Sa e rrezikuar është Shqipëria nga virusi Zika

Specialistja e njohur Dr. Silvia Bino na ka ndihmuar për rrezikun e ZIKA-s në vendin tonë me një përmbledhje përgjigjesh për JAVAnews për atë që duhet të dimë dhe të mbrohemi nga ky virus i frikshëm…

Intervistoi Ben Andoni

Dr. Silva Bino, drejtuesja e Departamentit të Kontrollit në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë është e bindur se virusi ZIKA nuk është aq i rrezikshëm për Shqipërinë. Të paktën prej sezonit. Megjithatë, lajm i keq, në përgjigjet në këtë intervistë, është se:“Mushkonja Aedes albopictus një nga vektorët, që mund të transmetojnë sëmundjen Zika është e përhapur në të gjithë vendin tonë, ashtu si dhe në shumë vende të Mesdheut në rajonin Europian, prandaj ekziston edhe mundësia e transmetimit brenda vendit nga raste, të cilat mund të importohen në vendin tonë.  Gjithsesi akoma nuk njihen qartë aftësitë transmetuese për virusin Zika, që mund të kenë popullatat europianë të mushkonjave apo atyre që qarkullojnë në vendin tonë”. Mushkonjat që e shkaktojnë, të njohura edhe si Tiger, nuk mund ta sjellin në stinën e dimrit. Ajo ka bërë dhe një sqarim në lidhje me virusin, i cili është zbuluar që në vitin 1947 tek majmunët dhe në vitet ’70 të shekullit të shkuar dhe tek njerëzit në Nigeri. Por, ndërsa virusi ka lëvizur më së shumti në Afrikë dhe në Azi, vitet e fundit, ai është hasur dhe në Oqeani, teksa shënoi pikun më 2015, kur po përhapet frikshëm në Kontinentin Amerikan dhe në Karaibe. Virusi është pak i vështirë për t’u identifikur pasi: “Vetëm 1 në 5 persona të infektuar nga Zika do të shfaqin shënja të sëmundjes. Në përgjithësi, sëmundja është e lehtë për personat që sëmuren. Për këtë arsye shumë njerëz nuk mendojnë se janë të infektuar. Shenjat në mënyrë tipike fillojnë 2-7 ditë pas pickimit të mushkonjës së infektuar”, thotë specialistja. Ndërkohë që deri më sot, nuk ka vaksinë që ta parandalojë dhe mënyra më e mirë për të parandaluar sëmundjen që përhapet nëpërmjet mushkonjave është të menjanohet pickimi i tyre. Në këtë intervistë për Javanews, ajo parashtron disa këshilla, por edhe njohuri për virusin, sidomos për ata që udhëtojnë, veç njohurive për të…

Çfarë është sëmundja e shkaktuar nga virusi Zika (Sëmundja Zika) ?

“Zika është një sëmundje që shkaktohet nga virusi Zika dhe që përhapet tek njerëzit kryesisht nëpërmjet pickimit të specieve të infektuara të mushkonjave Aedes.

Virusi Zika është zbuluar për hërë të parë në vitin 1947  në një majmun në pyllin Zika në Uganda dhe një vit më pas u has tek mushkonjat në të njëjtin pyll, kurse për here të pare tek njerëzit u diktua në Nigeri gjatë studimeve të kryera në vitin 1968 dhe gjatë viteve 1971–1975.  Më pas, ky infeksion ka qarkulluar në vende të ndryshme të Afrikës dhe Azisë dhe më pas në Mikronezi dhe Polinezi. Në vitin 2015, kjo sëmundje është përhapur  me shpejtësi në Amerikën Jugore, Qendrore dhe Karaibe”.

Cilat janë shenjat kryesore të saj?

“Shenjat kryesore të Zikës janë: Temperatura, rashi makulopapuloz (njolla të kuqe në lëkurë) , dhimbje kyçesh, dhimbje muskulare, konjuktivit (skuqje të syrit) dhe dhimbje koke sidomos në pjesën e ballit. Sëmundja është zakonisht e lehtë dhe me shenja që zgjasin për disa ditë deri në një javë.

Ajo çka e ka bërë këtë sëmundje tepër të dukshme është jo vetëm përhapja e shpejtë e saj në Amerikën Jugore dhe Qendrore, por edhe shtimi i rasteve me mikrocefali ( perimetër i kokës së të porsalindurit më i vogël se ai normal) dhe dëmtime të trurit se të porsalindurve nga gratë shtatzana që kishin kaluar sëmundjen Zika ose që jetonin në zona me transmetim autokton (transmetim të sëmundjes brenda vendit). Gjithashtu në këto zona është vënë re një rritje e rasteve me sindromën Guillain-Barre, një lloj paralize e gjymtyrëve.

Vetëm 1 në 5 persona të infektuar nga Zika do të shfaqin shënja të sëmundjes. Në përgjithësi, sëmundja është e lehtë për personat që sëmuren. Për këtë arsye shumë njerëz nuk mendojnë se janë të infektuar. Shenjat në mënyrë tipike fillojnë 2-7 ditë pas pickimit të mushkonjës së infektuar”.

Si mund të transmetohet Zika?

“Zika transmetohet kryesisht nëpërmjet pickimit nga mushkonjat Aedes ( si p.sh. Aedes aegypti dheAedes albopictus) të infektuara. Mushkonjat infektohen kur pickojnë një person, i cili ka qenë i infektuar me virusin. Mushkonjat e infektuara mund të transmetojnë virusin nëpërmjet pickimeve tek njerëzit e tjerë. Gjithashtu mund të transmetohet nga nëna tek fëmija gjatë shtatzanisë ose edhe gjatë kohës së lindjes. Akoma nuk dihet se kur është shpeshtësia më e madhe apo koha e transmetimit: gjatë shtatzanise apo gjatë kohës së lindjes. Gjithashtu infeksioni nga virusi Zika mund të transmetohet me rrugë seksuale. Gjithsesi, këto janë të dhënat e deritanishme pasi ndërkohë po kryhen një seri studimesh”.

Kush ka rrezik të infektohet prej virusit?

“Çdo njeri që jeton ose udhëton në një zonë ku gjendet virusi Zika dhe që nuk ka qenë infektuar më parë me këtë virus ka rrezik të infektohet, përfshi këtu edhe gratë shtatzana”.

Çfarë duhet të bëjmë që të parandalojmë infektimin nga Zika?

“Nuk ka vaksinë që ta parandalojë Zikën. Mënyra më e mirë për të parandaluar sëmundjen që përhapet nëpërmjet mushkonjave është të menjanohet pickimi i tyre. Mbrojtja personale dhe ajo e familjes nga pickimi i mushkonjave është si me poshtë:

  • Veshje e këmishave dhe bluzave me mëngë të gjata dhe pantallonave të gjata.
  • Qëndrimi në vende me ajër të kondicionuar ose përdorimi rrjetave të telit në dritare e dyer për të mos lejuar futjen e mushkonjave brenda shtëpive.
  • Përdorimi i repelentëve ndaj insekteve të lejuar për përdorim të cilëve ju njihet efektiviteti. Përherë ndiqni këshillat që janë të vendosura tek çdo produkt.
  • Repelentët nuk duhet të përdoren asnjëherë në lëkurë ndën rroba.
  • Nëse përdoret krem apo locion mbrojtës nga dielli atëherë këta vendosen përpara se të aplikohet apo vendoset repelenti i insektëve”.

 

Sa i madh është rreziku i përhapjes në Shqipëri?

“Raste me Zika, të lidhura me udhëtimet janë raportuar në vendet Europiane qoftë tani por edhe në të shkuarën por deri më tani nuk janë identifikuar raste të dyshuara apo konfirmuara me këtë sëmundje në vendin tonë.

Mushkonja Aedes albopictus një nga vektorët, që mund të transmetojnë sëmundjen Zika është e përhapur në të gjithë vendin tonë ashtu si dhe në shumë vende të Mesdheut në rajonin Europian, prandaj ekziston edhe mundësia e transmetimit brenda vendit nga raste, të cilat mund të importohen në vendin tonë.  Gjithsesi akoma nuk njihen qartë aftësitë transmetuese për virusin Zika, që mund të kenë popullatat europianë të mushkonjave apo atyre që qarkullojnë në vendin tonë”.

Gjithsesi rreziku transmetimit është tepër i ulët në stinën e dimrit pasi kjo stinë nuk nxit aktivitetin e mushkonjave tiger”.

SHKARKO APP