Rini e përjetshme? Shkencëtarët zbulojnë gjenin që shkakton plakjen

Një tjetër hap në njohjen e procesit të plakjes është konsideruar një studim i kryer së fundmi nga Universiteti i Buffalo-s në Nju Jork.

Shkencëtarët kanë zbuluar një gjen që luan një rol kyç në fillimin e procesit të plakjes, duke i bërë qelizat të kthehen në “të vjetra”. Gjeni me emrin CD36 shkakton nisjen e këtij procesi.

Plakja është një proces natyral në ciklin e jetës së çdo qelize.

Ky proces ka qenë në fokusin e kërkimeve shkencore, pasi qelizat që përfshihen në të mendohet se kontribuojnë në një sërë sëmundjesh, nga sëmundjet e zemrës deri te katarakta dhe artriti.

Studimi i ri, i botuar në revistën “Molecular Omics”, zbuloi se gjeni CD36 ishte veçanërisht aktiv në qelizat më të vjetra.

Shkencëtarët arritën të provonin efektin e këtij gjeni duke “ngacmuar” me të qelizat e reja dhe të shëndetshme.

Megjithatë, fokusi kryesor i kërkimeve nuk ishte vetë gjeni CD36.

Përkundrazi, studiuesit donin të katalogonin të gjitha gjenet që lidhen me plakjen e qelizave.

Ata ishin veçanërisht të interesuar në gjenet e lidhura me lipidet që janë përfshirë në këtë proces, sepse studimet e mëparshme kanë treguar se lipidet luajnë një rol të rëndësishëm në plakjen qelizore.

Ndërsa zbulimi mund të konsiderohet emocionues, roli i saktë i gjenit në procesin e plakjes mbetet ende i mbështjellë me mister.

Shkencëtarët e dinë se CD36 udhëzon trupin në ndërtimin e një proteine që vendoset në sipërfaqen e qelizave, por ajo që saktësisht bën protein është në studim e sipër.

Hulumtuesit thonë se gjeni paraqet një temë emocionuese për hulumtime më të thella në lidhje me plakjen qelizore.

SHKARKO APP