër shëndetësore në Tiranë, për shkak të virozave stinore. Ndryshimi i temperaturave ka risjellë vëmendjen te infeksionet respiratore.
Ndryshimi i temperaturave të paktën për tre ditët e fundit ka sjellë edhe shtimin e numrit të virozave në qendrat shëndetësore. Rreth 30 të tilla regjistrohen thuajse çdo ditë, ndërsa mjekët apelojnë për një kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe.
”Vazhdon të ketë akoma dhe më shumë raste me virozat e stinës që janë kryesisht të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe ato të tretjes por që janë më të paktë në numër. Rrugët e sipërme të frymëmarrjes janë numri më i madh, ndërsa komplikacionet nga këto viroza që kapin rrugët e frymëmarrjes për rrugët e poshtme të frymëmarrjes janë më të pakta”,-thotë Donika Jorga.
Rreth 472 persona janë prekur nga virusi i gripit për periudhën janar-mars 2019. Mjekja, Donika Jorga, përsërit apelin dhe sensibilizimin ndaj qytetarëve për të treguar kujdes gjatë kësaj periudhe.